Kombëtarja nis stërvitjen

Kombëtarja rikthehet sërish në qëndrën stërvitore të Durrësit, grumbullimi i parë për kuqezinjtë pas kualifikimit në Euro 2016. Të besuarit e trajnerit Gianni De Biasi nisën punën për dy miqësoret e radhës në Kosovë dhe në “Qemal Stafa” kundër Gjeorgjisë. Trajneri italian që tashmë duhet të nisë një fazë të re me Kombëtaren, nis punën për t’u paraqitur denjësisht në evenimentin klu do të marrin pjesë 24 skuadrat më të mira të kontinentit. Përveç fytyrave të reja, Veseli e Manaj, gjithçka në grupin kuqezi duket se shoqërohet nga rutina e përhershme. Shumë më pak tension dhe buzëqeshje e përshëndetje të shpenguara nuk mungojnë nga çdo lojtar që zbret në tapetin e gjelbër të kompleksit “Tropikal”, aty ku skuadra Shqiptare u stërvit gjatë çdo seance në prag të sfidave eleminatore. Të parët që zbritën në fushë për të startuar zyrtarisht seancën stërvitore ishin Ajeti, Aliji, Gjimshiti, Memushaj, Basha dhe Veseli, ndërsa Hysaj dhe Xhaka treguan sintoni të plotë me njëri tjetrin. Skuadra u plotësua me mbërritjen e të gjithë lojtarëve dhe trajnerit Gianni De Biasi, i cili u zhvendos menjëherë në mesfushë për të nisur punën. Dy mungesat e vetme të stërvitjes së parë ishin Lorik Cana dhe Amir Abrashi, të cilët do të bashkohen me grupin vetëm gjatë orëve të vona të mbrëmjes së martë, ndërsa Bekim Balaj e ndoqi stërvitjen nga stoli edhe pse mjekët e kombëtares sigurojnë se bomberi shkodran do të jetë i gatshëm për sfidën e Prishtinës. Fillimisht, trajneri italian u përqëndrua te loja me top ku zgjodhi Memushajn, Bashën, Gjimshitin dhe Xhakën për të aplikuar disa nga skemat që ai ka planifikuar të ndërtojë për sfidat e radhës.

 

Veprime të shpejta me top, pasime vertikale dhe shumë shpejtësi në në aksionet e lojtarëve të përzgjedhur nga italiani. Pjesa tjetër u vendos nën urdhrat e përgatitësit atletik dhe pas disa minutash grupi u bashkua sërish për një ndeshje në familje. Në fushë të reduktuar lojtarët e ndarë në dy grupe punuan në veprimet me topin. Një seancë stërvitore që hedh themelet e projektit që De Biasi ka në kokë për skuadrën që do të përfaqësojë Shqipërinë në Euro 2016. Rruga për një tjetër kapitull sapo ka nisur, grupi kuqezi do të marrë formë dalëngadalë pasi do të jetë trajneri ai që do të thotë fjalën e fundit për emrat tek të cilët do të besojë në evenimentin historik për skuadrën që shkroi historinë.

Loading...