Trupi i minoritarit grek , Konstandinos Kaçifas ju dorëzua familjarëve të tij në Gjirokastër rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm dhe të enjten pritet që të zhvillohet ceremonia mortore për të.

Procedurat për ekzaminimin e trupit të 35-vjeçarit kanë zgjatur 11 ditë dhe Prokuroria ka gati raportin e mjekëve ligjorë, ndërsa mësohet se autorizimi për dorëzimin te familjarët është firmosur dje nga prokurori i Krimeve të Rënda, Njazi Seferi.

Ndërkohë sa i përket ceremonisë mortore të Kaçifas, shpenzimet për të do të paguhen të gjitha nga Bashkia e Dropullit. Vendimi është marrë në një mbledhje jashtë radhe dhe nënkryetari Mihal Mano ka thënë për mediat se familja e 35-vjeçarit është e varfër dhe nuk ka mundësi financiare të paguajë vetë shpenzimet e varrimit.

Sipas tij ngjarja është e ndjeshme për komunitetin e minoritarëve në jug të Shqipërisë.

“Në mbledhjen jashtë radhe të Bashkisë së Dropullit të gjithë këshilltarët e bashkisë, njëzëri, si minoritet grek, vendosëm të mbajmë një qëndrim për ngjarjen e ndodhur. Vendosëm që të paguajmë zyrtarisht shpenzimet e varrimit dhe të qëndrojmë në lartësinë e situatës. Mbajtëm një minutë heshtje për Konstandino Kacifas. Do të mbështesim edhe me mikrofonë dhe foni zhvillimin e ceremonisë. Një këngëtar epirot do të jetë pjesë e ceremonisë me një këngë vajtimi”, tha nënkryetari i Bashkisë së Dropullit.

Përcjellja drejt banesës së fundit të Kaçifes është paralajmëruar të mbahet në orën 13:00 në Bularat. Mediat greke raportojnë se në ceremoninë mortore mund të jenë deri në 2000 persona të cilët janë nisur nga Greqia, ndaj Policia e Shtetit ka marrë masa për monitorimin e rreptë të ngjarjes.

Mediat greke i kushtojnë rëndësi edhe mesazhit të Kryeposhkopit Anastas Janullatos, i cili reagoi pasi Prokuroria firmosi lejen për tërheqjen e trupit të Kaçifas.

“Ju lutemi të gjitha palëve që trupi i Konstandinos Kacifas të jepet për tu varrosur sipas traditës fetare. Të gjithë shpirtrat le të gjejnë paqen. Zhurma e papërgjegjshme le të ndalet dhe ngjarjet të shqyrtohen në vazhdim me objektivitet dhe respekt të ndërsjellë”, tha Janullatos.

Loading...