Katër policë e rrahin shqiptarin nga Tetova në Shkup, para syve të gruas e bëjnë për spital

Një 42 vjeçari nga Piroku i Tetovës ka përjetuar një rast të tmerrshëm me policinë në afërsi të fshatit Gllumovë të Sarajit. Siç e ka informuar më vonë policinë, 42 vjeçari me iniciale D.K. është ndalur nga policia në vendin e quajtur “Gllumovë” nga katër policë, ku është sulmuar fizikisht dhe më pas është dërguar në stacion policor. Pas lirimit, ai ka marrë vërtetim nga policia për lëndimet që i janë shkaktuar, shkruan Gazeta Lajm.

“Më datë 03.09.2018 rreth orës 21 e 40 minuta, D.K. (42) nga fshati Pirok, Tetovë, ka denoncuar se duke u kthyer me veturë nga Shkupi në Tetovë, në lokalitetin ‘Gllumovë” është ndalur nga katër policë. Ata, sipas denoncimit, fillimisht e kanë legjitimuar 42 vjeçarin, bashkëshorten dhe vjehrrën e tij, e më pas kanë kërkuar ta hapë bagazhin dhe fizikisht e kanë sulmuar. Pas kësaj, D.K. është arrestuar dhe një orë është mbajtur në Njësinë policore në Saraj. Pasi është liruar, ka kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin klinik të Tetovës, ku është ndalur për kurim të mëtejmë. Për rastin menjëherë është njoftuar Sektori për kontroll të brendshëm, hetime kriminalistike dhe standarde profesionale pranë Ministrisë së punëve të brendshme. Po ndërmerren masa për ndriçim të plotë të rastit”, thuhet në njoftimin zyrtar të MPB-së.

Loading...