“Kosova, bebe dyvjeçare, ka shpresa për t’u rritur”

 

Përfaqësuesja e Kosovës ka të ardhme të ndritshme, por momentalisht është ende “e vogël” për të synuar diçka të madhe. Kështu mendon përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës Bernard Challandes, i cili thotë se po mundohet ta ndërtojë një ekip solid, i cili do të mundë të arrinte suksese në të ardhmen, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

“Kosova është një bebe. Është vetëm dyvjeçare. Ka shpresa për t’u rritur dhe për t’u zhvilluar. Duhet të rrimë të qetë, duhet të bëjmë çmos për të fituar, por duhet të jemi të qetë dhe të kujdesshëm. Kosova ka të ardhme. Mua më duhet të rri shumë i qetë. Për një shans për kualifikim në Evropian ose në Botëror duhet të përgatitemi për disa vite. Kjo nuk bëhet për një ditë, për një javë ose për një muaj”, deklaroi Challandes.

Ai ka kërkuar respekt ndaj kundërshtarëve dhe nuk mendon se Kosova është favorite në këto duele.

“Kundërshtarët tanë Malta, Azerbajxhani e Ishujt Faro nuk janë Kroacia, Anglia ose Belgjika, por asnjë ekip i madh nuk ka arritur t’i mposhtë Ishujt Faro 6:0 për shembull. Edhe Azerbajxhani është ekipi më mirë i klasifikuar në listën e FIFA-s”, përkujton ai. “Ne nuk duhet të mendojmë që jemi shumë të fortë dhe që mund të fitojmë lehtë pasi e kemi mundur Shqipërinë. Duhet të jemi të kujdesshëm”, përfundoi Challandes. /Zëri

Loading...