Që nga nisma e pluralizmit kur filloi instalimi i demokracisë, kërkesat objektive të shqiptarëve u bën mollë sheri për maqedonasit përkatësisht për opozitën maqedonase pavarësisht cila ishte ajo vmro-iste apo lsdm-iste. Pozita nuk mund të merrte iniciativën për pajtimin e madh të shqiptarëve dhe maqedonasve sepse tek shqiptarët e shihnin rrezikun

Xheladin Murati

1.
Maqedonia sot është një oazë dilemash e idesh sepse i imponohet ndërrimi i emrit historik e kombëtar. Kjo historikisht dhe politikisht nuk është korrekte as e drejt. Mejgithatë edhe nëse ndodh ky ndërrim, të pranohet emri Republika e Maqedonisë (Shkupi). Për të trajtuar temën e titulluar më lartë, gjithsesi në formë pyetjeje, kam parasysh tri premise:
E para, në Maqedoni është zgjuar entuziazmi për kohë të reja. E dyta, Maqedonia është e interesuar të bëhet pjesë e bashkësisë së civiiizuar të shoqërive evropiane. E treta, emri i përkohshëm i shtetit (FYROM – IRJM) kërkon ZGJIDHJE dhe ZGJEDHJE. Kjo kërkon syçeltësi, përgjegjësi dhe vendosmëri. Dhe mbi të gjitha kërkon konsensus.
Megjithatë, në qasjen time jam tepër skeptikë ndaj zgjidhjes së problemit parësor siç është çështja e emrit për shkak të presioneve nga brenda dhe jashtë. Thjesht nuk është lehtë të ndërrohet emri. Kjo edhe për arsye se populli do të rrij rehat e ta bëj qejfin e tij pa prishur terezin.
2.
Ndërtimi i një Maqedonie të Re të përbashkët dhe rëndësia parimore e marrëdhënieve të mira mes shqiptarëve dhe maqedonasve është e kahershme, madje është faktori parësor i stabilitetit dhe ekzistencës së tërësishme të saj. Që nga nisma e pluralizmit kur filloi instalimi i demokracisë, kërkesat objektive të shqiptarëve u bën mollë sheri për maqedonasit përkatësisht për opozitën maqedonase pavarësisht cila ishte ajo vmro-iste apo lsdm-iste. Pozita nuk mund të merrte iniciativën për pajtimin e madh të shqiptarëve dhe maqedonasve sepse tek shqiptarët e shihnin rrezikun. Megjithatë hapi i parë për rindërtimin e Maqedonisë si shtet i përbashkët i maqedonasve dhe shqiptarëve pa mos i përjashtuar edhe etnitetet e tjera duhet të jet partneriteti cilësor midis shqiptarëve dhe maqedonasve. Emri i ri duhet të shpreh realitetin ekzistues të dy shtyllave bartëse të shtetit: shqiptarët dhe maqedonasit.
Faktikisht, maqedonasit duhet të ushqehen nga një besim i vërtetë ndaj shqiptarëve duke ndërtuar raporte të sinqerta, klimë mirëbesimi dhe barazi kombëtare. Për këtë nevojitet pragmatizëm dhe vizione postkomuniste. Në themel të besimit ndaj shqiptarëve duhet të jenë marrëveshjet për statusin kushtetues-juridik, për gjuhën, për historinë, për barazinë kombëtare dhe për zhvillimin e barabart rajonal.
Në fakt këtë rrugë e pengojnë ose e ngadalësojnë disa elemente apo forca e grupacione nacionaliste poashtu maqedonase: Së pari, politika maqedonase gjendet midis vizioneve largëpamëse dhe interesave të padeklaruara nacionale. Së dyti, në politikën maqedonase ekzistojnë mosmarrëveshje serioze mes partive politike posaçërisht midis pozitës dhe opozitës maqedonase. Së treti, ka mosmarrëveshje dhe motive të padeklaruara ndaj shqiptarëve.
Momenti është ideal për të bërë një kthesë në politikën e Maqedonisë. Eshtë ajo situatë e ndërlikuar, por duhet të fitohet nga ajo. Të shmangen me kujdes situatat që përfshinë rrezikun e keqkuptimeve. Entuziazmi dhe vetëbesimi te shqiptarët dhe maqedonasit do të bëjnë që të vazhdon drejt projekteve ambicioze të cilat Maqedonia i ka si synim. Angazhimi i politikës parimore do të shpërblehet në qoftë se nuk shkëputeni nga qëllimi i caktuar tashmë. Vetëm një vetëdije e re ju bën të mbani këmbët në mënyrë të vendosur në tokë.
3.
Një ndryshim, edhe pse jo i lehtë, do të duhet të trajtohet me syçeltësi, vendosmëri në politikëbërjen dhe vendimmarrjen. Politika e Maqedonisë është para një marrëveshjeje që nuk të bindën se duhet të mbyllet menjëherë. Në këtë drejtim duhet të ndërmerren dy hapa: Hapi i parë është të përkrahet iniciativa për pajtimin e madh mes pozitës dhe opozitës maqedonase nga njëra anë dhe asaj brenda shqiptare nga ana tjetër. Dhe hapi i dytë, është ndërtimi i partneritetit të sinqertë mes maqedonasve dhe shqiptarëve për integrim në familjen evropiane nëpërmes një marrëveshjeje për të mbyllur temat e hapura që krijojnë ndjenjën e inferioritetit të shqiptarëve ndaj maqedonasve dhe që nxisin skepticizëm.
Ekziston edhe hapi i tretë, aktualisht më i rëndë, më i vështirë, më i rëndësishmi me implikime historike, politike e kombëtare. Cështja kruciale për Maqedoninë dhe qytetarët e saj është ZGJIDHJA dhe ZGJEDHJA e emrit, që të dyja bashkërisht, e imponuar nga fqinji jugor. Kjo çështje që zvaritet plot 25 vite, aq sa zgjat edhe pluralizmi në shoqërinë tone mbetet zvarë. Cështja e pagëzimit të Maqedonisë kërkon epilog definitiv. Ka ardhur koha të merren masa strikte që të paktën të zgjedhet çështja e emrit, thjesht ta dime si do të quhet. Kjo është çështje e çështjeve e politikës në Maqedoni. Pavarësisht kush e drejton apo do ta drejtojë politikën në Maqedoni është detyrim të reflektohet kujdesshëm para se të hidhet çdo hap. Drejtuesit e politikës duhet të tregohen të matur në mënyrë që të mos ketë tronditje. Situata kërkon sjellje më realiste gjatë vendimeve, pa emocione, me gjakftohtësi. E them këtë për arsye se në planin politik e kombëtar do të ketë shumë tronditje. Kjo imponon domosdon që për gjithçka të flitet me popullin, me qytetarët, me partneret politik e kombëtar.
Hija e fitores tejet e mundimshme do të jetë ëndrra e shumëpritur për një ekzistencë të plot e reale që më në fund do të lejoj protagonistin të mbështes këmbët në tokë, ndërsa të hedh pa rreshtur shikimin nga qielli. Dhe ai që do ta nënshkruaj emrin e ri (të mohoj atë që ishte e që ështëmaqedon), meriton respekt të veçantë. Kjo mbase ngaqë nuk e pranojmë të vërtetën, humbasim vetveten.
4.
Duhet të bëhen shumë përpjekje gjatë kësaj periudhe ofanzive për të rruajtur harmoninë dhe kohezionin social-politik. Prandaj është e nevojshme të krijohet vizion më realist për të evituar tensionet e rënda politike, sociale dhe etnike. Në dritën e këtyre mendimeve më duket se mund të konkludojmë se përparimi i arritur në politikën tonë është evident dhe se, si i këtillë, paraqet një bazë të mirë për zhvillim dhe stabilitet. Konsensusi duhet të jetë mënyrë veprimi kurse konflikti veprim që i takon të kaluarës.
Po e përfundoj me një thënie domethënëse: “E ardhmja i takon vetëm atij që harron urrejtjen dhe mbjell dashurinë” – Gëte.

Loading...