Burim ramadani

Burim Ramadani

1)Përmirësimi i kapaciteteve institucionale; 2) Aspekti legjislativ; dhe 3) Koordinimi shoqëror janë të domosdoshme për të ngritur nivelin e sigurisë publike dhe nacionale në Kosovë.

Tri fusha duhet të përmirësohet në mënyrë të shpejtë dhe konkrete. Duhet ndërmarrë veprime të qarta institucionale, në mënyrë që Kosova të rris sigurinë në raport me rreziqet e rritura nga sulmet terroriste.

Përmirësimi i kapaciteteve institucionale, Aspekti legjislativ dhe Koordinimi shoqëror janë të domosdoshme për të ngritur nivelin e sigurisë publike dhe nacionale në Kosovë. Normalisht, veprimet në këto tri fusha nuk e zëvendësojnë në asnjë moment domosdoshmërinë për ndërtimin e Programit Kombëtar kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Terrorizmit, për De-Radikalizim dhe Rehabilitim. Ky Program i madh kombëtar është thelbi i orientimit institucional dhe shoqëror në raport me përballjen me lëvizje të ndryshme ekstremiste që çojnë në terrorizëm.

 

Përmirësimi i kapaciteteve institucionale

Kosova duhet të themelojë Qendrën Koordinuese Ndër-Institucionale kundër Ekstremizmit dhe Terrorizmit. Ky mekanizëm do të lehtësonte dhe do të kishte për qëllim shpëndarjen e informacioneve në kohë reale (24/7) midis të gjitha institucioneve të sigurisë, të zbatimit të ligjit, institucioneve qeveritare relevante, Parlamentit, bashkësive fetare, komunave, shoqërisë civile, ekspertëve të studimeve të sigurisë, ekspertëve të studimeve religjoze dhe ekspertëve të studimeve sociale.

Kjo Qendër do të ishte një mekanizëm i shpërndarjes së informacioneve në nivel profesional dhe do të punonte me metodologjinë e kohës reale. Një prej qëllimeve do të ishte përpjekja e përbaskët e të gjitha agjencive dhe institucioneve për të ofruar burime, ekspertizë dhe informacione për Qendrën, në mënyrë që të maksimalizohen kapacitetet institucionale për të vërejtur, parandaluar, hetuar dhe përgjigjur ndaj aktiviteteve të ekstermizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Qendra Koordinuese do të kontribuonte në Shpëndarjen e Informacioneve përmes rolit të saj në pranimin e informatave kërcënuese nga të gjitha agjencitë dhe institucionet, si dhe analizimit të këtyre informatave në kontekstin e ambientit për secilën fushë në Kosovë.

Qendra Koordinuese, po ashtu, do të pranonte informacione nga burime të ndryshme dhe do të ndihmonte institucionet e sigurisë në të gjitha nivelet për të identifikuar dhe adresuar kërcënimet e menjëhershme dhe kërcënimet në zhvillim.

Qendra Koordinuese do të lehtësonte trajnimet për këtë çështje për të gjitha institucionet dhe aktorët relevantë.

Kjo Qendër do t’i raportonte në baza të rregullta Presidentes së Kosovës.

 

Aspekti legjislativ

Kosova duhet të hartojë disa ligje të reja, që në mënyrë specifike ndihmojnë në sigurinë publike dhe atë nacionale.

Ligji për Ndalimin e Mbulimit të Fytyrës në Publik është kthyer në një nevojë parandaluese dhe rregulluese për sigurinë publike. Një ligj i tillë është i rëndësishëm për të parandaluar çfarëdo lloj mbulimi të plotë të fytyrës në publik, që i pamundëson identifikimin e personave qoftë nga institucionet e sigurisë, qoftë nga publiku, qoftë nga kamerat e sigurisë. Aspekti rregullues i këtij ligji do të përcaktonte qartësisht të gjitha llojet e mundshme të mbulimit të fytyrës në publik.

Ligji për Infrastrukturën Kritike duhet të procedohet dhe miratohet në afat sa më të shpejtë. Kosova duhet të qartësojë saktë dhe detajshëm identifikimin e të gjitha elementeve të infrastrukturës kritike, sikurse edhe standardet për sigurinë e tyre.

Jo vetëm ktëo ligje janë të nevojshme, porse këto të dyja duket se janë të domosdoshme për fazën e tashme.

Koordinimi shoqëror

Tashmë, duhet kaluar në një stad të ri të ndërtimit të koordinimit ndër-partiak dhe shoqëror në këtë çështje të rëndësishme për sigurinë publike dhe nacionale. Tek e fundit, kjo temë nuk është dhe nuk duhet të shihet në aspekt selektiv. Është çështje nacionale dhe publike.
Prandaj, do të duhej të ndërtohej një lloj Tryeze Nacionale që do të dakordohej në nivel parimor dhe të përgjithshëm rreth kësaj teme të rëndësishme.

Koordinimi shoqëror do të përfshinte edhe një program të veçantë të trajnimeve për institucionet, agjencitë dhe kompanitë e ndryshme në Kosovë, me theks të dallueshëm edhe në trajnimet për Kompanitë private të sigurisë.

Loading...