Kongresi Botëror Maqedonas ka bërë thirrje publike për protestë paqësore përpara Ministrisë së Punëve të Brendshme në ora 13:00.

“KBM me këtë protestë do të kërkojë nga Ministria e Punëve të Brendshme që të sigurojë kushte për ndërtimin e kryqit në Butel, ta kthejë lokacionin dhe të ndërmerr masa për personat që e kanë dëmtuar parcelën e ndërtimin”, thuhet në njoftimin e KBM-së.

Nga VMRO-DPMNE kanë apeluar që të gjithë ata që do të dalin në protestën në fjalë, të jenë të qetë dhe të kenë respekt ndaj gjithë institucioneve paqësore.

Përndryshe, partia në pushtet BDI ditë më parë doli në protestë kundër vendosjes së kryqit gjigand që planifikohet të vendoset në Komunën e Butelit i cili kohë më parë mori lejen nga Komuna e Butelit dhe u vendos guthemeli. Kjo parti pas protestave të së enjtes, prishi gurthemelin e tij dhe kaloi një natë në tenda.

Nga ana tjetër, një grup maqedonas “shpëtues” të kryqit mbrëmë kanë tentuar tu afrohen tendave të BDI-së, mbrëmjen e së premtes, duke sulmuar kështu dy herë kordonin policor. Forca të mëdha të policisë i janë kundërvyer protestuesve duke stopuar ata për të shkuar mëtutje drejt kampeve të BDI-së, 3 polic mbetën të lënduar. Situata më pas është qetësuar ndërsa Koordinatori i Komisionit kundër ndërtimit të kryqit dhe nënkryetari i BDI, Izet Mexhiti mbrëmë ka njoftuar se është arritur marrëveshja për mos ndërtimin e kryqit.

Sot nga Qeveria e Maqedonisë kanë thënë se informata që Qeveria e ka anuluar vendimin për vendosjen e kryqit në Komunën e Butelit është e pasaktë.

“Nuk është sjellë vendim i tillë mbrëmë, bile s’ka pasur as seancë. Plotësisht e demantoj spekulimin e tillë”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Aleksandar Gjeorgjiev.

Loading...