????????????????????????????????????

Ata së bashku “luftuan” kundër çdo subjekti të ri politik shqiptar që paraqitej në skenën politike dhe kështu e kanë ruajtur privatësinë e tyre. Të njëjtën e bëjnë edhe me BESËN, por kësaj radhe ata “do t’i merr era”. Ata janë humbur në kohë dhe hapësirë dhe nuk janë të vetëdijshëm se koha e tyre veçse ka kaluar, dhe ne jemi këtu vetëm për t’ju treguar se “sa është ora”

Lëvizja BESA tashmë është bërë një subjekt i njohur politik. Cilat janë vlerësimet e juaja – a ka disponueshmëri në elektoratin shqiptar për një subjekt të ri politik kundër BDI-së dhe PDSH-së?

Kasami: Nuk dua të tregohem jo modest, mirëpo Lëvizja BESA brenda një viti jo vetëm që është bërë një subjekt i njohur politik, por sipas sondazheve të fundit të opinionit publik, BESA veçse është forca e katërt politike në Maqedoni dhe e dyta në bllokun politik shqiptar. Gjithashtu, duke u bazuar në këtë hulumtim, BESA e lë shumë pas vetes PDSH – në, si dhe e rrezikon seriozisht BDI-në. Këto studime korrespondojnë plotësisht edhe me gjendjen aktuale në terren, në të cilën hasim nëpërmjet kontakteve tona me qytetarët. Suksesi i BESËS nuk është vetëm rezultat i punës, konceptit dhe platformës tonë, por edhe për shkak të zgjënjimit të madh të votuesve shqiptarë nga BDI-ja dhe PDSH-ja, prej të cilëve askush më nuk pret asgjë. Atë që BDI-ja dhe PDSH-ja mund ta tregonin, atë që këto dy parti dinë dhe munden, e treguan gjatë gjithë këtyre viteve dhe tashmë askush nuk sheh asnjë fije shprese tek ato. Duhet të dini se ajo që i ndodh sot Maqedonisë në lidhje me krizën politike, ekonomike dhe morale, tek shqiptarët ndjehet dyfish më tepër për shkak të diskriminimit të dyfishtë dhe ‘torturës’ politike, të cilën në radhë të parë e imponoi VMRO-DPMNE”, ndërsa në shkallë të dyte, tek shqiptarët, e realizoi BDI-ja.

Çfarë oferte politike për momentin ju nevojitet qytetarëve shqiptarë?

Kasami: Unë jam thellësisht i bindur se shqiptarët kanë nevojë për atë që të gjithëve qytetarëve të Maqedonisë ju duhet, dhe kjo është mirëqenia ekonomike dhe një standard cilësor i jetesës. Ne si qytetarë i kemi të kërcënuara të drejtat tona themelore njerëzore, të cilat janë të lidhura me pavarësinë ekonomike dhe sociale, si dhe me politikat degraduese arsimore dhe shëndetësore, të cilat kjo qeveri i ka zbatuar për dhjetë vite. Këtë e them shkaku se shqiptarët për një kohë të gjatë kanë qenë politikisht të getoizuar në kampin e problemeve të tyre kulturore dhe etnike, duke folur vetëm për gjuhën, flamurin dhe Skënderbeun (Ali Ahmeti), dhe duke i neglizhuar nevojat e tyre njerëzore dhe qytetare siç janë punësimi, jeta e denjë sociale, arsimi dhe shëndetësia cilësore. BESA asnjëherë nuk do t’iu shmanget përpjekjeve për realizimin kulturor dhe etnik të çdo individi në Maqedoni, nënkuptohet edhe të shqiptarëve. Por, për fat të keq, ende nuk mundemi t’ju mundësojmë kushte në të cilat qytetarët së pari do të realizohen si qenie njerëzore në kuptimin e plotë të fjalës, dhe më pas edhe në identitetin e tyre etnik dhe kulturor. Për BESËN prioritet kryesor do të jetë siguria dhe mirëqenia ekonomike. Ne para se të jemi shqiptarë jemi njerëz dhe si të tillë duam të realizohemi. Për këtë shkak shteti është i obliguar që qytetarëve t’ju mundësojë që së pari të i gëzojnë të drejtat e tyre themelore njerëzore, siç janë liria, drejtësia, barazia, e drejta e mendimit dhe fjalës së lirë, punësimi, e pastaj ata t’i realizojnë të drejtat e tyre etnike dhe kulturore.

BDI-ja, dhe vetë Ali Ahmeti në publik përpiqet t’i injorojë plotësisht partitë e reja të shqiptarëve dhe si opozitë e konsideron vetëm PDSH-në. Si do ta kundërshtoni pretendimin se partitë e reja vetëm do ta ndajnë elektoratin?

Kasami: Së pari dua të kundërshtoj qëndrimin e Ali Ahmetit se vetëm PDSH-ja është opozitë. Ahmeti dhe Thaçi, janë në një bashkëpunim dhe koalicion të thellë. Dhe ky koalicion është për shkak të frikës se BESA do t’i dërgojë në një histori famëkeqe. Për fat të keq, me kalimin e kohës, ata nga përfaqësues të shqiptarëve u bënë mbështetësit më të mëdhenj të politikës së Nikolla Gruevskit, të cilët përveç për shtetin, ishin veçanërisht diskriminues dhe të dëmshëm për shqiptarët. Sa i përket ndarjes së elektoratit, këto janë akuza  plotësisht joserioze dhe tendecioze. Ky pretendim mund të hidhet poshtë edhe nëpërmjet shembullit të BDI-së, e cila ishte disa herë në situata të ndryshme, kur kishte më pak vota dhe deputetë dhe kur akoma përpiqej të bënte diçka në interes të shqiptarëve. Ndërsa kur në zgjedhjet e vitit 2014 mori numrin më të madh të votave, 153 mijë vota/ 20 deputetë, atëherë u bë një shkronjë e heshtur në skenën politike. Pra, nuk është e rëndësishme vetëm sa vota dhe deputetë do të merrni, por si do t’ju përfaqësojnë këta deputetë në Parlament.

Ndërsa kur flasim për Ahmetin dhe ‘margaritarët’ e tij (se shqiptarët nuk kanë nevojë për më shumë se dy parti), dua të them se nëse me të vërtetë është kështu, atëherë nuk do të duhej të ekzistonte as BDI-ja pasi që kur ajo u formua veçse ekzistonin tre parti politike në Maqedoni. Problemi i Ahmetit është pikërisht Lëvizja BESA për shkak se ai është seriozisht i frikësuar nga kapaciteti ynë, dhe për frikën nuk është gjetur ende shërim.

Shumica e analistëve konsiderojnë se partitë opozitare shqiptare mund të arrijnë sukses vetëm nëse bashkohen kundër bllokut BDI-PDSH. Kohëve të fundit jeni takuar me partinë Uniteti, a është ky një opsion i mundshëm?

Kasami: Me kalimin e kohës tek shqiptarët do të mbetet vetëm një dilemë – se a do të fitojë BDI-ja apo BESA. Por, edhe pse ne punojmë vet që të fitojmë ndaj BDI-së, në asnjë mënyrë nuk do të largohemi nga qëllimi ynë i sinqertë që në zgjedhje të shkojmë me një koalicion sa më të madh. Në këtë drejtim, ne iniciuam formimin e një këshilli mbipartiak, i cili quhet Këshilli Opozitar që ka të vetmin qëllim – të mbledhë në një vend gjithçka që është opozitë në bllokun shqiptar, duke përfshirë jo vetëm partitë politike, por edhe organizatat joqeveritare, figura publike, aktorë, publicistë, shkrimtarë…

Më vjen keq që disa politikanë besojnë se standardet e vendosura nga Ahmeti dhe Thaçi janë standardet e vetme dhe se politika duhet të kuptohet vetëm si mundësi për të manipuluar të tjerët. Ne duam që t’i ndryshojmë edhe këto standarde të ulëta në politikë.

Cili është mendimi juaj se pse BDI-ja dhe PDSH-ja deri tani kanë qenë të pacenueshëm në skenën politike?

Kasami: Përgjigjja e kësaj pyetje është mjaft komplekse dhe nuk është e lidhur vetëm me aktualitetin. Rrënja e këtij fenomeni shtrihet në ish-Jugosllavi kur në Kosovë u themelua LPÇK (Lëvizja për Çlirimin e Kosovës). BDI-ja dhe PDSH-ja, më saktë Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, nuk janë produkt i ekzistencës së jetës politike shqiptare në Maqedoni, ngaqë, që të dy, gjatë viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar ishin pjesë e grupeve marksiste-leniniste brenda LPÇK-së. Dhe njëri (Ahmeti) dhe tjetri (së pari Xhaferi, e pastaj Thaçi) ishin të instaluar apo të “importuar” prej atje në Maqedoni me qëllim që të imponojnë, nën flamurin e patriotizmit të rremë, një ideologji e cila për shqiptarët e Maqedonisë nuk ishte e natyrshme dhe as e dëshirueshme. Me kalimin e kohës, kur enverizmi si derivat ideologjik i marksizëm-leninizmit u shemb në botë dhe në Shqipëri, këto struktura, të mbetura pa asnjë shtyllë ideologjike, i orientonin grupacionet e tyre politike në favor të interesave të tyre ekonomike personale dhe familjare. Në këtë mënyrë ata u vunë në dispozicion që të “kapen” nga “syri i vëllait të madh” dhe këtu mbaroi historia e tyre për artikulimin politik të interesave të shqiptarëve. Por, integriteti i tyre është edhe për shkak të një elementi tjetër të rëndësishëm, dhe kjo është loja e tyre e vazhdueshme politike e quajtur “i pari dhe i dyti”. Edhe pse në sytë e opinionit publik kishte pasion dhe armiqësi në shkallë të lartë, në nivelin e të shtënave dhe vrasjeve ndërmjet njëri-tjetrin, loja e tyre “i pari dhe i dyti” nuk u ndal kurrë. Ata së bashku “luftuan” kundër çdo subjekti të ri politik shqiptar që paraqitej në skenën politike dhe kështu e kanë ruajtur privatësinë e tyre. Të njëjtën e bëjnë edhe me BESËN, por kësaj radhe ata “do t’i merr era”. Ata janë humbur në kohë dhe hapësirë dhe nuk janë të vetëdijshëm se koha e tyre veçse ka kaluar, dhe ne jemi këtu vetëm për t’ju treguar se “sa është ora”.

Cilat janë vlerësimet e juaja, a mundet që VMRO-ja, BDI-ja dhe PDSH-ja të shkojnë në zgjedhje pa opozitën?

Kasami: VMRO-ja, BDI-ja, dhe PDSH-ja nuk munden më për asgjë të vendosin vetë në këtë shtet, por megjithatë ata bënë diçka që ne të gjithë e dimë, dhe që ata e fshehin, dhe kjo është se ata që moti janë bashkë dhe funksionojnë në një orkestër që ju solli aq dhimbje, varfëri dhe humbje të dinjitetit njerëzor të gjithë qytetarëve të këtij shteti, nga e cila duhet kohë për t’u shëruar. Ne jemi të bindur se kjo politikë “duo-tri” e këndon refrenin e fundit të funeralit të saj, me shpresë se kësaj radhe drita në fund të tunelit nuk do të jetë treni ekspres VMRO-BDI-PDSH, i cili e shkel dhe prish çdo vlerë në shoqëri, por se kjo do të jetë një dritë e cila do të tregojë se jemi në dalje të këtij tuneli politik, shoqëror dhe moral, në të cilin aq gjatë na kanë “vozitur”./Utrinski Vesnik

 

Loading...