Opinione

Karremi për partnerët e rinj të koalicionit

111 Fadil-Lepaja

 

FADIL LEPAJA

Me vendimin që, dikush tjetër nga radhët e partisë së tij të jetë kandidat për kryeministër, kryetari I LDK-së, Isa Mustafa, dërgon një mesazh të qartë te të gjithë partnerët e mundshëm të koalicionit, para dhe pas zgjedhorë se vendi i kryeministrit, për të dhe për LDK-në është i negociueshëm, dhe se I njëjti nuk është edhe aq tepër I rëndësishëm për atë që, ai dhe partia e tij, synojnë të arrijnë në mandatin e ardhshëm qeverisës. Ky duket të jetë karremi i tij me të cilin ai kësaj radhe do të peshkojë partnerët e koalicionit të ardhshëm, për partinë që ai e drejton, ndërkohë që partnerët potencial në këtë garë të përshpejtuar zgjedhore, nuk po arrijnë më të fshehin as ambiciet, as inatet, e as mungesën e plotë të parimeve, madje as mungesën programeve serioze me të cilët sipas rregullit do të duhej të dalloheshin njëri prej tjetrit. Sa për parime, të gjitha koalicionet duken të mundura. Dallojnë vetëm për nga këmbëngulja që të kenë kryeministrin e tyre. Koalicioni I ardhshëm do të jetë pazar politiko-financiar më shumë se gjithçka tjetër dhe këtë si duket , kryeministri në ikje, e ka kuptuar më shpejt se oponentët e tij jo vetëm nga partitë e tjera por edhe nga vetë partia e tij. Ky do të jetë një pazar, edhe ndërkombëtarë, më tepër se asnjëherë më pare deri më tani , duke pasur parasysh se proceset kyçe të cilat mbaheshin peng nga intrigat e pafund brenda koalicionit, me sabotimin brenda partive, kanë rëndësi më të madhe për rajonin sesa për vetë Kosovën. Komentuesit e shumtë, paragjykues që kryeministrin në ikje, e shohin si figure të brishtë, të qelqtë, të shantazhueshme madje, shumë gjasë që këtë akt të e kenë pare si dorëzim të tij qysh në start, por duke pasur parasysh përvojën e gjatë drejtuese të tij, e sidomos proceset që na presin në pjesën e dytë të këtij viti, posaçërisht detyrimet e kryeministrit të ardhshëm që të marr vendime të guximshme si u shpreh këto ditë Zëvendës-ndihmës Sekretari i shtetit, përgjegjës për çështjet evropiane dhe euro-aziatike, Hoyt Brian Yee, krejt kjo më pare mund të shihet si një tërheqje taktike për të sjellë të gjithë oponentët, në pozitë jashtë loje (shprehur me terminologji të futbollit). Në fakt, llogaria më e thjeshtë thotë se palët nuk do të lëshojnë pe, pikërisht te pozita e kryeministrit. Nëse zgjedhjet e kaluara dhe negociatat pas tyre, të cilat zgjatën rreth gjashtë muaj, në përpjekje për të krijuar një koalicion të qëndrueshëm i cili PDK-në do e nxirrte në opozitë, tash i nënshtrohen një analize pak më serioze, atëherë formula e vetme e cila edhe kësaj radhe mund të jep rezultate mbetet e njejtë, pra koalicioni i “elefantëve” dhe kjo nuk mund të bëhet sërish me kryeministrin nga radhët e LDK, por gjithsesi, duke hequr dorë prej këtij posti mund të nxirren koncesione të rëndësishme. Kështu për LDK rihapet rruga për koalicione me të gjithë, pra sërish me PDK, por edhe me të tjerët si për shembull me AAK ( ku pretendendues për kryeministër është Ramush Haradinaj) apo me “Vetvendosjen” ku pretendendues ësht Albin Kurti. Zemrimi i tyre, i cili është i drejtuar kryesisht drejt kryeministrit në ike, për “tradhëtinë” e VLAN, apo, për demarkacionin, për gjykatën speciale, për “Zajednicën” dhe shumëçka tjetër, e mbi të gjitha për postin e fituar të kryeministrit, pashitet sapo të tërheq kandidaturën e tij. Pra, mesazhi, me këtë tërheqje, është se LDK është partneri më i përshtatshëm për koalicion në çfarëdo kombinimi, dhe se për të gjithë të cilët e duan vendin e kryeministrit me çdo kusht, mundësitë janë të hapura, dhe se pretendimet e LDK në këtë mandat janë më tepër të natyrës ekonomike, për çka mund të thuhet se janë treguar të suksesshëm dhe në këtë mandat. Kur gjërat shihen nga kjo perspektivë, këtë kuptim marrin edhe deklaratat e z. Mustafa se (nuk) e njohin presidentin aktual pas shkëputjes së koalicionit, që do të thotë se në kombinimet e ardhshme edhe posti i presidentit, për LDK, do të jetë objekt negociatash me të cilin mund të rimerret ky pozicioni historikisht i rëndësishëm për të parin e LDK-së. Duhet pranuar se në rrethana kur tri partitë PDK, AAK, “Vetëvendosje” insistojnë të kenë kryeministrin, kjo tërheqje taktike e Isa Mustafës e forcon pozitën negociuese të tij. Kështu, ai me një garë të paqenë rreth kandidatit të LDK për kryeministër, e amortizoi krejt presionin që vinte nga krahët e ndryshëm të LDK të cilët, për të promovuar të preferuarin e vet filluan edhe një luftë të brendshme brenda vet LDK, duke i bërë joserioze pretendimet për vet kreun e LDK-së. Në fund fare, mund të konkludohet se, me aktin e tërheqjes, padyshim të menduar mirë dhe me arsye të natyrës taktike, gara se kush do të jetë kandidati i LDK për kryeministër, u shndërrua në një garë të paqenë. Kandidatët potencial, që shpalosën ambiciet, u komprometuan shpejt dhe kandidati i shpallur zyrtarisht, si profesionist i respektuar, mund të fitoj edhe përkrahje ndërkombëtare. Ambiciet e dukshme të LDK janë të drejtojë sektorët ekonomik-social dhe pataten e nxehtë, mund ta merr në dorë kush të dojë dhe kushdo që ofron më shumë, mundësisht të ofroj edhe presidencën. Kështu, si pasojë e kësaj tërheqjeje edhe Presidenti, i cili duket se i ka kontribuar mjaft prishjes së koalicionit, fare lehtë mund të mbetet pa (asnjë) karrige, pasi ajo në kreun e PDK tashmë është zënë.​

 

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Time limit is exhausted. Please reload CAPTCHA.

To Top