Kombi dhe feja nuk janë mall që shitet lirë në pazar

Arbër Çeliku

Pavarësisht se sot po shfaqen ca kreatorë allasoj, mbase me synimin latent dhe ziliqar, për të prishur balancën shekullore fetare ndër ne shqiptarët, e cila është një dhe e vetme në botë dhe është për t’u lakmuar edhe nga popujt më të qytetëruar të botës, të cilët në korpusin e tyre historik kanë ende imazhe të tmerrshme të luftërave të gjata fetare midis vete, prapëseprapë ata nuk do t’ia dalin ta fusin pykën e përçarjes ndër ne shqiptarët, sepse si për të krishterët ashtu edhe për myslimanët, kombi ka qenë dhe do të mbetet prioriteti ynë kryesor. Këta, të cilët sot, po i pyete çfarë janë: të krishterë, myslimanë, ateistë a agnostikë, nuk të japin dot përgjigje, ngase vërtetë nuk e kanë definuar veten dhe e kanë të vështirë ta definojnë çfarë, në të vërtetë janë, po përpiqen, për arsyet që vetëm ata i dinë, ta zhbëjnë traditën e Rilindasve, traditën e dashurisë dhe sakrificës për vëllanë dhe traditën e bashkëjetesës fetare në paqe ndër ne shqiptarët. Për më tepër këta, pa fijen e turpit dhe në frymën e kundërt me At Gjergj Fishtën, i cili në situatën më kritike për shqiptarinë, pohonte: “Në rast se ata nuk na duan ne në një shtet të vetëm, pasi na thonë se shqiptarët qenkan musliman,
atëherë ne Kristianët do ti shkrijmë kryqet tona dhe do ti bëjmë fishekë, me i mbrojtë vëllaznit tanë musliman shqiptarë”, denjojnë që elementin islam ta bastardosin në mënyrën më të keqe të mundshme, duke shfrytëzuar si alibi elementin konservativ, të pranishëm në çdo fe të botës. Vërtet gëzohem që kjo qasje është e njëanshme, sepse ende nuk kam rastisur të dëgjoj asnjë pjesëtar shqiptar të fesë islame, qoftë edhe ai më konservativi, të dalë e të hedhë helm e vrerë mbi shqiptarët e krishterë. Kjo duhet t’u shërbejë si shembull këtyre kreatorëve, të cilët kanë probleme me gjetjen e identitetit të tyre, ose thjeshtë, janë në shërbim të djallit…

Loading...