Kosova nuk kaloi në UNESCO, por as Serbia kurrë nuk do të kalojë në Kosovë!

 

Prof.Dr. MEHDI HYSENI

Rezoluta 1244 dhe Plani-6 Pikësh i Ban Ki Moon-it, JO Kosovës në UNESCO!

Fare nuk jam i befasuar nga JO-ja e UNESCO-së për Kosovën, sepse e kam të ditur që, derisa të jenë fuqi Rezoluta 1244 e KS-së së Kombeve të Bashkuara, si dhe Plani-6 Pikësh i Ban Ki Moon-it, të  cilin qeveria e Hashim Thaçit e pat përqafuar pa asnjë rezervë, Serbia do të përplaset me Kosovën, duke kërkuar që të rivendosë sovranitetin e saj kolonial mbi Kosovën.  Për këtë qëllim, edhe janë duke u zhvilluar negociatat  mes Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel  (2013-2015). Pikërisht duke u bazuar në këto dy dokumente të Kombeve të Bashkuara, që si njëra, ashtu edhe tjetra, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Fatkeqësisht këto dy dokumente kanë mbështetje juridike, politike dhe diplomatike pikësëpari nga Kombet e Bashkuara, si dhe nga Bashkimi Evropian (BE) në bazë të së cilave, edhe u krijua hapësira politike dhe diplomatike, që palën kosovare dhe palën serbe t’i ulin tete a tete  në bisedimet në Bruksel. Kjo është fatkeqësia dhe padrejtësia, që po e sfidojnë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Jo “lufta e ftohtë”, por  dialogimi i Prishtinës dhe i Beogradit në Bruksel mbi bazën e Rezolutës 1244 dhe  të Planit-6 Pikësh të Ban Ki Moon-it, i thanë, JO Kosovës në UNESCO!

Beogradi, Moska dhe Pekini nuk lobuan  kundër Kosovës në UNESCO duke u bazuar në recidivat  e  “luftës së ftohtë”, por duke u mbështetur dhe justifikuar Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila ende është valide për OKB-në, edhe pse Kosova ka shpallur pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008, dhe, tanimë  është njohur nga 109 shtete të bashkësisë ndërkombëtare.

-Rezufimi  i kërkesës së Kosovës nga UNESCO-ja nuk ka asnjë pikë takuese me  “luftën e ftohtë”, por me mbështetjen e kolonializimit të Serbisë mbi Kosovën dhe mbi territoret e tjera autoktone të Shqipërisë Etnike (Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe Novi  Pazari…etj.).

-Pra, barrierë e hekurt  për  aderimin e  Kosovës në UNESCO dhe në OKB, pa dyshim se,  janë këta dy faktorë kryesorë: (1) Rezoluta 1244 dhe  (2) Plani-6 Pikësh i Ban Ki Moon-it, që përbëjnë bazën juridike të MOSNJOHJES së pavarësisë së Kosovës. Pavarësisht nga fakti se këto dy dokumente janë “prodhim juirdik”  i OKB-së, të mbështetura edhe nga BE-ja bien ndesh me normat, me parimet dhe me rregullat e së drejtës ndërkombëtare, si dhe me Opinion  pozitiv vlerësues të GJND-së (22 korrik 2010) se pavarësimi i Kosovës  është plotësisht në frymën e së drejtës ndërkombëtare.

Kjo, në asnjë aspekt nuk ka të bëjë me kurrfarë “lufte të ftoftë”  të ish-shteteve bllokiste Lindje-Perëndim (1948-1989), por me kolonializimin e vjetër gjenocidal  shekullor të Serbisë  në Kosovë (1912-1999).

Prandaj, duhet ta kemi   parasysh faktin e qëndrueshëm  se,  derisa  të mos shfuqizohen  (1) Rezoluta 1244 dhe   (2) Plani 6-Pikësh i Bak Ki Moon-it, Kosova  nuk do të pranohet në OKB, as në  institucionet e saj, siç është edhe UNESKO-ja, e cila e la jashtë Kosovën, ashtu sikurse Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkauara.

Sa më sipër, janë gjepura dhe diletantizëm sui generis  “poterat” dhe “shamatat” se  gjoja  Kosova ngeli jashtë UNESCO-së, kinëse për shkak të rivalitetit dhe të mosmarrëveshjeve të dikurshme të luftës së ftohtë të dy superfuqive botërore (SHBA dhe Bashkimi Sovjetik). –JO, kjo nuk është e vërtetë as juridike, as  politike, as  gjeopolitike e  as gjeostrategjike, por një  përpjekje dhe tendencë për të  justifikuar politikën dhe diplomacinë dështuese shqiptare në Ballkan, që për  më se një shekull (1912-2015) asnjëherë Kosovën nuk e kanë trajtuar, as debatuar në planin kombëtar, as në atë ndërkombëtar si çështje të pazgjidhur koloniale.

        “Zajednica serbe”  ia mbylli dyert Kosovës në UNESCO, jo “lufta e ftohtë e perënduar më 1989!

Pra, krahas Rezolutës 1244 së KS të OKB-së  dhe Planit-6 Pikësh të Ban Ki Moon-it, fajtor  kryesor, pse  Kososva nuk u pranua në UNESCO,  është edhe  “ZAJEDNICA” e  Isa Mustafës dhe  e Hashim Thaçit (JO LUFTA E FTOHTË), sepse qeveria e tyre ende  e përfill Rezolutën 1244 të KS të OKB-së  dhe  Planin-6 Pikësh të Ban Ki Moon-it sipas të cilave, edhe sot ( qeveria e Isa Mustafës dhe e Hashim Thaçit po dialogojnë në Bruksel me palën e qeverisë serbe të Beogradit) si dhe në Kosovë veprojnë mbetja e UNMIK-ut dhe EULEX-i, edhe pse Kosova ka shpallur pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008. Mirëpo, këtë nuk e njeh Rezoluta 1244 e KS të Kombeve të Bashkuara.

Pra, OKB-ja, UNESCO-ja  dhe Beogradi nuk e njohin Kosovën, kurse  tandemi Isa Mustafa-Hashim Thaçi e  njohin “Srpska zajednicën” , duke pohuar se “Serbia de fakto dhe de jure e ka njohur Serbinë”. Mirëpo, këto pohime  “papagallistike”  i demantoi UNESCO,  duke mos pranuar Kosovën si anëtare të saj, si rrjedhim i lobimit ndërkombëtar të Beogradit dhe të Moskës, duke u thirrur në Rezolutën 1244 të KS të Kombeve të Bashkuara.

Prandaj,  të mos “rrahim ujë në havan”, se kinëse mospranimi i Kosovës në UNESCO  ka për pasojë “luftën e ftohtë” (SHBA –Bashkimi Sovjetik). –Jo, assesi, por ka vazhdimin e  luftës shumë të nxehtë koloniale të Serbisë kundër Kosovës së pavarur, gjë që kjo luajti rolin kryesor për hedhjen poshtë të kërkesës së Kosovës  në Konferencën e Asamblesë së Përgjithshme të UNESCO-së, bërë në Paris, më 9 nëntor 2015, ku  nga 142 shtete të pranishme, 92 votuan në favor të Kosovës, 29 abstenuan dhe 15 të tjera nuk morën pjesë në votim, duke qëndruar jashtë sallës së votimit.

-Mosarritja e 2/3 të votave  të shumicës dërrmuese bëri që Kosova, të mos jetë anëtare e UNESCO-s. Mirëpo, ky debakël politiko-juridik dhe diplomatik nuk duhet të na shkurajojë, sepse një gjë e tillë, edhe është pritur, duke qenë se Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së, që do të thotë se kjo ende nuk është subjekt i së drejtës ndërkombëtare.

Gjithashtu, një refuzim i tillë dëshmon se  pavarësia dhe sovraniteti i shpallur i Kosovës (17 shkurt 2008), si dhe njohja  e saj nga 109 vende të OKB-së, ende janë atribute të brishta shtetërore, duke qenë se  ende është në fuqi Rezoluta 1244 e KS të OKB-së për Kosovën (10 qershor 1999),  e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Këtë e dëshmon edhe “Mbetja” e  UNMIK-ut në Kosovë, si dhe “Gjashtëpikëshi” i Ban Ki Moon-it mbi bazën e të cilit vepron EULEX-i në Kosovë, si dhe Beogradi zhvillon ngeociata me Prishtinën në Bruksel, pikërisht për zhvlerësimin e statusit politik të Kosovës, kinëse në emër të “normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.

 

 

Loading...