Korrigjimi i kufijve, Maloku tregon rreziqet

Eksperti i sigurisë, dhe Gjenerali i UÇK-së, Naim Maloku mendon se, inicimi nga ana e Presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufirit apo këmbimin e territoreve me Serbinë, përveç që është antikushtetuese dhe antishtetërore, bartë në vete edhe rreziqe të paparashikuara për të ardhmen e Republikës së Kosovës.

“Për mendimin tim është tepër e paanalizuar mirë dhe tejet idiotësi të mendohet që, edhe nëse ndodhë korrigjimi- këmbimi i menduar nga Thaçi, që Serbët që do të mbesin në jug të lumit Ibër do të rrinë duarkryq dhe të pajtohen me mbetjen e tyre brenda Kosove. Kush e mendon që Serbët e komunave Graçanicë, Novobërdë, Kllokot, Partesh, Shtërpcë… do të pajtohen qetësisht dhe pa kërkesa shtesë për statusin e tyre, deri te shkëputja nga Kosova, ka gabuar rendë”, thotë Maloku.

Ai pohon se, ky do të jetë pra burim i destabilizimit total të brendshëm të Kosovës me pasoja të paparashikuara edhe për vet ekzistencën e Kosovës shtet.

“Në një destabilizim të tillë faktori ndërkombëtar do të ndërhynte me forcë, që destabilizimi mos të reflektohej në rajon, dhe do të krijohej situata kur do të zhbëhej Shtetësia e Kosovës dhe territori i saj, pa të gjitha komunat me shumicë serbe duke e përfshi edhe Goren, të i bashkohet Shqipërisë. Ky skenar i filluar nuk ka gjasa të jetë ide e shqiptarëve dhe në dobi të tyre. Skenar dhe interes i Serbisë është ky”, potencon Naim Maloku. (INA)

Loading...