Kosova kërkon burrat me mustaqe dhe gratë me gërsheta për Ditën e Pavarësisë

Njëri prej organizatorëve të marshit “Burra me mustaqe” në Kosovë, fton edhe këtë vit të merrni pjesë në marshin e 28 Nëntorit. Milot Hasimja beson që do të gjejë përkrahje, pavarësisht se organizimi i vitit 2012 nuk do të përsëritet kurrë.

Keni njoftuar që edhe këtë vit do të mbahet marshi “Burra me mustaqe”?

Po vazhdojmë një traditë të cilën ë nisëm në 100 vjetorin e deklarimit të Pavarësisë së Shqipërisë. Një ngjarje e cila nuk i ka përmasat që i kishte para disa viteve, mirëpo, që gjithsesi po e vazhdon traditën që po e bëjmë më disa djem të Prishtinës.

A keni bërë ndonjë planifikim apo kush do dhe kush është i gatshëm mund të marrë pjesë?

Si gjithmonë mbledhja e jonë do të jetë me 28 nëntor. Kësaj here kemi vendos që të mblidhemi në ora 11 : 00, të shtunën më 28 nëntor për shkak se janë edhe protestat e paralajmëruara. Kjo po e prish pak festën tonë mirëpo secili e ka të drejtën e vet, të drejtën të protestojë

Vitet e kaluara kishit shumë Burra me Mustaqe në marsh, a prisni edhe këtë vit prani të njëjtë?

Jo “Burrat me Mustaqe”, nuk do të jetë ndoshta asnjëherë sikurse ka qenë në vitin 2012. Asokohe ka patur njerëz të cilët kanë ardhur madje edhe prej shteteve si Norvegjia, Suedia, e shumë vende të tjera për tu bërë pjesë e festës. Duket se shqiptarët janë shumë euforik, impulsiv dhe shndërrohen në patriot vetëm kur ofrohet ndonjë festë apo lojë futbolli, ditët tjera janë qytetarë të pandërgjegjshëm të cilët fare nuk e donë vendin e tyre.

Si nisi ky marsh, e kujt ishte idea (Nëse keni pasur ndonjë bashkëideator) dhe si vendoset ta realizoni?

Ideja e “Burrat me Mustaqe” ka nis në Neë York, nga Artrit Bytyçi, ai i cili kishte nis një iniciative. Ajo shumë shpejt u bë pjesë e një iniciative lokale të Kosovës, duke mbledhur mijëra burra me mustaqe. E falënderojmë Artritin që na dha këtë iniciativë e cila është shndërruar në traditë. Në po atë vit, pra në vitin 2012, për ti mos i lënë anash gratë apo femrat tona, i mblodhëm edhe Gratë me Gërsheta.

Pse Burrat me Mustaqe?

Pse “Burrat me Mustaqe”, sepse nëse i shkojmë fotografitë e kohës apo burrave që e shpallën pavarësinë e Shqipërisë atëherë do të shohim që secili prej tyre ka mustaqe apo mjekër. Kjo na ka shty që ti rregullojmë mustaqet, të përkushtohemi për to, të kalojmë kohë para pasqyrës ndërsa më 28 nëntor ti shfaqim para opinionit tonë.

A planifikoni që ta përsërisni çdo vit me 28 nëntor?

Po derisa të ekzistojnë shqiptarët kjo festë pa përfitime do të mbahet. Ne nuk kërkojmë as fonde e as famë, ne kërkojmë respekt për burrat dhe gratë që e ndihmuan këtë vend ta shpall pavarësinë vet. /Gazeta Express

Loading...