Më shumë se interesave të qytetarëve, partitë shqiptare janë duke i kushtuar rëndësi marrëdhënieve me publikun nëpërmes rrjeteve sociale. Takimet e shpeshta me qytetarët ata gjithnjë e më shumë po i zëvendësojnë me komunikimin virtual. Ata nuk po kursejnë asgjë për të reklamuar aktivitetet e tyre nëpër rrejte sociale me qëllim për të mbajtur lidhjet me votuesit.

Sipas profesorit Sefer Tahiri nuk është për tu habitur ky fakt, pasi rrjetet sociale tashmë kanë hyrë në jetën e çdo qytetari dhe kjo nuk mund të mbetet pa u shfrytëzuar nga politikanët, të cilët bëjnë gjithçka për të ruajtur rejtingun në elektorat.

“Është shumë normale që politikanët të jenë koherent me zhvillimet më të reja me politikbërjen e cila vë në spikamë atë që është projekt, ide apo mendim politik dhe artikulim përmes komunikimit publik. Por, vlerësoj se kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër duhet të jetë e bazuar tek realiteti objektiv sepse nuk mundet të ketë politikbërje të mirë vetëm me promovim, propagandë, apo përmes marrëdhënieve me publikun (PR-së), sepse atëherë do të kemi disproporcion mes asaj që është deklarative, promovuese dhe asaj që është reale. Prandaj, konsideroj se duhet të ketë një lloj proporcionaliteti midis PR-së, propagandës dhe midis rezultateve konkrete, të cilat arrihen dhe në këtë drejtim pavarësisht që kohën e sotme po zhvillohen shumë rrjetet sociale dhe komunikimi i politikanëve është më i lehtë, sepse gjithashtu duhet të përmendim një gjë që, sot politika bëhet përmes medieve, rrjeteve sociale… Nuk mund të pritet si në të kaluarën që politikanët të takohen me qytetarët dhe se është e pa arritshme që gjithmonë me çdo votues veç e veç dhe nuk mund të pritet që si në kohën e kaluar të bëhet politikë ku ekzistonin sheshe të mëdha dhe votuesit mblidheshin në to dhe shprehnin idetë politike”, deklaroi Tahiri për Lajm.

Tahiri thotë se nëse shikohet nga ana tjetër duhet thënë se komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarin mbetet i pa zëvendësueshëm. Prandaj ai, konsideron që krahas PR-së, propagandës në rrjetet sociale, politikanët duhet të kenë parasysh se duhet të kenë komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarin dhe duhet ta dinë se ata janë në funksion të qytetarëve e jo qytetarët në funksion të tyre.
Profesoresha universitare Gjyla Çeliku thotë se fotografimi para kamerave dhe reklamimi nëpër rrjetet sociale të janë thjesht vetëm një përpjekje e dëshpëruar për prominencë, një shfaqje boshe që, fatkeqësisht, te qytetarët ka një kundërefekt, për më tepër, shkaktojnë një reaksion negativ.

“Imazhi tashmë i zbehur, si rrjedhojë e veprimeve të mangëta në të kaluarën, nuk përmirësohet dot përmes shoueve allasoj, por përmes angazhimit dhe veprave konkrete. Qytetarët janë lodhur me këto fenomene, ata duan të jetojnë në qetësi, të kenë rrugë të pastra, hapësira të gjelbëruara, siguri në komunikacion, shërbim korrekt administrativ, shëndetësi të mirë, trajtim jo selektiv përpara ligjit, shanse të barabarta të punësimit dhe përfaqësimit, jetë të mirëqenë. Këto duhet të jenë sot prioritetet kryesore të politikës, pra ajo njëherë e përgjithmonë të çlirohet nga njëmendësia se populli duhet të jetë në shërbim të saj dhe të vihet domosdoshmërish në shërbim të popullit, i cili ia ka besuar veten për ta përfaqësuar denjësisht”, deklaroi Çeliku për gazetën “Lajm”.

Së fundmi kemi paraqitje skenike të disa politikanëve që janë larg realitetit. Në fakt ajo që paraqitet nëpër rrjetet e tyre sociale është kamuflim i realiteti ose kompleks i tyre për të qenë në qendër të vëmendjes edhe aty ku nuk janë kompetent. Shembull i keq janë edhe kumtesat e disa ministrive, që i bëjnë kumtesat në formë të shkruara, bashkëngjitur me plotë foto, e plotë premtime pa asnjë vepër konkrete.

Loading...