Kosovë-Shqipëri

Kërkimi për të pagjeturit pa intensitetin e duhur

auto_tepagj1492775945

Kosova nis shënimin i javës së të Pagjeturve, me nderime para obeliskut të të pagjeturve të luftës së fundit në Kosovë, raporton KTV.

Edhe këtë vit, familjarët janë shprehur të zhgënjyer me faktin se punët në intensifikimin e të pagjeturve nuk po ecin me ritmin e duhur.

Bajram Qerkini, kryetar i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve, thotë se janë të zhgënjyer e të prekur, kurse serioziteti i politikës të brendshme, të jashtme dhe të ndërkombëtarëve nuk është në nivelin e duhur.

Ai ka përmendur faktin se asnjë ekspert mjeko-ligjor nuk ndodhet në Kizhevak të Rashkës, ku po bëhen gërmime për gjetjen e varreve masive.

Por, kreu i Komisionit qeveritar, Prenk Gjetaj, thotë se beson se në momentin e nevojshëm edhe departamenti i Mjekësisë Ligjore do të shkojë në Kizhevak, por që, sipas tij, për çdo rast atje janë ekspertët e EULEX-it.

Familjarët në nisjen e javës së të pagjeturve kanë adresuar 5 kërkesa, ata duan që ndërkombëtarët t’u bëjnë trysni autoriteteve të Beogradit që të hapin arkivat dhe të tregojnë për vendndodhjen e familjarëve, plotësim-ndryshimin e Ligjit për Persona të Zhdukur, ndërtimin e Memorialit Qendror për të pagjeturit dhe të bëhet zgjidhja për rrobat dhe artefaktet.

Java memoriale që mbahet në kujtim të të pagjeturve mbyllet më 27 prill në Meje të Gjakovës, e cila njihet si masakra më e madhe e bërë në Kosovë, ku në një ditë të vetme u masakruan 376 persona.

To Top