Në një intervistë për agjencinë Reuters, në suaza të Konferencës së guvernatorëve të bankave qendrore e mbajtur në Sarajevë, guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Dimitar Bogov tha se kriza e zgjatur politike i ka shkaktuar dëme serioze ekonomiksë së Maqedonisë dhe është rëndë të pritet rritje ekonomike brenda këtij viti, pas rënies që ndodhi në gjysmën e parë të vitit.

“Parashikimet tona në prill për rritje ekonomike prej 2.5 për qind duket se ishin tepër optimiste. Kriza politike shkaktoi rënie më të madhe nga ajo që ne parashikonim”, tha Bogov.

Ai më tej tha se duke pasur parasysh se në gjysmën e parë të këtij viti PBB e Maqedonisë ka shënuar rënie prej 0.9 për qind dhe shtoi se “do të isha i lumtur nëse këtë vit e përfundojmë me rritje pozitive ekonomike”.

“Nëse kemi stabilitet të plotë politik dhe politika ekonomike nga Qeveria e re, mund të presim që rritje ekonomike të kthehet në dinamikën që kishte para fillimit të krizës politike në vitin 2015”, vlerëson Bogov, duke shtuar se pret që Qeveria të vazhdojë me konsolidimin fiskal me qëllim të stabilizimit të deficitit buxhetor që vlerësohet në rreth 3 për qind këtë vit.

Gjatë vlerësimit të tij për normat e kamatës, Bogov thotë se nuk sheh nevojë për përshtatje të mëtejme të normës bazë të kamatës, e cila është në një minimun historik prej 3.25 për qind, por shton se me vëmendje do ta ndjekë gjendjen e sektorit të jashtëm dhe politikat fiskale gjatë viteve të ardhshme.

Loading...