Koço Angjushev nuk do t’i fitojë paratë nga ELEM-i

ELEM do ta anulojë tenderin ku merr pjesë kompania e zv/ kryeministrit Angjushev, mëson Alsat M. Shkak për këtë vendim është se shumat e ofruara për furnizimin e shiritave transportues në ankandin e sotëm të tretë, tejkalojnë buxhetin prej 4.2 milion euro, që ELEM e planifikoi për këtë ankand publik.

Vendimi final për epilogun e tenderit, për të cilin u ngrit pluhur i madh në opinion, duhet ta merr komisioni tenderues gjatë javës së ardhshme, por siç mësojmë kjo sipas të gjitha gjasave do të jetë vetëm formalitet.

“Feroinvest” përmbushi premtimin dhe nuk hoqi dorë nga tenderi në kompaninë shtetërore edhe krahas reagimeve në opinion se bëhet fjalë për luftë interesash. Kompania në të cilën njëri prej pronarëve është Angjushev, në ankandin e sotëm ka ofruar çmim më të ulët për 2 nga gjithsej 5 zërat në thirrjen publike. Në zërat tjerë çmimi më konkuruese ofruan kompani nga Polonia dhe Serbia.

Zv/ kryeministri Angjushev mban qëndrimin se asgjë nuk është kontestuese në këtë rast, por kryeministri Zaev dje dha deklaratë simptomatike ku i ftoi mediat që me kujdes ta ndjekin procesin.

“Unë nuk jam këtu që të flas për ndërmarrjet, sepse ajo ka sektorin e menaxhimit të saj, drejtorë ekzekutiv të cilët mund të raportojnë për kompaninë e caktuar. Ju mund të lajmëroheni në kompaninë në fjalë dhe të kuptoni gjithçka çfarë ka të bëjë me të”, tha Angjushev.

Ndërkohë që kryeministri Zaev, bëri thirrje që procedura e marrjes së tenderit të kësaj ndërmarrje por edhe të ndërmarrjeve të tjera, krahas respektimit të dispozitave ligjore duhet të shikohet edhe në aspekt të respektimit të vlerave etike.

“E rëndësishme është përfshirja e Angjushevit në Qeveri por e rëndësishme është se ndërmarrjet të vazhdojnë të funksionojnë dhe të punësuarit të marrin rrogë. Është temë aktuale dhe unë ju rekomandoj që ta ndjekni procesin. Ekzistojnë ligje të cilat besoj se nuk do të shkelen, por kjo nuk mjafton. Pjesa etike është e rëndësishme po ashtu. Nuk mund të lejojmë që individët të cilët vijnë nga ndërmarrjet të jenë shkaktar të dëmtohen ndërmarrjet e tyre. Por kjo nuk është shkas që të lejohet diçka joetike. Duhet gjithçka të jetë transparente deri në fund”, tha Zaev

Nga ELEM tani për tani nuk ka qëndrim zyrtar, duke pasur parasysh se ankandi elektronik ka zgajtur deri në orën 15 e 30 minuta. Paralajmëruan se gjatë ditës do ta njoftojnë opinionin për detajet e tenderit

Loading...