Prof.Dr. Mehdi HYSENI

(I)-Për shkak se Serbia nga OKB-ja nuk u ndëshkua ligjërisht për kryerjen e gjenocidit të saj në Kosovë.

(II)- Dhe, për shkak të politikës së gabuar të krerëve politikë të Kosovës, të cilët në vend se Serbinë ta akuzonin dhe ta padisnin për krimet e saj të gjenocidit, të kryera në Kosovë (1989-1999), ata bënë të kundërtën, pranuan “Fusnotën” e UNMIK-ut dhe “mbetjen” e tij në Kosovë, edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008), duke u përbishtuar në “dialogë” me Serbinë në Bruksel kinse në emër të “normalizimit” të marrëdhënieve me Beogradin.

(III)- Kjo është “dhuratë” e kastave politike udhëheqëse të Kosovës (1999-2018), që nuk morën në konsideratë të drejtën historike, demokratike dhe të vetëvendosjes së popullit shqiptar, që me REFERENDUM, të deklarohej për pavarësinë dhe për sovranitetin e plotë të Kosovës, gjatë periudhës tetëvjeçare të UNMIK-ut, (1999-2008).

Mirëpo, këtë gabim politiko-juridik dhe kushtetues, kastat e theksuara drejtuese të Kosovës, në kundërshtim flagrant me parimet dhe me normat e së drejtës ndërkombëtare, e përsëritën, edhe pas njohjes unilaterale të pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008), duke e mbajtur një pjesë të kontigjentit të UNMIK-ut në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të KS-së së OKB-së (10.06.1999), e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Një raport i tillë joligjor i qeverisë së Kosovës me UNMIK-un, edhe pas shpalljes së pavarësisë, është nonsens dhe, vërtet është ‘RAST SUI GENERIS”, sepse është në kolizion me të gjitha rregullat, parimet dhe normat e së drejtës ndërkombëtare. –Kësi “mishmashi” juridiko-politik , nuk mund të gjesh në asnjë rresht të së drejtës ndërkombëtare e as të Kartës së Kombeve të Bashkuara (1945). Ky është shkaku kryesor, pse OKB-ja nuk e njeh pavarësinë unilaterale të Kosovës, sepse sipas Rezolutës 1244, ende është nën “FUSNOTËN” e UNMIK-ut, edhe pse Kosovën e kanë njohur mbi 100 shtete të OKB-së (2008-2018).

Kosova “rast sui generis” vetëm për doktrinën dhe për praktikën e së drejtës ndërkombëtare

-Ndërkaq, gjenocidi serb në Kroaci, në Bosnjë dhe nuk Kosovë, nuk ka asnjë segment “sui generis”, por është gjenocid klasik sipas së drejtës ndërkombëtare.

-Të tria gjenocidet e Serbisë, të kryera në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë, janë asimetrike vetëm për nga numri i viktimave të shkaktuara dhe i shkatërrimeve të tjera materiale, jo për nga përmbajtja, qëllimi dhe “teknologjia” e shfarosjes së qindra e mijëra njerëzëve të pafajshëm civilë, vetëm pse nuk ishin serbë, të cilët i plaçkitën, i vranë, i masakruan, i krematorizuan dhe i dëbuan nga shtëpitë, nga banesat dhe nga pronat e tyre, me qëllim të fundmë, që t’ua grabisnin territoret e tyre, ashtu sikurse veproi Hitleri me shfarosjen dhe me deportimin e hebrenjve nga shtëpitë dhe nga pasuritë e tyre, gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939-1945).

Kosova është rast kolonial-gjenocidal, jo “rast sui generis”. Ky problem, duhet përmbyllur me Serbinë!

Prandaj, nuk ka asnjë dilemë se Kosova, po të ishte trajtuar si problem kolonial dhe si viktimë e gjenocidit të Serbisë (1912-1999) sigurisht se sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (10.06.1999), do të njihej si shtet i pavarur dhe sovran, jo si “provincë e Serbisë” e as mëpastaj, të njihej si “rast sui generis”, të cilën nuk e njehë as e drejta ndërkombëtare dhe as Karta e Kombeve të Bashkuara, sepse nuk ka kurrfarë baze juridike shkencore.

-Pse kryerja e gjenocidit serb në Kosovë, që shkaktoi mbi 12 mijë viktima në njerëz dhe me shumë dëme e shkatërrime të tjera të pasurisë së paluajtshme, është “sui generis”, e kryerja e dy gjenocideve të Serbisë në Kroaci dhe në Bosnjë me më shumë viktima dhe me më shumë shkatërrime sesa në Kosovë, nuk trajtohen si “raste sui generis”?!

-Sepse asnjëra prej këtyre 3 rasteve të theksuara nuk janë “sui generis”, por vetëm raste gjenocidi, i cili në Kosovë karakterizozhet, edhe nga elementi kolonial 100-vjeçar (1912-1999).

Pra, sipas së drejtës ndërkombëtare, asnjëri prej këtyre tri gjenocideve të Serbisë, të kryera në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë, nuk janë “raste sui generis”, por vetëm 3 gjenocide të dënueshme mbase përbëjnë vepër penale ndërkombëtare. Kjo do të duhej t’i thuhej botërisht Serbisë nga ana e Tribunalit të Hagës së OKB-së (1993-2018) se ka shkelur Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Gjenocidit (1948), të miratuar nga ana e OKB-së, si dhe normat e parimet e së drejtës ndërkombëtare. Në këtë rast, OKB-ja mban përgjegjësinë më të madhe për tolerimin dhe për mosndëshkimin e tri gjenocideve të Serbisë, të kryera kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës (1990-1999), sepse arbitrarisht shpërfilli Konventën e theksuar për parandalimin dhe për dënimin e krimit të gjenocidit, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e saj (1948). Ky është nonsens politik dhe juridik i pajustifikueshëm për të drejtën humanitare ndërkombëtare.

S’ka dyshim se OKB-ja si autore dhe miratuese e Konventës së saj kundër gjenocidit, do të duhej ta ndëshkonte Serbinë për tri gjenocidet e kryera kundër kroatëve, myslimanëve dhe të Bosnjës dhe kundër shqiptarëve në Kosovë, jo ta amnistonte për krimet e saj kundër njerëzimit, duke kërkuar forma të tjera joligjore për normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me tri vendet e theksuara fqinje, gjoja, sikur të mos kishte ndodhur asgjë e keqe dhe e tmerrshme mes tyre (1990-1999)!

-Ia vlen të theksojmë se, të tri gjenocidet e Serbisë, të kryera në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë janë plotësisht simetrike sipas përkufizimit të nocionit të gjenocidit, të sanksionuar në “Konventën Ndërkombëtare mbi Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, më 9 dhjetor 1948, dhe të hyrë në fuqi më 12 janar 1951”.
-Ja se çfarë thuhet në përmbajtjen e 2 neneve të para të saj: “Palët kontraktuese konfirmojnë se genocidi i kryer qoftë në kohë paqeje, qoftë në kohë lufte, është krim i dënueshëm sipas së drejtës ndërkombëtare. Prandaj, palët kontraktuese janë të obliguara ta parandalojnë dhe ta ndërshkojnë atë.”(Neni 1).
Ndërkaq, në Nenin 2, thuhet : “ Gjenocidi nënkupton cilëndo akt të kryer me qëllim të asgjësimit të plotë ose të pjesshëm të një grupi nacional, etnik, racor ose religjioz:
(a) Vrasja e anëtarëve të një grupi;
(b) Lëndimi i rëndë fizik ose psikik i anëtarëve të grupit;
(c) Nënshtrimi i qëllimshëm i një grupi kushteve të rënda të jetesës, me qëllim të shkatërrimit të plotë ose të pjesshëm fizik;
(ç) Imponimi i masave për t’i parandaluar lindjet brenda grupit;
(d) Ndarja e dhunshme e fëmijëve nga një grup në tjetrin. “ Shih në: http://www.un.org/en/genocideprevention/genocide.html.

Sa më sipër, në përmbajtjen e normave dhe të parimeve juridike të së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara nuk është sanksionuar dhe rezevruar ndonjë e “drejtë speciale” për zgjidhjen e “rasteve sui generis”, kur është fjala për njohjen ndërkombëtare të ndonjë shteti të ri, siç është “rasti sui generis” i Kosovës, të cilën në mënyrë unilaterale e njohu Amerika me aleatët e saj evropianë perëndimorë (17 shkurt 2008).

Pikërisht, kjo çasje e gabuar (Kosova rast sui generis) në aspektin juridik, diplomatik dhe politik ka ndikuar negativisht te shumica dërrmuese e shteteve-anëtare të Kombeve të Bashkuara, që Kosova të mos njihet nga ana e tyre për shkak të dyshimit të bazuar në Rezolutën 1244 (10.06.1999) sipas së cilës Kosova “i përket Serbisë”.

Prandaj, derisa Kosova të trajtohet si “rast sui generis, e jo si rast kolonial-gjenocidal 100-vjeçar (1912-1999), do të ngelë jashtë “familjes” 193 anëtarëshe të Kombeve të Bashkuara, nuk do të njihet si subjekt juridik i së drejtës ndërkombëtare.

Loading...