Krimet e diktatorit Hoxha: Gardianët përdhunonin gratë e burgosura

Alida Hisku preferon ta rrëfejë në vetë të tretë pjesën më dramatike të historisë së saj, duke lënë të kuptohen arsyet e qenësishme të një sjellje të tillë. Në rastet e tjera është mjaftuar me një retrospektivë të përgjithshme të persekutimit absurd, pa u futur në detajet e përjetimeve nga dit­netët e qelisë

E bindur se ndjeshmëria sensitive e bashkëvuajtsve mund t’i fsheh përfundimisht gjurmët e këtij krimi monsturioz, këngëtarja e famshme e viteve ‘70 zbuloi për herë të parë në një intervistë për Gazetën Panorama në tetor 2010, një pjesë të skenave rrënqethëse, duke adresuar dhe një apel për viktimat e tyre.

“Kërkojmë të hapen arkivat, por ngurojmë të hapim gojën”, shton ajo duke ju referuar grave dhe vajzave të dënuara, që vazhdojnë të heshtin për inkuizitorët e tyre.

Po çfarë sjellë tjetër Alida Hisku nga skëterra e qelive të diktaturës… Sa kohë zgjatën hetimet në qelitë e Brakës dhe çfarë u provua nga akuza si pjesëtare e grupit armiqësor të Mehmet Shehut?

Akuza fund e krye ishte një marrëzi, por hetuesit e kishin të pamundur të tërhiqeshin. Çfarë nuk përdorën për të zyrtarizuar legjendën e sajuar. Nuk mbaj mend sa dit­netë vazhduan me këtë avaz, sepse gjatë përballjes me ta, në një moment humba arsyen logjikën dhe nuk e di si rrodhën gjërat më tej. Kur jam kthjelluar e kam parë veten në spital, në një dhomë të mbyllur me hekura dhe dryn, gati e njëjtë me qelinë e Brakës. Nuk e di sa kohë kisha aty dhe në çfarë rrethanash më kishin çuar. Ajo që konstatova ishin gjurmët e injeksioneve të shumta, një pjesë e të cilave ishin nxirë e mavijosur…

E gjithë kjo për ditarin e famshëm?

Në fakt, gjatë hetimeve në birucat e Brakës nuk e zunë në gojë historinë e ditarit. E gjithë alibia aty përmblidhej tek përfshirja në rrjetin agjenturor të Fiqirete Shehut. Ditarin, me sa dukej, e kishin kaluar për ta shqyrtuar në linjë partie. Më thirrën e penalizuan për të në komitetin e Partisë së Rajonit Numër Tre.

Nga deshifrimi i shënimeve të hedhura aty, konkludohej për demonstrim të hapur të frymës antiparti nga pozita reaksionare mikroborgjeze. Kjo më kushtoi flakjen nga radhët e partisë, çka nënkuptonte pushkatim politik, që niste me dorëzimin e teserës së anëtarësisë dhe persekutimin pambarim në punë, lagje, shoqëri etj.

Në hetuesi nuk u morën me historinë e ditarit që u kishin rrëmbyer fshehurazi në Konispol?

Çështja për të cilën ngulmonin aty ishte shumë më e rëndësishme nga përmbajtja e shënimeve të ditarit. Që në seancën e parë, në qelitë e Brakës, hetuesit me akuzuan për përfshirje të drejtpërdrejt në veprimtari armiqësore. Ata vinin si përbindësha, përsërisnin të njëjtin refren dhe iknin duke marrë në nënsqetull dosjet e zverdhura. Futeshin dhe dilnin disa herë gjatë ditës, por edhe natën. I kam në sy fytyrat e tyre dhe më shfaqen si atëherë, të egër, brutalë, të poshtër. Të poshtër te Zoti…

Çfarë kujtoni nga ballafaqimi me ta në qelitë e Brakës?

Në fakt, hetuesit me të cilët u përballa në seancat e hetimeve në qelitë e Brakës ishin dy. Njëri, me sa kuptoja, ishte zyrtar i rajonit ku më kishin izoluar dhe në një farë kuptimi e shtynte procesin si me përtesë. Me të nuk isha takuar kurrë. Tjetri, që shfaqej si i tërbuar, ishte i Policisë Sekrete dhe vinte aty vetëm për çështjen time. Kisha pasur me të dikur një histori të pakëndshme. Më kishte ndaluar disa herë në rrugë e më kishte ftuar për kafe. Pas çdo refuzimi, provoja reagimin e tij në formë presioni, duke më kujtuar faktin që ishte oficer i sigurimit. Ndodhi, që kur ia kisha harruar fytyrën prej kohësh, m’u shfaq papritur në qelitë e Brakës. Mu errën sytë kur e pashë. Më uroi fillimisht me cinizëm “mirëseardhjen” me një “Hë zogu, po tani?” dhe vazhdoi me akuzat për tradhti, rrjet agjenturor, grupazh armiqësor etj. Unë e di ç’kam hequr prej tij. E vetme, e drobitur, në një qeli të errët…

Pra, me njërin nga hetuesit kishit pasur më herët një lloj marrëdhënie

Një farë njohje në kushte të padëshiruara, desha të them. Një tip i tillë ishte i njohur pak a shumë edhe nga shoqet e tjera. Ishte një kategori manjakësh nga radhët e sigurimit asokohe që gjurmonin këngëtaret e bukura, duke bërë të pamundurën për t’i shtirë në dorë. Në fakt, me mënyrën si paraqiteshin duke nxjerrë në pah misterin e detyrës, prodhonin jo pak tundim tek to. Të paktën unë, nga aq sa më kanë treguar koleget, di jo pak marrëzira të kësaj natyre. Në mjaft raste, këto soj mostrash merrnin përgjigjen e merituar flakë për flakë, por jo gjithmonë gjuetia e tyre shkonte bosh. Skifterët me kobure e kollare, siç i quanim atëherë, ishin mjeshtër të artit të shantazhit dhe nëpërmjet tij gjunjëzonin viktimat e tyre, duke u vënë në dukje pikat e dobëta dhe kleçkat në biografi. Pastaj, nëna ime…

Kaq e fshehtë ishte një dramë e tillë

Ata shfaqeshin hapur, por me marifete nga më të ndryshmet. Fillimisht me një ftesë për kafe, për të sqaruar ca rrethana delikate, pastaj direkt te oferta bastarde. Më kujtohet mirë sidomos prania e tyre në ditët e festivaleve në TVSH. Asokohe ato ishin eventet kulturore më të rëndësishme dhe njëherazi shërbenin edhe si sfilata bukurie. Për skifterët me kobure, që nuk i lidhte gjë me muzikën, kjo ishte pjesa më e lakmueshme. Harbimi nga privilegjet pa kufi të garantuara nga regjimi, u jepte guximin e çmendur për të pretenduar një lloj pronësie mbi çdo qenie të bukur. Një histori perverse kjo e asaj kohe të zymtë, që njihet pak në mjedisin shqiptar…

Sidoqoftë, ju keni një histori personale me njërin prej tyre?

Ata nuk të shqiteshin kur të vinin në shënjestër. Pak a shumë kështu ndodhi dhe në rastin tim. Shfaqja pasmesnate e atij njeriu të shpifur në birucat e Brakës, kur nuk e dija pse ndodhesha aty, më la të kuptoja se arsyet nuk ishin politike. Në fakt, asnjëherë nuk e mora vesh në ishte rastësi apo pjesë e një operacioni të organizuar prej tij. Përballja me të këtë radhë nuk bënte fjalë për oferta kafesh, apo për biseda intime…

Me një fjalë ai nuk ishte thjesht hetuesi i procesit, por autori i legjendës, protagonisti i kurthit?

Për mua kjo ka qenë e padiskutueshme qysh atëherë. Ca më tepër që ky lloj hetuesi­pervers nuk e fshehu asnjë moment qëllimin monstruoz. Kam pritur prej vitesh që kjo çështje të zbardhet në rrugë zyrtare, por me sa shikoj as ka njeri ndërmend të merret me të. Ca më tepër që historia ime nuk është e vetme e këtij lloji…

Pra, në rastin e arrestimit tuaj, arsyet nuk ishin të mirëfillta politike?

Mua më penalizuan fill pas arrestimit të Fiqirete Shehut. Ato pak lidhje që kisha me drejtoreshën e shkollës së Partisë, “gjahtarët” e pashpirt i shfrytëzuan si një oportuniteti fatlum për të më futur në kafaz. Aty pastaj duart e tyre ishin të lira për gjithçka…

Që do të thotë?

Drama që kanë përjetuar vajzat dhe gratë shqiptare në qelitë e burgjeve ka qenë nga më të tmerrshmet. Mjaft syresh, për të marrë një leje­largimi nga fshatrat e thella ku ishin internuar për të shkuar në qytet te mjeku, duhej ti nënshtroheshin epsheve të të plotfuqishmit të zonës. Një shëmti e tillë ndodhte po kështu në burgun e grave, ku gardianët horra kalonin orët e shërbimit duke bërë seks të detyruar me të dënuarat e pambrojtura. Të gjorat gra, të ndodhura në një izolim të plotë bëheshin pre e instikteve kafshërore të zyrtarëve hamshor. Me një profil më çnjerëzor shfaqej kjo dramë në birucat e prokurorisë, ku oficerët e Policisë Sekrete përdhunonin vajzat e arrestuara.

Si në rastin e birucave të Brakës?

Diçka bastarde, e paperceptueshme nga arsyeja njerëzore. Hetues përbindësha që vizitojnë pas mesnate qelitë e vajzave të arrestuara. Përballje tronditëse, e frikshme që nis me fyerje e grushte për një vepër penale të pakryer dhe vazhdon me një batanije kokës. Pastaj hienat e natës vërsulen si ujku mbi prenë e tyre të mbuluar. Klithmat rrënqethëse mbyten po aty. Betoni i ftohtë i birucës nuk lë të depërtojë asgjë jashtë. Prej aty mund të dalin vetëm hamshorët. Kuptohet, pasi mbaronin punë…

Ç’ndodhte më tej me viktimat e tyre?

Për ato që rebeloheshin dhe protestonin kishte injeksione e gjilpëra për gjumë, por për të errësuar edhe memorien. Më tej kishte dhe psikiatri…

Me sa dimë, disa kohë keni qenë edhe ju paciente në psikiatri?

E shpjegova pak më lart se ende nuk e di si kam përfunduar aty. Mbaj mend gjilpërat e shumta që kam bërë te birucat e Brakës. Emërtimin e tyre as sot nuk e di. Ato m’i injektonin me forcë për të harruar ato çka duhej të harroja. Me vetëdijen time me vonë kam përdorur shumë kokrra qetësuese të llojeve të ndryshme, deri tek morfinat, të cilat i siguroja nëpërmjet miqve të mi besnikë, që punonin në spital. Qysh atëherë kam marrë shume medikamente qetësuese dhe jam shtuar në spitalin nervologjik disa herë. Kështu ma shkatërruan jetën, rininë, familjen, shpirtin…

Loading...