Kritika e fundit e Dritëro Agollit për Agim Vincën: Poezia e tij shkrin dashurinë për vendlindjen

Libri më i ri me poezi i poetit Agim Vinca përmban poezi me motive dhe struktura të ndryshme, që i lidh një ind i përbashkët: nota e protestës dhe shprehja ironike. Në kuadër të këtij libri vërehen dy prirje kryesore: ajo e lirikës së pastër tradicionale me varg të rregullt e të rimuar dhe tipi i poezisë postmoderne, të hapur, kritike e ironike, që shumë herë e zhduk kufirin mes poezisë dhe prozës, shkruan Gazeta Lajm. Mu për këtë arsye në nëntitull të librit gjejmë shënimin: Poezi dhe antipoezi. Ashtu si dhe në librat e tjerë të tij, edhe te ky libër ky poet tregon se është mjeshtër i vargut dhe se shkruan një poezi që lexohet më ëndje dhe që të ngel në kujtesë me fjalën e bukur dhe ligjërimin shqip.

Në vazhdim ju sjellim vlerësimet e disa kritikëve të njohur për vëllimin e fundit poetik të poetit strugan, Agim Vinca, ku gjendet edhe kritika e fundit e shkrimtarit të madh shqiptar, Dritëro Agolli.

«Agim Vinca është një poet i prirur drejt vargut të lirë dhe rimave të fuqishme… Duke e ndjerë veten qytetar i botës dhe duke i përjetuar thellë problemet e saj, ai është njëkohësisht shumë kombëtar, krenar për rrënjët e lashta të kombit të vet dhe historisë së tij».

Gertruda Ejntrej, albanologe ruse

 

«Bëhet fjalë për një shkrimtar që shkruan me sinqeritet, ndjeshmëri dhe finesë. Vlera e veprës së tij është e njohur në të gjithë Ballkanin dhe i ka kaluar me kohë kufijtë e vendit të vet».

Kostas Valetas, shkrimtar i njohur grek, president i revistës Αιολικά γράμματα

 

«Agim Vinca – kritik i shquar i poezisë, vargu i të cilit është ankoruar fuqimisht në tokën e vendlindjes dhe në fëmijërinë e tij».

Robert Elsie, albanolog kanadez

 

«Si për nga temat, idetë dhe erudicioni i përmbajtur në të, poezia e Agim Vincës është dukshëm e dallueshme në poezinë tonë në përgjithësi. Ajo është poezi jo rrallë jetëshkrimore, por ajo është shpesh poezi universale. Ajo është poezi në të cilën përemrat Unë, Ne dhe Ata janë në komunikim të vazhdueshëm, pajtues e kundërshtues, duke i dhënë të veçantës kuptim të përgjithshëm e të përgjithshmes edhe kuptim të veçantë».

Rexhep Qosja

 

«Poezia e Agim Vincës, që në librin e parë, shkrin ndjeshmërisht dashurinë për vendlindjen, me të dashurën, me lumenjtë, me malet, me qiellin, me retë, me njerëzit, me historinë dhe me gjithçka që përbën mëmëdhenë. Kjo poezi herë është meditative dhe herë shpërthyese, me metafora dhe epitete që krijojnë një botë shpirtërore të efektshme… Vinca është një poet i vërtetë, me identitet të palëkundur».

Dritëro Agolli

agolli

«… poet i pjekur, i larmishëm, plot nerv e frymëmarrje sa shqiptare aq edhe universale. Vjersha për Nënë Terezën për mua është në mos më e bukura, ndër më të bukurat. Po të isha unë redaktor i librit, do ta vendosja qysh në hapje të librit».

Bardhyl Londo

 

«Një prozë poetike e mrekullueshme, plot jetë e bukuri të gjallë (…) kushtuar dyrrotakut që i parapriu makinës, revolucionares së lëvizjes së njeriut. E denjë për çdo antologji».

Nasho Jorgaqi

 

«Mjafton të lexojmë cilëndo poezi të tij dhe në çast do ta ndiejmë regjistrin e zërave të kantilenës nga sazet e gërneta, tek fyelli e lahuta… Ai vjen në odat e Drenicës, si strugan, po në Korçë shfaqet si shkodran, në Ulqin si llapjan e në Gollak si vlonjat. Ai di të na miklojë me shirat lirikë të Preverit, siç di të egërsohet në çast dhe të akuzojë e protestojë me nervin e Zolasë».

Adem Gashi

 

«Poezia e Agim Vincës e ka krijuar qysh herët fizionominë e saj origjinale e të patjetërsueshme. Ajo është në ashtin e vet thellësisht kombëtare, ndonëse shpesh shfaqet nën një dritë rrëzëlluese moderniteti».

Beatriçe Balliçi

 

«Kambanë në qafë është një nga poezitë më të mira që kam lexuar në jetë. Një perlë e vërtetë! Një krijim letrar, që sintezon dhembjen, revoltën dhe rebelimin, me një gjuhë kaq poetike e ironi kaq të përsosur».

Sabit Idrizi

 

«Fjala e tij poetike vjen si një dritë e aftë për të zhbërë errësirën dhe vuajtjen. Ajo krijon imazhe të tejdukshme e të guximshme, duke i qëndruar larg automatizmit që vihet re në poezinë e sotme, shpesh e shkruar pa frymëzim dhe pa dashuri për gjuhën».

Feride Papleka

 

«Është poezia e një intelektuali që vetëzbulohet çast pas çasti… Agim Vinca është vëzhgues i hollë e i rafinuar, që, duke e përdorur me mjeshtëri gjuhën, i jep poezisë vërtetësinë e një akti shkrimor me forcë dhe ndjeshmëri të madhe».

Jolanda Malamen, kritike rumune

 

«Agim Vinca është poet që e ka jetuar dramën e popullit të vet dhe ka gjetur gjuhën universale për ta shprehur atë. Kjo është gjuha e metaforës, e cila tek ai nuk është një varg i vetëm a një togfjalësh, por buron nga tërësia e poezisë… E kjo nuk arrihet lehtë, por është një sfidë e vërtetë».

Besnik Mustafaj

 

«Libri më i ri me poezi i Agim Vincës, ashtu si dhe librat e tjerë të tij, tregon katërçipërisht se liriku Vinca e zotëron me hollësi milimetrike poetikën e poezisë shqipe…

Nuk ka strukturë ekzistuese në poezinë shqipe, qoftë të kultivuar, qoftë popullore, që nuk ka gjetur përdorim dhe risemantizim te Agim Vinca».

Ismail Syla

agim vinca

 

Loading...