Këshilli i BE-së konfirmon datën për negociatat

Këshilli Evropian konfirmoi vendimin e Këshillit të ministrave që në qershor të vitit të ardhshëm t’i lejojë Maqedonisë dhe Shqipërisë të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE. Megjithatë edhe ky vendim i shefave të shteteve anëtare të BE-së si kusht për çeljen e negociatave ka vendosur përmbushjen e reformave prioritare, ndër të cilat në gjyqësor, administratë, shërbime sekrete. Për Maqedoninë kusht shtesë është edhe zbatimi i Marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit. Kryeministri bullgar, Bojko Borisov theksoi se presidenca e Bullgarisë me BE-në nuk do të ishte e suksesshme nëse në rajon nuk do të ishte arritur progres.

E gjithë kjo do të ishte vënë në pikëpyetje nëse nuk do të kishim arritur rezultate që ti hapim perspektivë Maqedonisë dhe Shqipërisë; nëse nuk do të kishim durim dhe këmbëngulje për të arritur rezultate në marrëveshjen për fqinjësi të mirë midis Bullgarisë dhe IRJM-së; gjithçka që bënë kolegët dhe miqtë tanë në Greqi dhe Maqedoni për ndryshimin e emrit dhe kjo jep perspektivë si për në BE ashtu edhe për në NATO dhe vendet e Ballkanit i bën më të suksesshme – deklaroi Bojko Borisov.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk falënderoi Borisovin për këmbënguljen e tij që BE-ja të rifokusohet në rajon.

Arritja kryesore është Samiti i Sofjes, rezultatet pozitive të Samitit. Kjo ishe ide dhe iniciativë personale e Borisovit. Unë isha skeptik në fillim për bashkëpunimin tonë, por Borisov ishte shumë optimist dhe bindës dhe në fund të fundit kishte të drejtë. Ndoshta në Bruksel nuk është aq e dukshme sa në rajon, por mjafton t’i pyesni miqtë tanë në Shkup dhe në Greqi që ta kuptoni se në Sofje arritëm një kthesë shumë të veçantë politike sa i përket të ardhmes evropiane për gjithë rajonin – deklaroi Donald Tusk.

Edhe Ministri i Jashtëm gjerman, Haiko Mas inkurajoi Maqedoninë dhe Shqipërinë që të vazhdojnë me reformat, duke i siguruar dy vendet se do të vazhdojnë ta kenë mbështetjen e Gjermanisë.

Loading...