Ka shembuj ku funksionarë qeveritarë i bojkotojnë mediat kritike

Transparenca e Qeverisë është përmirësuar, por praktitat e reja nuk i zbatojnë të gjithë ministrat. Ka shembuj ku funksionarë qeveritarë i bojkotojnë mediat kritike. Kështu deklaroi kryetari i SHGM-së, Naser Selmani, duke shtuar se pritjet janë që Qeveria t’i jep fund kësaj sjelljeje. Me rastin e shënimit të ditës ndërkombëtare të lirisë së mediave, të organizuar në kuadër të projektit “Rrjetëzimi i gazetarëve për lirinë e mediave”, të financuar nga BE-ja, Selmani gjithashtu ftoi gazetarët të reflektojnë profesionalizëm.

NASER SELMANI, KRYETAR I SHGM-SË

“Transparenca e Qeverisë është përmirësuar, por praktitat e reja nuk i zbatojnë të gjithë ministrat. Ka shembuj ku funksionerë qeveritarë i bojkotojnë mediat kritike. Presim nga Qeveria që t’i jep fund kësaj sjellje të paqartë të funksionerëve të saj. Në fund dua t’ua rikujtoj kolegëve të rinj, se 3 maji duhet të jetë ditë kur gazetarët reflektojnë për etikë profesionale, dua t’i ftoj të jenë më të përgjegjshëm për fjalën e thënë publikisht, gabimet në punë tonë janë të pashmangshme, e rëndësishme është që ato të mos jenë të qëllimshme, sepse ajo e dëmton kredibilitetin tonë që na legjitimon si gazetarë”

Ministri pa resor përgjegjës për komunikime, llogaridhënie dhe transparencë në Qeverinë e RM-së, Robert Popovski, tha se në 11 muajt e fundit nuk ka pasur raste të reja të sulmeve ndaj gazetarëve, ndërkaq nënvizoi se në vitet e kaluara janë evidentuar 52 raste, nga të cilat sipas informatave të para 10 prej tyre janë zbardhur.

ROBERT POPOVSKI, MINISTËR PA RESOR PËRGJEGJËS PËR KOMUNIKIME, LLOGARIDHËNIE DHE TRANSPARENCË

“Në vitet e kaluara ka pasur 52 raste me sulme, kërcënime, presion. Atë që si informatë të parë unë e kam deri më tani, por ju lutem më jepni hapësirë ta shqyrtoj dhe ju besoj se së shpejti do të dalim me informata konkrete, se 10 nga ato raste janë zbardhur ndërkaq 5 tashmë janë në Prokurorinë Themelore Publike. Megjithatë pajtohem se nëse nuk zgjidhen të gjitha ato raste të cilat e rëndojnë të gjithë ambientin mediatik dhe gazetaresk, nuk mund të ketë atmosferë ku do të ndjejmë besim se gjendja është rregulluar. Ajo që na gëzon është se nuk ka raste të reja në 11 muajt e fundit, dhe kjo është me rëndësi për të gjithë ne.”

Selmani nënvizoi se sulmet e reja policia dhe prokuroria po i procesuon në mënyrë korrekte, ndërkaq problem paraqesin sulmet e vjetra ndaj gazetarëve, të cilat nuk mund të hetohen për shkak të shkatërrimit të fakteve dhe për shkak të solidaritetit mes punonjësve të policisë, të cilët solidarozohen me kolegët e tyre që në të kaluarën kanë sulmuar gazetarë dhe nuk i kanë paraqitur dhe nuk dëshmojnë për veprat e tyre ndaj gazetarëve. Ajnur Bafqari /SHENJA/

Loading...