Kryeministrit kanadez i mbushen sytë me lot teksa dëgjon refugjatin sirian

Justin Trudeau është prekur aq shumë ndërsa dëgjonte një refugjat sirian që po fliste mbi jetën e tij në Kanada, sa i kanë rrjedhur lot.

Ai do t’i priste personalisht Vanig Garabedian-in, një  gjinekolog sirian, dhe familjen e tij kur zbritën në Toronto dhjetorin e kaluar.

“Ne u ulëm në aeroportin Pearson, dhe personi i parë që na shtrëngoi duart ishte vetë kryeministri,” do të shprehej Garabedian ndërkohë që shfaqej përpara kamerave me Trudeau-n javën e kaluar. “Mirë se vini në shtëpi,” ka treguar siriani t’u kishte thënë asokohe kryeministri kanadez.

Me të dëgjuar këto fjalë, Trudeau është parë të fshijë lotët me një shami.

“Ndërsa po u vështroja ju dhe vajzat e tua duke ecur përmes këtij aeroporti drejt meje, pati një moment në të cilin kuptova se sa shumë gjëra mund të bëjmë ne si shtet,” do të rrëfente Trudeau.

“Tani, pas një viti, unë ndjehem edhe më krenar që jam kanadez,” ishte përgjigjja pasuese e Garabedian-it. Ai do të shtonte gjithashtu se mënyra më e mirë për t’ia shpërblyer mikpritjen Kanadasë ishte të kthehej në profesionin e tij mjekësor.

Shumë udhëheqës ndërkombëtarë e konsiderojnë si shembullore administratën e Trudeau-t për qëndrimin mikpritës ndaj refugjatëve. Ajo ka sistemuar tashmë më tepër se 35.000 refugjatë sirianë vitin e kaluar, më shumë se dyfishi i numrit që ka pranuar SHBA-ja. Shumë qytetarë kanadezë kanë marrë obligim edhe në forma private t’i ndihmojnë refugjatët, duke u financuar procesin e tyre të sistemimit dhe duke u kujdesur për ta edhe pas vendosjes në Kanada.

Loading...