Kryeprokurori saudit, al-Mojeb i cili për herë të dytë u takua me kryeprokurorin publik të Stambollit Irfan Fidan, lidhur me vrasjen e gazetarit saudit Khashoggi.
Kryeprokurori i Arabisë Saudite, Saud al-Mojeb, u takua për herë të dytë me kryeprokurorin publik të qytetit, Irfan Fidan, në gjykatën e Stambollit, në vazhdën e hetimeve mbi vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, raporton Anadolu Agency (AA).

I shoqëruar nga një delegacion, Mojeb arriti në Pallatin e Drejtësisë në rrethin Çağlayan të Stambollit, ku u takua me kryeprokurorin turk Fidan rreth një orë, prej ku më pas u largua.

Mojeb dje realizoi takimin e parë në gjykatë me Fidan, i cili zgjati një orë e 15 minuta.

Mojeb pas takimit të tij me kryeprokurorin publik të Stambollit, hyri në ndërtesën e Konsullatës së Arabisë Saudite e cila gjendet në qarkun Levent.

Ndërkohë gazetarët vendas dhe të huaj vazhdojnë të ndjekin zhvillimet rreth vrasjes së Khashoggit para Konsullatës saudite në Stamboll.

Jamal Kashoggi, gazetari dhe kolumnisti i “The Washington Post” dhe bashkëpunëtor i gazetës “Al Watan” që paraqet platformën kryesore të reformistëve sauditë, u zhduk më 2 tetor pasi kishte hyrë në kompleksin e Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll.

Pas më shumë se dy javëve mohime mbi fatin e Kashoggit, autoritetet e Arabisë Saudite më 20 tetor pohuan se Kashoggi është vrarë gjatë një sherri në konsullatë.

Hetimi mbi vrasjen edhe më tej është në vazhdim, ndërsa hetuesit synojnë gjetjen e mbetjeve mortore të Kashoggit dhe vërtetimin e përgjegjësve për vrasjen.

Loading...