Kërkesë në mbrojtjen e drejtësisë

Kjo kërkesë u drejtohet atyre që në shpirt dhe në zemër kanë LIRINË, DREJTËSINË dhe HUMANIZMIN, jetojnë, luftojnë dhe sakrifikojnë për këto vlera universdale të përbotshme të njerëzimit, JO atyre që i shkelin, i përbuzin dhe i djegin në zjarrin dhe në flakën padrejtësisë për interesa të tyre të ngushta mbikombëtare dhe mbishtetërore

Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Zotërinj të nderuar intelektualë akademikë dhe profesorë, presidentë dhe kryeministra shqiptarë,

Në dhjetorin e vitit 2017, pata nderin t’iu drejtohem me kërkesën (jo për të kërkuar lëmoshë dhe ndihmë sociale për veten), për t’i shprehur opinionet e juaja lidhur me padrejtësinë 20-vjeçare të Shqipërisë për moszbardhjen e vrasjes së pjesëtarëve të UÇK-së : Ilir Konushevci, Dr. Hazir Mala dhe Ahmet Krasniqi në Tropojë dhe Tiranë të Republikës së Shqipërisë (1998).

Konsideroj se flijimi i këtyre heronjve për lirinë e Kosovës ka prekur sadopak ndërgjegjën e juaj etike, humane, shkencore dhe patriotike, që postmortem, të paktën t’i thoni ca fjalë kundër padrejtësisë së heshtur 20-vjeçare, që u është bërë këtyre heronjve shqiptarë, të cilët nuk kursyen jetët e tyre, që ne sot, të jetojmë në liri.

Mirëpo, deri më sot, 5 maj 2018, nuk denjuat të ktheni asnjë përgjigje, por unë sërish kam nderin, që për hir të drejtësisë dhe të interesit të përgjithshëm kombëtar shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike, t’iu lus që ta merrni në konsideratë kërkesën time, të dërguar në adresat e juaja elektronike zyrtare dhe private.

Mbase, shtetarë dhe akademikë të nderuar ua kemi borxh dëshmorëve heronj të lirisë së Kosovës, që edhe post mortem, të kërkojmë drejtësi për zbardhjen e vrasjes së tyre politike në zemër të Shqipërisë (1998-2018).

-Opinionet e juaja vlerësuese në temën: A DUHET, DHE, KUR DO TË FLASË DREJTËSIA E SHQIPËRISË PËR ZBARDHJEN E KËTYRE VRASJEVE, do të përfshihen si kaptinë e veçantë në Monografinë time krahas dy kaptinave të tjera, që përbëhen nga shkrimet autoriale disa autorëve dhe bashkëluftëtarëve të heronjve Ilir Konushevci, Dr. Hazir Mala dhe Ahmet Krasniqi.

Si Einsteini, jo si Urali dhe si Sadedin Kopeku!

Nëse jemi intelektualë, shkencëtarë, patriotë, altruistë, vlera (në dimensione ndërkombëtare) dhe liridashës të vërtetë, duhet të logjikojmë dhe të veprojmë kombëtarisht dhe drejtësisht, duke ndjekur shembullin progresiv dhe human të nobelistit të shquar Albert Einstein, jo logjikën primitive të errësirës së kohës së sulltanëve, të cilët therrnin, spiunonin, grabisnin, kidnaponin, tradhtonin dhe vrsinin njëri-tjetrin, që të fitonin fronin e sulltanit, ashtu sikurse ishte emiri renegat dhe sadist i selçukëve, Sadedin Kopeku, i cili ishte verbuar nga padrejtësia, që me çdo kusht të bëhej “sulltan” duke hequr koka të njerëzve të pafajshëm, që luftonin për mbrojtjen e drejtësisë.

Pra, të mos fundosemi në ujërat e turbullta të errësirës shumëshekullore të “sulltanatit” dhe të “luftëtarëve të ferrit” të Bizantit, POR ta ndjekim shembullin e ndritshëm human të nobelistit të famshëm, Albert Einstein, i cili, botërisht ngreu zërin kundër atentatit terrorist vrastar të Albanologut të famshëm, Akademikut Milan Shuflaj, të cilin shërbimi sekret policor serb e pat vrarë, duke pritur tramvajin, pas mbarimit të ligjëratave me studentët në Zagreb, më 1931.

Ndërkaq, ne, në liri si akademikë dhe patriotë po heshtim si qyqet e zeza kundër padrejtësisë 20-vjeçare (1998-2018) ndaj tre dëshmorëve (Ilir Konushevci, Hazir Mala dhe Ahmet Krasniqi), të cilët flijuan jetët e tyre, qe ne të gëzojmë lirinë në Kosovën e pavarur. -Ne me krime të tilla dhe me veprime të tilla të padrejtësisë, po kërkojmë të bëhemi pjesë e Evropës së qytetëruar demokratike dhe aleatë e miq besnikë të Amerikës. Mirëpo, duke fshehur dhe duke mosdenuar krimet e tilla, dyshoj se, një ditë, do të mund ta puthnim altarin e Evropës Perëndimore.

-Andaj, të mos frikësohemi dhe të mos devijojmë nga padrejtësia, sepse mesazhi i librit monografik është ky: Drejtësi për Ilirin, për Hazirin dhe për Ahmetin, pse hesht, dhe kur do të flasë Shqipëria ( 20 vjet kaluan, edhe sa vjet, duhet të pritet verdikti i drejtësisë). Kjo është kuintesenca e subjektit të librit.

Ndërkaq, pjesa e dytë e librit përfshin punimet e publikuara të autorëve të ndryshëm, që kanë shkruar për biografinë jetësore dhe luftarake të Ilirit me bashkëluftëtarët e tij, si dhe kronikën e intervistave, të deklaratave dhe të përvjetorëve etj.

Shpresoj se, edhe koncepti i trajtesës së juaj, do të përputhet me temën e sugjeruar të këtij libri monografik, i cili, në asnjë formë nuk paragjykon aktpadi kundër askujt (sepse nuk jemi investigues e as avokatë të askujt). Për më tepër, kjo monografi nuk është kurrfarë “libri kujtimesh”, POR një Apel njerëzor, human, kombëtar, ndërkombëtar dhe atdhetar, që thërret ndërgjegjen për drejtësi, sepse të të gjithë ua kemi borxh dëshmorëve dhe heronjve, që ia sollën lirinë Kosovës, të cilën ne po e gëzojmë sot.

Ne, si humanistë, pedagogë, shkrimtarë, poetë dhe akademikë, kemi të drejtë dhe për detyrë, që ndër të parët ta ngremë zërin për mbrojtjen e drejtësisë dhe të së vërtetës. Të paktën, edhe postmortem për heronjtë dhe për dëshmorët-vlerat e luftës së UÇK-së.
Fundja, zbardhja dhe mbrojtja e së vërtetës është edhe MISIONI dhe PARIMI THELBËSOR i HUMANIZMIT, i SHKENCËS dhe i DREJTËSISË si vlera universale të botës së qytetëruar.

Loading...