Votuesit në territorin francez të Kaledonisë së Re në Paqësorin e Jugut hodhën votat e tyre të dielën në një referendum për pavarësinë.

Votuesit iu përgjigjën pyetjes se, “A doni që Kaledonia e Re të fitojë sovranitetin e plotë dhe të bëhet e pavarur?”

Rezultatet e hershme tregojnë se territori ka vendosur të mbetet pjesë e Francës e cila mori kontrollin e arqipelagut në mesin e shekullit të XIX-të.

Pjesëmarrja në votime njoftohet të jetë e lartë.

Kaledonia e Re ka më shumë se 174 mijë votues të regjistruar nga një popullsi prej rreth 270 mijë banorësh.

Ekonomia e saj mbështetet nga rreth 1.5 miliardë dollarë në subvencione nga qeveria franceze çdo vit dhe shumë prej tyre janë të shqetësuar se ekonomia do të falimentojë pa ndihmën e Francës.

Ndërsa territori tashmë gëzon një shkallë të lartë autonomie, ai mbështet shumë tek Franca për disa çështje, përfshirë mbrojtjen dhe arsimin.

Referendumi është pjesë e një procesi që filloi në vitin 1988 për t’i dhënë fund viteve të dhunës mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të pavarësisë nga Franca. Një dekadë më vonë, u arrit një marrëveshje për të patur një votimin për pavarësi në vitin 2018. Nëse votuesit thonë se jo për pavarësinë, marrëveshja lejon dy referendume të tjera për pavarësinë që do të mbahen deri në vitin 2022.

Presidenti francez Emmanuel Macron vizitoi Kaledoninë e Re në maj dhe foli për “dhimbjet e kolonizimit”. /VOA

Loading...