Komisioni Evropian pritet që të publikoj Raportin e Progresit më 17 prill, me ç ‘rast do të transmetohen edhe vlerësimet për progresin e arritur vjetor si dhe do të bëhet krahasimi i progresit të arritur në Maqedoni me progresin e arritur në shtetet tjera të rajonit.

Organizatat joqeveritare që merren me euroitegrimet thonë, se në këtë raport pritet të përshëndetet puna e qeverisë sa i përket disa reformave, dhe se tani priten porosi më konkrete dhe më serioze sa i përket integrimit të vendit.

Goran Lazarov nga Qendra për strategji evropiane “Eurothink”, thotë se në raport pritet të ketë porosi të rëndësishme me afate konkretë për realizim.

“Pritja kryesore nga raporti vjetor i Komisionit Evropian është që ai duhet të tërheq kushtin drejt rekomandimit për hapjen e bisedimeve. Shtesë, raporti me siguri do të përshëndet sukseset e shtetit, por ama edhe do të porositë një listë seriozë të detyrave konkrete që priten të kryhen në periudhën e caktuar”, tha, Lazarov.

Ai shtoi se do të flitet edhe për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, por duke marrë parasysh se për këtë do të duhet të zgjidhet çështja e emrit, ky rekomandim do të bëhet në formë më të qetë dhe të matur.

“Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një periudhë të re të politikës së zgjerimit, veçanërisht pas përvetësimit të Strategjisë për zgjerimin me Ballkanin Perëndimor, dhe mund të flitet edhe për aderimin e Maqedonisë. Megjithatë kjo do të bëhet në një formë të varfër, duke marr parasysh që gjithçka varet nga tejkalimi i problemit me ermin”, shtoi Lazarov.

Aleksandra Ivanovska nga Institutit për Politika Evropiane thotë se ky raport pritet të jetë më pozitiv nga ai i viteve të kaluara.

“Presim të përshëndeten punët e bëra nga ana e qeverisë për reformat kyçe, veçanërisht në fushën e gjyqësisë dhe administratës publike si dhe adresimin e rekomandimeve që ishin të theksuara në raportin e Pribesë. Gjithashtu presim që në mënyrë pozitive do të vlerësohet edhe bashkëpunimi rajonal. Besoj që në këtë raport do të theksohet ecja pozitive, në krahasim me raportet e mëparshme, dhe se do të ofrohen drejtime më të qarta dhe afate konkrete veçanërisht në sundimin e të drejtës dhe demokracisë”, tha për Portalb, Ivanovska.

Ajo shtoi se nuk duhet të harrojmë se rekomandimet për fillimin e bisedimeve nuk është asnjë lloj garancie dhe ne duhet t’i përkushtohemi reformave në shtëpi.

“Ngelet të shikohet se a do të përmban raporti rekomandim për fillimin e bisedimeve dhe a to të jenë ato të kushtëzuara me procese të reformave apo bashkëpunimit rajonal. Megjithatë nuk duhet të harrojmë se rekomandimet për fillimin e bisedimeve nuk është asnjë lloj garancie dhe ne duhet t’i përkushtohemi reformave në shtëpi, pavarësisht kushteve që vendos Evropa”, tha Ivanovska.

Ndërkaq Zv/kryeministër për Çështje Evropiane Bujar Osmani vlerëson për Alsat M se raporti do të përmbaj edhe vërejtje për mos-harmonizimin e plotë të legjislacionit të vendit me atë të BE-së, për shkak të mungesës së opozitës në Kuvend. Gjithsesi ai pret që Komisioni Evropian të vlerësojë pozitivisht programin qeveritar të reformave të njohur si “Plani 3-6-9” dhe veçanërisht të theksohet vullneti i shumicës parlamentare për të reformuar gjyqësorin dhe për të ndaluar ndërhyrjen e ekzekutivit në gjyqësor.

Pas publikimit të Raportit vjetor të Komisionit Evropian, i paralajmëruar për më 17 prill, Maqedoninë pritet ta vizitojnë Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federika Mogerini dhe Eurokomisari për Zgjerimi dhe Fqinjësi të mirë, Johanes Han.

Loading...