Maqedoni

Krijimi i Qeverisë së re, sekret për opinionin (Video)

qeveria

VMRO-DPMNE njoftoi se bisedimet e para rreth formimit të Qeverisë do t’i zhvillojë me BDI-në por nuk precizoi se kur do të fillojnë ato. Pas takimit të kreut të VMRO-DPMNE-së Gruevskit me krerët e partive më të vogla të koalicionit “Për Maqedoni më të mirë” u bë me dije se edhe ata kanë shprehur pakënaqësi të shumta rreth platformës shqiptare dhe nuk do të lëvizin nga platforma e tyre zgjedhore.

”Kjo është çështje ditësh. Do të merrni informacione precize nga shërbimet e OBRM-PDUKM-së, me siguri edhe nga partitë tjera se kur do të fillojë. Afatet janë të qarta dhe për këtë mendoj se nuk ka asgjë kontestuese rreth kësaj – deklaroi për Alsat-M Ilija Dimovski, VMRO-DPMNE

Nga kjo parti thonë se pavarësisht se koalicionimi me BDI-në nuk është i mjaftueshëm për t’i siguruar Kuvendit komoditetin e funksionimit të deritanishëm, ata do të përpiqen për funksionim stabil të institucioneve. Nga partia e Ahmetit thanë se akoma po analizojnë opsionet e mundshme dhe konfirmuan se nuk kanë pasur takim me mandatarin dhe me asnjërën nga partitë politike maqedonase. Ndërkohë ditë më parë nuk përjashtuan mundësinë e qëndrimit në opozitë ose formimi i një Qeverie të zgjeruar.

Ish zv/kryeministri Musa Xhaferri në një intervistë për gazetën “Fokus” ka thënë se 20 ditshi i negociatave të mandatarit Gruevski, mund të jetë fazë e re e krizës politike kurse ka shprehur dyshime edhe rreth kushtetutshmërisë për marrjen e mandatit nga OBRM-PDUKM të cilën sipas tij duhet ta shqyrtojnë juristët.

Një qëndrim të ndryshëm nga ai i një dite më parë, kanë dhënë nga Besa. Edhe pse paraprakisht kanë mohuar kategorikisht koalicionimin me Gruevskin, qëndrimi i tyre ka ndryshuar duke thënë që të gjitha opsionet do të shqyrtohen.

”Nuk mbyllim dyert. Në momentin kur do të kemi një ofertë konkrete nga ndonjë subject maqedonas për të marrë pjesë në Qeveri, ne do të shkojmë ne Kuvendin qendror të partitë, do ta analizojmë. Nëse e shohim se Lëvizja besa me deputetët e saj dhe pjesëmarrjen në Qeveri do ta ndihmojë këtë interes të cilin e kemi, gjithmonë bazohemi te interesi i përgjithshëm, nëse jemi të bindur se kështu e ndihmojmë më mirë, do të futemi në Qeveri”– tha Afrim Gashi nga Lëvizja Besa.

Kreu i VMRO-DPMNE-së një ditë më parë mori mandatin për formimin e Qeverisë së re kurse në afat prej 20 ditësh nga marrja e mandatit, është i obliguar që Kuvendit t’i prezantojë një plan për koalicionin qeveritar.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Time limit is exhausted. Please reload CAPTCHA.

To Top