Këshilla për vajzat që duan të bëjnë karrierë…

Beauty
Mos mendoni ta nisni karrierën pa u martuar më parë. Po, po… martohuni dhe pastaj shihni e bëni: po qe bashkëshorti mirëkuptues i keni gjërat në vijë; po nuk qe, taksirati juaj të vajtoni fatin që ju ra dhe të mbylleni në shtëpi për t’i shtuar numrin kësaj popullate…

E dini sa e vështirë është për një vajzë 25-vjeçare të çajë përpara në rrugën e jetës? (Të ecë me meritë dhe bazuar në aftësitë e saj e kam fjalën). E para, nis e bëhet pre e paragjykimeve prej njerëzish parazitë që nuk e dinë ç’është dinjiteti, inteligjenca apo karakteri. Pyetja që shtrohet nuk është “Pse arriti aty ku është?”, por “Si arriti?” Sepse panorama e realitetit tonë na ka mësuar të shohim se synimet arrihen me servilizëm, para, miq… e të tjera veprime ekstreme që nuk m’i nxë goja t’i artikuloj, s’m’i pranojnë parimet dhe i shmang këto thashethemnaja, pasi më bëjnë të ndihem keq ndërsa kuptoj në ç’llum po zhytet shoqëria jonë.

Së dyti, krijon tek njerëzit zilinë, inatin, mllefin; të afrohen për interes e të largohen nga lakmia, se nuk përballojnë dot sesi dikush që kanë pasur për shembull në një klasë për vite të tëra, ndoshta me indiferentizëm nuk i kanë thënë ndonjëherë as “mirëmëngjes” e “mirupafshim”, vjen një ditë dhe realizon qëllimet me vullnetin e forcën e mendjes. “E çfarë kishte ai / ajo më shumë se unë?” – justifikimi i zakonshëm egoist i shqiptarëve.

Së treti, shihesh si “pronë shoqërore”; në një shpjegim paksa banal, je porsi tabelë qitjeje, ku gjithkush ndjen të drejtën të të lavdërojë, të të kritikojë, fyejë, të të thotë çfarë t’i dojë kokrra e qejfit, dmth të “shfryjë” vajtimin për atë që nuk arriti dot.

Ju do thoni pse i them këto dhe për kë i them? Po ja, edhe për veten i kam.

Rininë time e ktheva nga një moshë qejfesh e dëfrimesh, në energji dhe pasion studimi; në vend të harbimeve të zhurmshme pub-eve zgjodha qetësinë që të ofron meditimi pas një leximi të vyer; muzikën e kërkova mes fjalëve; preferova të qëndroj edhe me të vdekurit që do t’mbeten gjallë në përjetësi, dhe nuk e harxhova kohën kot me ata të gjallë që e nesërmja i gdhinte të dehur lokaleve. A jam penduar ndonjëherë pse u rrita para kohe? Pse preferova të flisja në mënyrë filozofike, poetike në vend të trendeve të fundit të “puç – puç, flm, klb, skgj” e të tjera si këto…

Të them të drejtën, ndonjëherë po. Në të paktat raste kur mendoja me veten: “Vazhdo shkruaj vargje se ti do e zbukurosh botën; lexo, studio se ti do i ç’pluhurosësh bibliotekat, kërkoje të pamundurën se do e gjesh brenda vetes. Ah, pika ty!”

“Kaq e re dhe pedagoge?” – pyetja që ende vazhdon të më përndjekë.

Po mor zotëri / moj zonjë, po… kaq e re dhe pedagoge, se për këtë synim e kam lodhur shpirtin gjer në sforcim. Po, e për aq kohë sa nuk më njeh, as mua e as potencialet e mia, kur nuk më ke ndjekur qoftë një orë leksioni, kur nuk e di vlerësimin e studentëve të mi… ç’dreqin ke që e nis pyetjen me ironi?!

“Ua, me siguri je mbesa e X&Y përderisa punon në atë institucion.”

Po mor zotëri/moj zonjë, po… jam mbesa e punës sime! E lidh emrin tim vetëm me atë çka unë si individ përfaqësoj.

Dy këshilla së fundmi, thënë prej një vajze 25-vjeçare, që lodhet çdo ditë të gjejë pak vend për veten në këtë vend-tranzit dhe që i hedh hapat me krenari:

1. Mos e tregoni asnjëherë inteligjencën tuaj para gjinisë mashkullore: Tek të rinjtë do zgjoni frikën; ata tremben ta përfytyrojnë një femër në skajet e perfeksionit. Në ekstremin tjetër moshor do t’ngjallni epshe kafshërore. Ju do jeni idealja për të cilën atyre u ka ikur vakti me kohë.

2. Dhe nëse dëshironi të bëni karrierë, bëhuni pakëz (si ta them me delikatesë) “shtriga”. Unë nuk ja dal dot, se për dreq kam një shpirt me tepër ndjeshmëri poetike, por ju po ia dolët do i bënit nder vetes.

Kaq për sot; do kemi kohë për refleksione të tjera, jetën para e kemi… Beauty

Loading...