Deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi – Xhaxhi ka kërkuar që të ndërpritet pagesa e të gjitha harxhimeve të rrugës për deputetët dhe se ata të udhëtojnë në mënyrë të organizuar me autobus, trena, taxi apo furgonë. Këtë e ka propozuar në kuadër të seancës ku po diskutohen harxhimet e rrugës të deputetëve, pas disa raporteve të publikuara investiguese. “Unë do të propozoj amendament për heqjen e plotë të harxhimeve të rrugës për të gjithë funksionarët, nëse duam shtet demokratik, ministrat le të vijnë në punë me biçikleta, drejtorët me autobus, ndërsa deputetët le të organizohen me automjet taxi, me furgon, me autobus me tren. Ta provokojmë opinionin dhe gazetarët e pranishëm këtu të cilët për fat të keq merren vetëm me deputetët”. Deputeti Ademi pranon se në Qeveri ka shumë drejtorë dhe funksionarë anonim që askush nuk i di e që bëjnë harxhime marramendëse.

Deputetët e partive tjera e vlerësojnë si joserioz dhe paushall këtë paraqitje të Xhevat Ademit. “Ndoshta deputetët e BDI-së marrin para prej tenderave, prandaj edhe nuk e kanë problem nëse nuk marrin para për harxhime rruge. Kjo çështje kërkon qasje më serioze, që të gjejmë zgjidhje e cila do të pamundësojë manipulimet, por do të plotësojë nevojat reale të zgjedhurve të popullit”, thotë një deputet për Gazetën lajm, duke dashur të mbetet anonim.

“Deri sa të jenë licencat për autoshkollat, deputetëve të BDI-së nuk u nevojiten para për harxhime rruge!”, ka shtuar një deputete tjetër, me përgjigje poashtu thumbuese, por pa sqaruar se pse në këtë rast përmend “licencat për autoshkollat”.

Loading...