Jusuf flet pas debutimit me Sileksin: Kisha emocione, falënderojë trajnerin Tasevski dhe bashkëlojtarët për mirëpritjen

Alpaj Jusuf ka bërë debutimin e tij në Ligën e parë në fitoren 1-0 të skuadrës së tij Sileks nga Kratova kundër Renovës së Tetovës.

Mesfushori defensiv nga Kumanova ka qenë titullar në këtë ndeshje, duke bërë një paraqitje pozitive.

Jusufi pas ndeshjes flet për Lajm rreth debutimit, duke pohuar se në fillim kishte emocione.

“Të debutosh në Ligën e parë ishte ndjenjë shumë e mirë, pasi u kurorëzua edhe me fitore që erdhi në fund të takimit. Normal që në fillim isha i emocionuar, por pasi filloi ndeshje isha i përqendruar në lojë. Ishte fitorja ime e parë në ligë të parë dhe e Sileksit në kampionatin e ri. Jam i kënaqur me lojën time, ndërsa u zëvendësova në pjesën e dytë me lojtarë të sulmit, pasi kishim nevojë për të shënuar gol”, tha Jusuf.

Jusuf falënderon trajnerin dhe bashkëlojtarët e ekipit për mbështetjen e madhe që ia ofrojnë.

“Gjatë tërë javës trajneri Zhikica Tasevski më ka motivuar për ndeshjen në mënyrë që të kem një debutim të suksesshëm. Të gjithë lojtarët po më shikojnë si një futbollist më i ri i skuadrës. Gjithashtu më vlerësojnë dhe më respektojnë, gjuajtjet e lira dhe rivëniet nga këndi mi lënë mua ti ekzekutoj. I falënderoj shumë. E falënderoj edhe Zhikica Tasevskin që më dha rastin dhe besimin që ka tek unë”, vazhdoi Jusufi.

20-vjecari, i cili para disa javësh iu bashkua Sileksit, shpreson të vazhdojë kështu edhe në vazhdim të kampionatit.
“Me 1 gusht ia kam nisur me stërvitje te Sileksi dhe me 26 gusht debutova. Për mua ky është një sukses dhe besoj se në të ardhmen do të jetë edhe shumë më mirë. Tani gjithcka është më ndryshe dhe të gjithë të motivuar e presim ndeshjen kundër Pobedës”, tha ai.

Sileksi pas tre ndeshjeve të zhvilluara ka tubuar katër pikë./lajm

 

Loading...