Delvina KËRLUKU/KOHA

Kastriot Haxhirexha u lindi më 9 maj, 1961 në Dibër. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje. Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, në vitin 1979. Në vitin 1981 u arrestua në Prishtinë dhe më pastaj u dënua me 8 vite heqje lirie. Lirohet nga burgu në qershor të vitit 1989. Vazhdoi Fakultetin e Mjekësisë në Zagreb dhe diplomohet në vitin 1992. Në vitin 1993 ndjek specializimin nga kirurgjia në Qendrën Universitare “ Nënë Tereza”, në Tiranë, në klinikën e kirurgut dhe profesorit të shquar, Prof. Besim Elezi. Në vitin 1997 përfundon specializimin nga kirurgjia e përgjithshme dhe vazhdon të punojë në Klinikën e kirurgjisë së fëmijëve në Tiranë, nën udhëheqjen e prof. Hysen Heta. Magjistraturën e përfundon në Tiranë. Në vitin 2000 regjistron Shkollën e Doktoraturës në Fakultetin e Mjekësisë në Zagreb, të cilën e përfundon në vitin 2004. Në vitin 2008 fitoi titullin Primarius. Në rrafshin politik, nga viti 1998 – 2002 ka qenë deputet në Parlamentin e Maqedonisë. Në vitin 2000 themelohet Partia Demokratike Kombëtare dhe zgjidhet kryetar i saj. Ishte kjo partia e parë dhe e vetme shqiptare në Maqedoni që në programin e saj e kishte federalizmin e Maqedonisë. Në vitin 2003, me vendim te Kryesisë Qendrore të PDK -së bëhet bashkimi i saj me BDI –në. Në vitin 2010, Haxhirexha kalon në radhët e Demokracisë së Re,pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2011 dhe dorëheqjes së z. Imer Selmani nga posti i Kryetarit të partisë, zgjidhet kryetar i DR –së. Është i angazhuar si pedagog në Fakultetin e Mjekësisë në Tetovë, nga fillimi i tij. Nga viti 2003 punon edhe në Spitalin Klinik në Tetovë, si mjek kirurg.

KOHA: Jeni kirurg, keni qenë aktivist i kauzës shqiptare, udhëheqës partie, por më besnik i qëndruat mjekësisë. Përse?

HAXHIREXHA: Kam qenë i përfshirë në lëvizjet ilegale që në shkollën e mesme, për të vazhduar më pastaj si student në Fakultetin e mjekësisë, në Prishtinë, ku edhe u arrestova. Pas mbarimit të fakultetit dhe specializimit vazhdova angazhimin në politikë dhe kam qenë aktiv në të gjitha ngjarjet me rëndësi kombëtare të viteve të nëntëdhjeta e deri në mbarimin e luftës në Maqedoni. Në të njëjtën kohë, kam vazhduar punën si mjek – kirurg përkundrejt aktivitetit tim politik. Profesioni i mjekut është një nga profesionet më fisnike dhe më të respektuara, por edhe një profesion që kërkon angazhim dhe përkushtim. Është një profesion i mbushur plot e përplot me strese, por edhe kënaqësi, profesion i cili kërkon të jesh gjithmonë në shërbim të pacientëve dhe të punosh pandërprerë, për përsosjen profesionale. Duhet t’i ndjekësh në kontinuitet të arriturat në shkencën e mjekësisë, sepse vetëm ashtu mund të jesh i suksesshëm në trajtimin e pacientëve të tu. Dhe në kompleksitetin e mjekësisë kirurgjia patjetër që zë një vend të veçantë. Ajo kërkon shumë më tepër angazhim. Është e mbushur plot e përplot me sfida, të ofron kënaqësi të veçanta, por edhe strese nga më të mëdha. Se sa përkushtim, kërkon profesioni i mjekut më së miri e përshkruan mjeku i njohur zviceran Jakob Laurenz Sonderegger: “Në botë nuk ka asgjë më fisnike dhe më të bukur se njeriu, ekzistenca dhe vdekja e tij; jeta dhe vuajtjet e tij – tërë kjo është mahnitëse dhe prekëse. Ti që do të bëhesh mjek, duhet të kesh sy zhbirues dhe veshë të mirë, dhunti të observimit, durim, dhe përsëri durim, për të mësuar pandërprerë, një mendje të kthjellët dhe kritike me një vullnet të çeliktë, të cilin vuajtjet dhe fatkeqësitë vetëm sa e forcojnë gjithnjë e më shumë. Dhe krahas kësaj një zemër të ngrohtë që kupton dhe ndjen çdo dhimbje. Mjekësia duhet të jetë besimi yt, fati dhe fatkeqësia jote”. Çdo njëri që është futur në botën e mjekësisë me seriozitetin që e përshkruan kaq bukur Sondereggeri, e ka të vështirë ta braktisë atë – kjo po ndodh edhe me mua.

KOHA: Ju kanë emëruar me emrin Kastriot. A ka qenë pikërisht ky emër frymëzim që ju të kyçeni në lëvizjen për ndryshimin e statusit të shqiptarëve në ish Jugosllavi, apo..?

HAXHIREXHA: Emri është ngushtë i lidhur me ata të cilët më kanë pagëzuar dhe kjo është familja ime, prindërit e mi, ata të cilët më brumosën me ndjenjat e atdhedashurisë, me atë që ta dua pafundësisht atdheun dhe popullin tim edhe me çmimin e sakrificës personale. Ndjehem krenar dhe me fat që rrjedh nga njëra prej disa familjeve atdhetare të Dibrës, të cilat familje në vazhdimësi kanë kontribuar dhe sakrifikuar për çështjen kombëtare. Ka shumë anëtarë të familjes sime, të cilët janë arrestuar përpara meje, shumë të tjerë janë persekutuar në format më të ndryshme dhe disa prej tyre janë dëbuar forcërisht nga Dibra. Por, do të ishte e pandershme sikur për këto ndjenja të larta atdhedashurie, që i gjen te plot bashkëmoshatarë të mi, të mos përmendim edhe shumë arsimtarë dhe pedagogë dibranë, ata të cilët krahas përpjekjeve që të përcjellin tek ne njohuritë dhe dijet, nuk linin pa na treguar se të gjitha këto, pa ndjenjat e atdhedashurisë, nuk do kishin shumë vlerë. Unë shfrytëzoj rastin që të përshëndes dhe falenderoj të gjithë ata arsimtarë, një pjesë e të cilëve nuk janë më në mesin tonë, për sakrificën e madhe që bënin, për të brumosur thellë te ne ndjenjat e atdhedashurisë.

KOHA: Më mirë mjek e të shpëtoni jetën e njeriut, apo politikan e të zgjidhni çështjen e popullit tuaj?

HAXHIREXHA: E thashë edhe më parë se kam qenë aktiv në lëvizjet kombëtare që në moshë të re. Kam sakrifikuar bashkë si shumë moshatarë të mi pjesën më të bukur të jetës – rininë time, për të vazhduar më tutje me aktivitetin politik në përpjekje për avancim e të drejtave dhe lirive të popullit tonë, një kohë në ish Jugosllavi e më pastaj në Maqedoni. Kanë qenë ato vite plot e përplot rreziqe dhe ngjarje të mëdha, vite të cilat sollën pavarësinë e Kosovës, por edhe një avancim të ndjeshëm të pozitës së shqiptarëve në Maqedoni. Nga ana tjetër, kam investuar shumë në përgatitjen time profesionale dhe ndjej një kënaqësi të veçantë në punën time si mjek kirurg, punë të cilën do e vazhdoj edhe më tutje, ndonëse hallet dhe problemet me të cilat vazhdojmë të përballemi ne në këtë shtet edhe në shekullin e XXI, nuk do më lënë kurrë të qetë dhe do ma prishin gjithmonë gjumin e natës.

KOHA: A keni bërë ndonjë gabim derisa ishit aktiv në politikë?

HAXHIREXHA: Si çdo aktivitet tjetër në jetë, edhe aktiviteti politik është i mbushur me suksese, si rezultat i gjykimeve dhe veprimeve të drejta, por edhe i dështimeve, si rezultat i gabimeve të bëra. Do të ishte naive të them se nuk kam gabime në aktivitetin tim politik, por ajo që më bën të ndjehem i qetë është se asnjëherë nuk kam bërë asnjë veprim politik në dëm të interesave kombëtare, edhe me çmimin e humbjes sime personale. Mendoj se disa nga gabimet e mia kanë qenë rezultat i rigjiditetit tim në politikë. Të bërit politikë kërkon një fleksibilitet më të madh në momente të caktuara, përpjekje për të gjetur edhe rrugë alternative në ngjarje kritike dhe, mbi të gjitha, duhet të tregosh durim dhe mbase në momente të veçanta mos të shpalosësh qëllimet e tua finale. Përplasjet e mia me emisarin e UE – së, z. Havier Solana dhe mosnënshkrimi i dokumentit të tij gjatë kohës së konfliktit në Maqedoni, përmes të cilit kërkohej largimi i të gjithë ushtarëve (të cilët etiketoheshin me terma pezhorativë) drejt Kosovës, prej ku gjoja edhe kishin ardhur, dokument i cili u nënshkrua nga dy liderët tjerë politikë shqiptarë të asaj kohe, ndikoi në raportet e mia me komunitetin ndërkombëtar. Kundërshtimi mjaft i ashpër të ndryshimeve që ju bënë Marrëveshjes së Ohrit, menjëherë pas nënshkrimit të saj, deklarimet dhe mbrojtja e idesë se zgjidhja e problemeve ndëretnike në Maqedoni, mund të arrihet shumë mirë me forma tjera të organizimit shtetëror etj, janë disa prej qëndrimeve të mia të asaj kohe që rezultuan me një formë izolimi, por edhe ndëshkim timin nga ana e komunitetit ndërkombëtar. Një qëndrim paksa më fleksibël, një gatishmëri për të dëgjuar më shumë sugjerimet që vinin nga ana e ndërkombëtarëve, besoj se do kishte rezultuar me ndryshime në rrugëtimin tim politik. Por, fundja, kjo është karriera ime në politikë dhe, përderisa në asnjë moment të aktivitetit tim politik nuk kam vepruar kundër interesave kombëtare, e pranoj si të tillë, pa çka se për mua personalisht nuk është më e mira e mundshme.

KOHA: Po të kthehej koha pas, çfarë do të ndryshonit?

HAXHIREXHA: Është një thënie e bukur e një fizikanti të madh, i cili thotë: “Unë fatit nuk i besoj, por edhe nëse ekziston, atëherë nuk dua ta di, thjesht, ngaqë nuk mund të ndryshoj asgjë”. Përmenda më sipër disa nga lëshimet e mia në aktivitetin politik, gjithsesi që ka edhe ndonjë tjetër, megjithatë, e përsëris, kjo është rruga ime në politikë. Pa sukseset dhe gabimet e bëra, ajo nuk do të ishte karriera ime politike. Janë edhe disa vargje të një poezie të bukur që thonë: “Jeta ime, ndoshta të mallkoj, por me tjetër jetë unë nuk të ndërroj”. Me gjithë të mirat e të këqijat, sukseset dhe gabimet, me tatëpjetat e saj, ajo është jeta ime, përfshirë edhe atë politike dhe unë e pranoj ashtu siç është.

KOHA: Keni qenë pjesë aktive e politikës, por kohëve të fundit sikur jeni “pasivizuar”. Çfarë ndodh me ju në planin politik?

HAXHIREXHA: Kam qenë i angazhuar dhe aktiv në jetën politike, por koha rrjedh dhe jeta të vë përpara sfidave të reja. Dalin momente të reja në jetë, që kërkojnë më shumë impenjim, më shumë kohë dhe përkushtim. Sot skena politike është e mbushur me subjekte të reja dhe të vjetra, me politikanë të rinj e të vjetër, të cilët ofrojnë programe dhe ide për daljen nga kriza. Në një atmosferë të këtillë politike, dhe jo vetëm, vlerësoj se është më mirë një tërheqje imja nga jeta aktive politike. Përpos kësaj, tanimë kur në horizont duken qartë ndryshimet e mëdha që do të ndodhin në skenën politike në Maqedoni, makineria e përbaltjes është aktivizuar më shumë se kurrë, ndërsa për t’iu kundërvënë asaj nevojitet të zbresësh në nivelin e atyre që e vënë në lëvizje këtë makineri, gjë që nuk më duket e mençur. Gjithsesi, e përsëris edhe njëherë, situata politike në Maqedoni është në kufijtë e kritikes, pozita e qytetarëve shqiptarë është skajshmërish e rëndë. Sot gjithsecili prej nesh e ndjen krizën e thellë ekonomike dhe politike dhe rrezikohet prej saj. Një gjendje e këtillë nuk ka se si të të lërë indiferent, të qetë në punët e tua, por ajo të shtyn të ngresh zërin e arsyes, të protestosh për një të ardhme më të mirë për të gjithë, e veçanërisht për brezin e ri. Nuk është në natyrën time që të rri i strukur dhe fare indiferent ndaj padrejtësive kaq të mëdha që ngulfasin shpirtin dhe qenien e çdo qytetari.

KOHA: Keni qenë i përndjekur politik dhe i burgosur. Si kanë qenë ditët e burgut dhe në ç’vend i keni kaluar ato?

HAXHIREXHA: Pas demonstratave të marsit dhe prillit të vitit 1981 në Prishtinë, në të cilat mora pjesë aktive, duke pasur ndikim edhe në organizmin e tyre në Podujevë, filloi përndjekja ime nga Shërbimi sekret jugosllav – UDB. Shumë shpejt pas kësaj u arrestova, ndërsa në janar të vitit 1982, në Gjykatën e Qarkut në Shkup, më dënuan me tetë vjet heqje lirie. Pjesën më të madhe të dënimit e kam kryer në burgun e Shkupit, ndërsa fillimisht gjatë hetimit kam qëndruar për një kohë të shkurtër edhe në burgun e Tetovës. Të ishe i burgosur politik në ato vite, kur nisi shkatërrimi i shtetit jugosllav, ishte tepër e vështirë. Të shumta ishin kërcënimet dhe dhuna që ushtronte aparati represiv jugosllav mbi të burgosurit politikë dhe kjo ishte veçanërisht e theksuar në burgjet maqedonase. Asokohe burgjet ishin të mbushura plot e përplot me të rinj shqiptarë, të dënuar, për motive politike dhe që vinin nga të gjitha qytetet shqiptare në Maqedoni, që nga Struga e deri në Kumanovë, por edhe nga shumë qytete të Kosovës. Numri kaq i madh i bashkëmendimtarëve sikur na e bënte më të lehtë vuajtjen e dënimit. Pjesën më të madhe të ditës e kalonim në punë të obligueshme, ndërsa kohën e lirë kryesisht duke lexuar. Një pjesë të librave i gjenim në bibliotekën e burgut, ndërsa pjesën më të madhe e merrnim nga jashtë. Në atë kohë, të burgosurit ordinerë maqedonas nuk kishin kufizime dhe mund të fusnin brenda burgut pothuajse çdo gjë. Ne shfrytëzonim këtë “të drejtë” të tyre ashtu që i paguanim ata të sillnin për ne librat që na interesonin. Autoriteteve dhe gardianëve të burgut u pengonin edhe librat e mjekësisë, ndërsa unë arrita që përmes pagesës t’i marr librat më të rëndësishëm të mjekësisë, duke krijuar kështu një bibliotekë të vogël. Në atë kohë në dhomën time sollën një djalë të ri nga Mitrovica. Edhe ai ishte student i mjekësisë dhe i dënuar politik, por njëkohësisht ishte edhe një piktor i mrekullueshëm, saqë të gjithë i thoshin se ka gabuar profesionin. Unë ia jepja atij librat që i interesonin, ndërsa një ditë, pas orarit të punës, ai ma kthen librin e fiziologjisë të Guytonit që ia kisha huazuar dhe më thotë: “ a të pëlqen”? “Çfarë ka për të më pëlqyer”, i thashë unë, “është libri që të kam dhënë”. “Po shihe njëherë mirë”, m’u drejtua ai. Pasi hapa kapakun, në faqen e parë ai kishte vizatuar një portret të Skënderbeut, imitim i bustit të Odhise Paskalit. Ishte një pikturë e mrekullueshme. Këtë libër e ruaj në shtëpi si një nga kujtimet më të mira të atyre viteve.

KOHA: Keni studiuar në Prishtinë, më pas vendosët të studioni në Zagreb. Pse kjo lëvizje, universiteti ishte më cilësor, apo për shkak të përndjekjeve politike?

HAXHIREXHA: Studimet i fillova në Universitetin e Prishtinës, deri sa mbarova vitin e dytë. Më kujtohet se tre muaj para se të arrestohem dhashë provimin nga lënda e anatomisë, që për ne studentët e mjekësisë mbahet si një nga provimet më të rënda. I madh ishte gëzimi im asokohe, por, fatkeqësisht, shumë i shkurtër. Pas daljes nga burgu situata politike në Jugosllavi ishte shumë e rënduar (për koincidencë i ngjasonte shumë situatës aktuale në Maqedoni), dhe kjo situatë ishte përkeqësuar, veçanërisht në Kosovë. Gjithnjë e më shumë përflitej se Universiteti i Prishtinës do të mbyllej. Fillimisht u përpoqa të vazhdoj studimet e ndërprera në Prishtinë, por kjo gjë ishte pothuajse e pamundur për mua, si një ish i dënuari politik, i sapodalë nga burgu. Ishte fati im dhe i shumë studentëve tjerë nga Kosova, por edhe Maqedonia, që në atë kohe Universiteti i Zagrebit tregoi mirëkuptim dhe na mundësoi vazhdimin e studimeve atje. Është fakt se Universiteti i Zagrebit, me një histori mbi treqindvjeçare, ishte nga universitetet më prestigjioze në Jugosllavi dhe unë pata fatin të regjistrohem dhe të përfundoj studimet, fillimisht ato deri diplomiket, ndërsa më vonë edhe shkollën trevjeçare të doktoraturës (nga viti 2000 deri në vitin 2003). Megjithatë, asokohe edhe Fakulteti i Mjekësisë në Prishtinë ishte nga shkollat më serioze dhe me kërkesa të larta ndaj studentëve. Aty ligjëronin profesorët më prestigjioz nga Universiteti i Tiranës dhe Beogradit dhe nga ai fakultet kanë dalë shumë mjekë të mirë. Mjafton që sot të bësh një vizitë në qendrat spitalore të të gjitha qyteteve shqiptare dhe do gjesh plot mjekë të mirë, profesionistë të zotë, të diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Druaj se mjekë me përgatitje të tillë profesionale shumë shpejt do t’u mungojnë qytetarëve shqiptarë.

 

KOHA: Në një nga proceset zgjedhore, bashkëqytetarët e juaj ju përkrahën në masë të madhe. Përse veproni larg vendlindjes me gjithë këtë simpati të dibranëve?

HAXHIREXHA: Jo në një, por në disa procese zgjedhore kam pasur përkrahjen e parezervë të bashkëqytetarëve të mi, për çka unë u jam mirënjohës. Besoj se ky respekt reciprok vazhdon akoma edhe më tutje. Në sytë e disa qytetarëve dibranë duket sikur jam larguar nga Dibra, por në fakt unë jam i ndarë mes Tetovës, ku punoj dhe kaloj një pjesë të ditës dhe Dibrës, ku vij çdo pasdite dhe qëndroj pranë familjes sime. Dibra është pjesa më e dashur, por edhe më e dhimbshme e jetës sime. Atje kam kujtimet më të paharrueshme të fëmijërisë, atje çdo gur i rrugëve më sjell në mendje një gëzim dhe një ëndërr të fëmijërisë sime. Me dibranët jam i lidhur ngushtë emocionalisht, ndjej një kënaqësi të veçantë sa herë që ndonjëri prej tyre më drejtohet për ndonjë hall shëndetësor dhe kërkon të vijë për mjekim në Tetovë.

KOHA: Është thënë se në vend të Ali Ahmetit do të ishit Ju. Nëse kjo ka qenë e vërtetë, përse nuk ndodhi që ju të ishit përfaqësues politik i UÇK-së? Kuptohet nëse kjo është e vërtetë!

HAXHIREXHA:  Është kjo një temë e gjerë dhe komplekse që nuk mund të sqarohet në kuadër të një interviste, por kërkon një tribunë me më shumë pjesëmarrës, apo një studim në formë të një monografie. Ajo që mund të them për momentin është se në atë kohë kemi qenë në kontakte të përhershme me z. Ali Ahmeti. Në marrëveshje me të, që para fillimit të konfliktit të vitit 2001, ne themeluam Partinë Demokratike Kombëtare (PDK), ndërsa më pastaj unë mora një detyrë të rëndësishme në kuadër të UÇK-së. Pas përfundimit të konfliktit dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, raportet tona patën periudha të largimit dhe afrimit, kryesisht si pasojë e mospajtimeve dhe vërejtjeve për disa pozicionime dhe vendime politike të miratuara nga ana e BDI-së. Megjithatë, këto vërejtje dhe dallime mbeten në planin politik.

KOHA: Cili është mendimi juaj, përse shqiptarët janë kaq të përçarë?

HAXHIREXHA: Nëse numri i madh i subjekteve politike shqiptare llogaritet si përçarje, atëherë duhet pasur parasysh se edhe në bllokun politik maqedonas ka shumë subjekte, të cilat mbase nuk janë kaq të zëshme sa ato shqiptare, por janë prezent në skenën politike. E njëjtë është situata edhe në shumë vende tjera të rajonit si Kosovë, Shqipëri, Kroaci, Serbi etj. Megjithatë, më të rëndësishme duket se janë arsyet e kësaj gjendjeje të krijuar. Ne ndër vite jemi përfaqësuar nga dy subjekte, të cilat garonin mes vete se cila nga ata është më kombëtare, në ndërkohë që secilës prej tyre gjatë qeverisjes i ndodhnin skenarë antishqiptare, nga më monstruozet. Ndër vite liderët e partive tona nuk e kanë parë të arsyeshme t’u drejtohen qytetarëve nga foltorja e parlamentit, përkundër shumë ngjarjeve të rënda dhe tronditëse, prej të cilave çdo qytetar shqiptar është ndjerë i kërcënuar dhe pas të cilave ka pritur me padurim të dëgjojë fjalën e përfaqësuesve të tyre, që ata liderë me paraqitjen publike t’u japin qytetarëve kurajë dhe optimizëm, t’u tregojnë mundësitë për daljen nga ato situata të vështira, ndërsa qeveritarëve maqedonas t’u përcjellin mesazhin e qartë se askujt nuk i lejohet të luajë me fatin e këtij populli. Ndër vite pjesa dërmuese e deputetëve tanë janë të heshtur dhe nuk janë asgjë më shumë, përpos se rrogëtarë në parlament. Përpara situatave të këtilla është e natyrshme që të ketë përpjekje qytetare për të ndryshuar këtë gjendje amullie ku jemi zhytur. Kjo nuk është asgjë më shumë se sa një reagim normal i shpirtit të ndrydhur qytetar. Është e vërtetë se prania e shumë subjekteve politike rrezikon përçarjen e votës shqiptare dhe si rezultat mund ta ul numrin e deputetëve shqiptarë në parlament, por kjo gjendje e krijuar mund të rrisë kualitetin e përfaqësimit tonë. Çdo subjekt i ri përpiqet të përfshijë në radhët e veta individë të aftë dhe me autoritet në rrethet nga vijnë. Mirëpo, një situatë e këtillë mund t’i kthjellojë lidershipet e dy partive parlamentare, të cilat seriozisht rrezikohen për t’i ruajtur pozitat e veta. Përpara realitetit të ri të krijuar, në skenën politike edhe ato do të tentojnë të ristrukturohen dhe të përfshijnë në radhët e veta persona të nderuar, me guxim të mjaftueshëm intelektual, për të mbrojtur interesat e qytetarëve që i përfaqësojnë. Mes kuantitetit dhe kualitetit unë gjithmonë pozicionohem në favor të kualitetit. Më mirë tre deputetë të zëshëm se dhjetë rrogëtarë në parlament. Uroj që të gjitha partitë politike shqiptare, qofshin ato parlamentare ose joparlamentare, të vjetra ose të reja, të mëdha apo të vogla, të esëllohen dhe të na japin përfaqësues dinjitoz për kuvendin e ardhshëm republikan.

KOHA: Ju keni qenë i përkushtuar ndaj profesionit, shqiptarëve, politikës. Sa i jeni përkushtuar familjes suaj?

HAXHIREXHA: Familja mbetet gjëja më e shtrenjtë për mua, vendi ku pas një dite pune të lodhshme dhe plot strese gjej prehje, ambient, i cili më qetëson si me magji. Kjo është edhe arsyeja kryesore se përse çdo ditë mezi pres të mbaroj obligimet në punë dhe të kthehem pranë familjes sime. Jam i lumtur që kam dy fëmijë, të cilët angazhohen që çdo gjë në jetë ta arrijnë përmes punës.

KOHA: A ia vlejti që të sakrifikoheni aq shumë, për çështje kombëtare dhe gjithçka që keni dhënë ju, në sfera të ndryshme të jetës?

HAXHIREXHA: Jeta e një individi nuk është asgjë në krahasim me fatin e një populli. Gjithë kombet më të mëdha të botës kanë historitë e tyre të mbushura plot e përplot me luftëra për liri. Liria dhe demokracia të cilën e gëzojnë ata sot është ngritur mbi gjakun e shumë heronjve të tyre. Më kujtohet nga një udhëtim në Londër, kur vizitova Kishën e Uestminsterit, aty ku janë kurorëzuar mbretërit anglezë. Në dyshemenë e kësaj kishe ishin varrezat e heronjve si dhe personaliteteve më të shquara të jetës shkencore dhe kulturore të Anglisë. Mbi çdonjërën prej atyre pllakave, poshtë së cilave preheshin eshtrat e këtyre personaliteteve mund të kaloje, por ishte një vend, i cili ruhej 24 orë me roje nderi dhe ku nuk lejohej as të afroheshe – ishte ky varri i ushtarit të panjohur. Sqarimi për këtë ishte se për ekzistencën e mbretërisë dhe shtetit anglez janë sakrifikuar shumë heronj dhe dëshmorë që njihen dhe që nderohen, por njëkohësisht janë sakrifikuar edhe shumë qytetarë të tjerë, emrat e të cilëve i di vetëm Zoti – të tillët meritojnë respektin maksimal. E tillë është edhe historia e kombit tonë – plot e përplot me heronj dhe dëshmorë, që i njohim dhe i respektojmë, por nuk duhet të harrojmë kurrë se ka edhe shumë bashkëkombës tanë, të cilët kanë kontribuar dhe sakrifikuar, mbase edhe më shumë, për çështjen kombëtare, por që emrat e tyre i di vetëm Zoti. Ndjej kënaqësi të veçantë dhe jam shumë krenar, që sadopak kam kontribuar në rrugëtimin e popullit tim drejt lirisë dhe një të ardhmeje më të mirë.

 

Loading...