Të martën në mbrëmje rikthehen Kupat e Evropës, që hyjnë pikërisht në fazën më të rëndësishme të sezonit, teksa luajnë aktin e parë të fazës çerekfinale. Si zakonisht privilegjin për të zbritur të parët në fushë e kanë ekipet që luajnë në Champions League, ku përsëri Spanja mbetet forcë e parë, me plot tri skuadra nga tetë që kanë mbetur gjithsej në këtë aktivitet. Dueli më interesant i gjithë këtij raundi është Juventus – Real Madrid, ku zbresin në fushë dy klube që së bashku numërojnë plot 14 trofe përsa i përket kompeticionit më të rëndësishëm europian.

“Los blancos” përveçse përfaqësojnë klubin elitar me plot 12 tituj, janë gjithashtu edhe kampionët në fuqi, madje ekipi “merengues” në mënyrë të pabesueshme ka fituar plot 3 herë kupën me veshë të mëdhenj në 4 edicionet e fundit, ndërkaq në krahun tjetër “Zonja e Vjetër” përfaqëson klubin më të pafat, pasi “bardhezinjtë” kanë fituar vetëm 2 nga 9 finalet e luajtura në këtë aktivitet. Në dy prej këtyre finaleve klubi i famshëm piemontez është mundur prej rekordmenëve të këtij kompeticioni, por gjithsesi goglat edhe këtë herë në Nyon u treguan vërtet të pamëshirshme, teksa përplasën që në këtë fazë pikërisht dy skuadrat finaliste të edicionit të kaluar.

Në Torino bëjnë sikur e kanë harruar disfatën 4-1 të dhjetë muajve më parë në “Millennium Stadium” të Kardifit, pasi këtë herë bëhet fjalë për një përballje vajtje-ardhje, ku për hir të së vërtetës Reali ka dalë me kocka të thyera nga katër përballjet e fundit në Champions ndërmjet tyre, madje edhe kualifikimi i fundit i klubit të famshëm madrilen me formulën e knock out-it me dy takime daton plot 32 vjet më pare, edhe atëherë vetëm pas goditjes së 11-metërshave.

Pavarësisht se ekipi i tij konsiderohet favorit për të kaluar për në fazën gjysmëfinale, trajneri Zinedine Zidane është i vetëdijshëm për vështirësitë e kësaj përballjeje, pasi Juventusi është pikërisht klubi i vetëm që e ka thyer Realin në katër edicionet e fundit në Champions, falë golit të famshëm të ish-sulmuesit të “Los Blancos”, Alvaro Morata, tre vjet më parë, në gjysmëfinale brenda në “Santiago Bernabeu”, megjithëse vetë Zizou nuk është eliminuar asnjëherë si trajner në përballje të tilla knock out-i.

Si ish-Juventin, madje me dy finale të humbura radhazi me Borusian e Dortmundit dhe Realin e Madridit, menjëherë pas triumfit të fundit të “bardhezinjve” në këtë aktivitet 22 vjet më parë ndaj Ajaksit në stadiumin “Olimpico” të Romës pas ekzekutimit të penalltive, trajneri francez e ka të qartë që skuadra e tij luan gjithë sezonin, krejt ndryshe nga ekipi i Allegrit, që, përveç finales në Kupën e Italisë, titullin në Serinë A e ka pothuajse në xhep.

Të dy klubet paraqiten pas eliminimeve të bujshme të turit të mëparshëm, sepse PSG konsiderohej si favorit nga të gjithë ndaj klubit madrilen, ndërsa “bardhezinjtë” bënë një përmbysje të madhe, falë dy golave në gjysmë orën e fundit ndaj Tottenham Hotspur, për më tepër brenda në Londër, ku nuk kishin fituar asnjëherë në gjithë historinë e tyre. Takimi i parë do të luhet në Torino dhe do të drejtohet nga arbitri turk Cuneyt Cakir, gjithsesi, krejt ndryshe nga Reali, vendasit nuk do të kenë në dispozicion dyshen Pjanic – Benatia për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve.

Shumë më favorit paraqitet Bajerni i Mynihut në përballjen tjetër me Seviljen, madje bookmakers-at nuk e marrin fare në konsideratë klubin andaluzian, teksa e kuotojnë ekipin e Montelës deri me koeficientin 8 për të kaluar turin. Skuadra bavareze me strategun Jupp Heynckes në drejtim konsiderohet si një ndër skuadrat favorite për të triumfuar në finalen e Olimpiyskiy-t të Kievit, sidoqoftë, ndonëse ky është një ndër duelet më të rëndësishëm në historinë 128-vjeçare të klubit andaluzian vlen të theksohet fakti që Sevilja në “Ramon Sanchez Pizjuan” nuk është mundur kurrë nga një klub gjerman, në 11 ndeshje të luajtura gjithsej.

Te skuadra vendase do të mungojë mesfushori argjentinas Ever Banega, sidoqoftë takimi i parë do të gjykohet nga italiani Daniele Orsato dhe interesant është fakti që dy klubet ndeshen absolutisht për herë të parë në historinë e Kupave të Evropës.

Loading...