Shaqir Islami
Referendumi dështoi! Pjesërisht me fajin e tjerëve; pjesërisht me fajin tonë. Natyrisht se më intereson ajo që ndodh në avllinë politike shqiptare. Qesh i bindur se do ketë pjesëmarrje të gjallë në këtë proces. Fare nuk dyshoj në dëshirën dhe vullnetin e qytetarëve pro dy organizatave perëndimore; megjithatë (!), referendumi nuk pati jehonë të madhe në publikun shqiptar. Pse ?
Ja si mendoj unë. Regjimi Gruevski-Alia, e dhunuan votën e lirë, fjalën e lirë dhe shtypin e lirë, plot pesëmbëdhjetë vite me radhë. E minuan me dinamit çdo shtyllë të demokracisë në vend. Çdo parim dhe vlerë demokratike përbuzej dhe shkelej në flagrancë, para syve të qytetarëve. Të gjithë heshtnim; dikush e ruante vendin e punës, dikush i shantazhuar, dikush shpresonte në punësim; mediat ishin nën kontroll të plotë; tjerët silleshin nëpër burgje dhe gjyqe;, … çdo e drejtë qytetare tkurrej dhe shkelej, tmerrësisht lehtë ! Tërë këto vite, manipuluan votën e lirë, e përdhunuan e nënçmuan dhe e përbuzën duke e shndërruar në mall pazari. Sidomos, tek votuesit shqiptarë kjo ndodhi në çdo cikël zgjedhjesh. Pra, në mënyrë sistematike e zhvlerësuan votën duke e shndërruar atë në paketa nevojash të shoqërisë së varfëruar, pasi që, së pari e varfëruan shoqërinë shqiptare pamëshirshëm. Asnjë proces i zgjedhjeve nuk qe sipas parimeve të demokracisë evropiane. Kjo “kulturë-demokratike” e shartuar e shpërfytyroi demokracinë në vend. Qytetari shqiptarë nuk ka gëzuar vlerat dhe të drejtat e veta demokratike. Në fakt, nuk ishte pronar i votës së vet. Kjo e drejtë e tij shkelej me metoda kaçakësh, pasi që shqiptarët ishin braktisur në mëshirën dhe vullnetin e Alisë. Kështu blihej dhe ruhej qetësia sociale shqiptare. Me dhunë dhe frikë!
Votuesi shqiptarë në vendin tonë është i varfëruar dhe i frikësuar sistematikisht nga pushteti, shkak i vetëm është sjellja dhe qeverisja e egër dhe ushtrimi i dhunës psikike dhe të frikësimit të atyre që nuk janë pajtuar me kaçak – demokracinë e marksist – leninistit të regjur.
Duke i shfrytëzuar hallet e pjesës dërmuese të qytetarëve hallexhi, e drejta e votës u shndërrua në mall pazari. Në çdo proces zgjedhjesh, kalorësit e së keqes së liderit nga Zajazi në sallamadi të plotë, shpërndaheshin që ta mbledhin haraçin nga populli. Dihej botërisht; ja me hatër, ja me zor. Qytetarët hallexhi nënçmoheshin çburrënoheshin para një bashibozuku të llumit të shoqërisë sonë, në mënyrën më të poshtër. Ofendimi më i madh qe ndarja e pakove ushqimore: miell, vaj, sapun, … A ka ofendim më të madh dhe gjynah më të madh se sa të tallësh fukarallëkun që vet ua ke shkaktuar me qeverisjen tënde kaçake ? Ata më kërkuesit e shitnin nderin demokratik edhe me euro. Pra, vota ishte nënshtruar ligjeve të pazarit, çdo gjë arrihej me pazarllëk xhambazësh. E gjithë kjo e ndryshoi sjelljen politike të elektoratit. Nevojat familjare e ndryshojnë sjelljen politike edhe të njerëzve të fisshëm dhe të ndershëm.
Kjo teknologji marksiste-leniniste e pasivizoi votuesin. Ia vrau vullnetin për pjesëmarrje në procesin thelbësorë të demokracisë. Ia shkatërroi votuesit besimin dhe shpresën e madhe në vet demokracinë si sistem. Një demokraci e shëndoshë kërkon pjesëmarrje sa më të madhe në proceset demokratike. Përkundrazi, demokracia shndërrohet në kaçak – demokraci.
p.s
Nuk ka paketa nevojtare, as euro, … nuk ka vota. Aritmetikë e thjeshtë, dhe hesapet e pastra. Kështu u edukuan votuesit shqiptarë gjatë këtyre tre dekadave, nga të gjitha partitë politike. Populli thotë: çfarë mbjell, atë korr!

Loading...