Katalunja, udhëheqësi i “Pavarësisë” del para gjyqit

Mijëra mbështetës mbushën rrugët para një gjykate në Barcelonë të hënën, ndërsa ish-presidenti katalanas Artur Mas doli para gjyqit. Ai akuzohet për përfshirje në referendumin jo zyrtar të krahinës katalanase për pavarësinë në nëntor të vitit 2014, transmeton Top Channel.

Mas është paditur për mosbindje serioze civile, pasi votimit që u krye duke sfiduar vendimin e Gjykatës Kushtetuese spanjolle. Prokurorët kanë kërkuar që ai të skualifikohet nga detyrat publike për 10 vite.

Kjo është hera e parë që një udhëheqës i qeverisë katalanase del në gjyq. Mas, i cili qeverisi Katalunjën nga viti 2010 deri në 2016-n, është akuzuar bashkë me dy partnerë të tij, pikërisht ish-zëvendëspresidenten Joana Ortega dhe ish-ministren e Arsimit Irene Rigau.

Gjyqi i tyre po përdoret nga mbështetësit e pavarësisë së Katalunjës për të nxitur kauzën e tyre dhe qeveria aktuale e krahinës është zotuar që të zhvillojë një tjetër referendum në shtator.

Ish-presidenti katalanas Mas ka këmbëngulur shpesh se nuk ka asgjë për të kërkuar falje dhe se nuk ka shkelur asnjë ligj, ndërsa u tregua mjaft sfidues para hyrjes në gjykatë. Në referendumin e 2014-s, më shumë se 80% e votuesve mbështetën pavarësinë, por vetëm 2 nga 5.4 milionë katalanasit me të drejtë vote morën pjesë në të.

Loading...