Kështu nuk thotë Amerika, por burrështetasit e korruptuar që duan ta mbulojnë pafytyrësinë e tyre!

Shkruan: Xhevdet Pozhari

Ambasadorët amerikanë kanë luajtur rol vendimtar në proceset e rëmdësishme nëpër të cilat ka kaluar Kosova, para dhe pas pavarësimit të saj. Një shtet me demokraci të brishtë, me lëgime serioze në fushën e drejtësisë, arsimit dhe shëndetësisë, Kosova ka hyrë në fazën e fundit të dialogut me Serbinë. Së paku, kështu pretendojnë burrështetasit e Kosovës. Deri në këtë pikë nuk u arrit pa kompromise nga më të ndryshmet, shpesheherë edhe më kundërshti të forta opozitare. Por, gjithnjë, fundi thuajse ishte i njëjtë – diçka që kundërshtohej fuqishëm nga një grupacion i caktuar, në fund përkrahej dhe aprovohej nga të njëjtit akterë. Njëjtë ndodhi me LDK – në që e kundërshtonte formatin e bisedimeve që e zhvillonte Hashim Thaçi kryeministër, të cilin më pas e votoi për president që sërish t’ju prijë proceseve të rëndësishme në vend. Njëjtë ndodhi edhe me Ramush Haradinajn, i cili si opozitar ishte ndër kundërshtuesit më të ashpër të demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi, e të cilin vet e votoi në cilësinë e kryeministrin.

Mirëpo, pjesa e “padukshme” e pas kuintave, ishin pikërisht përfaqësuesit e ambasadave, me në krye ambasadorin amerikan.

Që nga koha e Tina Kajdanou, kur Kosova ende nuk ishte e mëveshtshme, e deri më tani kur ambasada përfaqësohet nga Greg Delaëi, roli i ambasadës amerikane ka qenë më shumë se këshillëdhënës. Ndërhyrjet më flagrante ishin të regjistruara pikërisht në kohën kur Christopher Dell ishte ambasador i akredituar në Kosovë. Dhe, mbase Dell, është shembulli më i mirë ilustrues i tërë asaj që ndodh në Kosovë. Për ta zbërthyer këtë, duhet kthyer në retrospektivë, në kohën kur Dell ishte dëshmitar i vjedhjes industriale të votave në një shkollë në Drenicë, apo edhe atëherë kur jepte aprovimin për zgjedhjen e Behgjet Pacollit, president, gjë që u faktua me mesazhet e shkëmbyera midis Pacollit dhe këshilltarit të tij të atëhershëm. Mirëpo, ish ambasadori amerikan, Christopher Dell, mbi të gjitha do të mbahet mend për lobimin e tij që ndërtimin e autostradës Morinë – Merdare ta fitojë kompania amerikane, Bechtel (edhe Enka)! Më vonë, pasi u zhvesh nga posti i ambasadorit, Dell do të pushohej nga puna, një rast i rrallë ky për diplomatët e karrierës. Në një reagim të tij publik, ai do t’i quante “klounë” ata që morrën një vendim të tillë. Dhe shprehje të tilla ofenduese Dell nuk kursente as në Kosovë, ndaj kujdoqoftë që i dilte në udhë. Përkëdhelës ishte vetëm ndaj Hashim Thaçit, e më vonë edhe presidentes Atifete Jahjaga. Vendpunësimi i tij i radhës ishte pikërisht kompania Bechtel! Kjo do të shpjegonte fare qartë arsyet se pse ai sulmonte ish Ministrinë e atëhershme të Transportit sa herë që i vonohej rata e pagesës kompanisë Bechtel, si dhe njëkohësisht funksionimin e shteti të mirëfilltë demokratik siç është Amerika, e cila nuk lejon që përfaqësuesi i saj të ndërtojë marrëdhënie individuale me cilëndo kompani.

E, sot derisa pakkujt i kujtohet emri i ish ambasadorit që para se të vinte në Kosovë, kishte shërbyer në Zimbambve dhe Angolë, “filozofia Dell-iane” vazhdon të jetë e pranishme në Kosovë. Ajo është rrënjosur thellë në mendësinë e funksionimit të institucioneve tona, të ashtuquajtura demokratike! Derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ndëshkuan një përfaqësues të tyre që dyshohej për konflikte interesi, megjithatë, pasojat që prezenca e tij shkaktoi në Kosovë, vazhdojnë të jenë prezente! Ai ishte një prej përkrahësve kryesorë të instalimit të pushtetit të Hashim Thaçit, madje, edhe duke ndërhyrë drejtpërdrejtë në procese zgjedhore për të sulmuar kundërshtarët e tij “në emër të Amerikës”. Diplomati që shërbeu në Kosovë nga viti 2009 – 2012, si ambasadori i parë i shtetit amerikan në Kosovën e pavarur, dëshmoi atë që e dinë thuajse të gjithë, se shtete post – transitore si Kosova janë shtrat i përshtatshëm për shtrirje të korrupsionit! Dhe se të korruptuari veprimet e tyre të dëmshme para përkrahësve të tyre i mbulojnë me “kështu tha Amerika”! Se të tillët për ta fshehur paaftësinë e vet, janë në gjendje të njollosin edhe miqtë!

Sidoqoftë, shteti i Kosovës nuk do të ekzistonte pa përkrahjen amerikane. Nëse sot frymojmë dhe shprehim mendimet tona, vlen thënia se i detyrohemi “Zotit në qiell dhe Amerikës në tokë”. Mirëpo, në këto procese të brishta demokratike nëpër të cilat kalon Kosova, ndërsa administrata e presidentit Donald Trump e ka bërë lëmsh pozicionin diplomatik të ShBA-ve në botë, populli i Kosovë sot më shumë se kurrë ka nevojë që të çlirohet nga politikanë që e kanë humbur edhe pushtetin mbi vetveten! Pra, Amerika si djep i demokracisë do të duhej të na mësonte se vlerat “demokratike” të një burrështetasi shqiptar nuk do të duhej të mateshin vetëm me koeficientin e ultë të inteligjencës, nënshtrimin, dhe të njerëzve pa integritet e dinjitet. Të paktën, të na mundësojnë ta vendosim një standard minimal, aq sa mos të turpërohemi nesër nga fëmijët tanë që i rritem në një shtet që udhëhiqej nga njerëz që për ta shpëtuar lëkurën e tyre, ishin në gjendje ta shesin ardhmërinë e vendit.

Loading...