Xhevdet Pozhari

… – Më fal, Xhevdet -, mu drejtua një burrë që dukej se sapo kishte kaluar të 50-tat.
I nxitur nga pasiguria nëse do të ndalem apo vetëm do ta kaloj me një përshëndetje të shpejtë këtë njeri që e shihja për herë të parë në jetë, nxitoi të më thoshte: a e din sa byrekun e kam përgatitur për ty!

Ndalova. Nuk e kisha idenë kënd kam përballë, e më së paku më shkonte medja se pas këtij takimi do të largohesha me një barrë të rëndë në shpirt.

– Urdhëro -, iu përgjigja ndërkohë që mundohesha t’i thërras kujtesës, por mëkot, nuk gjeja asgjë që ta ketë regjistruar fytyrën e këtij njeriu.
– Kam punuar në “…”, ku vinit shpesh me shoqëri.
– Po, dhe?
E pashë që nisi ta ulë kokën, sytë iu zvogëluan dhe sërish iu kthye pasiguria.

– Kam mbetur pa punë, mezi gjeti forcë të më thotë me një zë që nisi t’i dridhej. Si i zënë në faj, nisi të kërkojë falje dhe nga turpi t’i merren fjalët.

– Po, s’ke pse turpërohesh, i thashë. Të gjithve mund të na ndodh.
Filloi t’i dridhet mjekrra. Zëri më nuk i bindej.

– Kam tre fëmijë që presin bukë në shtëpi -, tha derisa sytë iu mveshën me lotë. Të lutem, nëse din ndonjë vend ku mund të punojë. Kam aplikuar aty ku kërkojnë por shkaku i moshës as që më përfillin.18 vite kam punuar vetëm në një vend. Mund të punojë nga ora 5.00 e mëngjesit dhe sado që më thonë, me pagë minimale, sa të mbaj shpirtin e fëmijëve veç me bukë, – tha, dhe në fund sytë iu liruan si çeshme nga vaji.

… Mbeta i stepur. Në mes të sheshit un dhe një i panjohur që mundohej ta ndalojë dënesjen.

– Qetësohu -, i thashë, do gjindet një zgjidhje. Pa hetuar dhe pavetëdijshëm kisha nisur ta gënjejë! Në kokë më kalonin me shpejtësi emrat e të gjithë atyre miqve që kishin firma e më qaheshin për numrin e madh të punëtorëve dhe nevojën për shkurtimin e vendeve të punës.

Më shikoi plot dhimbje. Nuk kisha guxim t’i bëjë asnjë pyetje tjetër pos ta pyes për emrin dhe numrin e telefonit.

– Ma cingërro-, i thashë instiktivisht, sa të ta regjistroj numrin. E, uli prapë kokën. E kuptova se kërkesa ishte e pamenduar, nga një njeri që vuante për kafshatën e gojës un prisja të ketë kredit në tel…

Unë nuk kam guxim të kërkojë nga asnjë mik përmes këtij shkrimi ndihmë dhe një mundësi për këtë njeri. Nuk e kam bërë kurrë më parë. Por, do të ndihesha shumë i lumtur nëse cilido nga ju keni ndonjë firmë dhe ju duhet një punëtor nëse më shkruani që t’ua jap të dhënat. Kjo do të më ndihmonte jashtëzakonisht që të çlirohem nga një barrë e madhe në shpirt sepse qoftë edhe pa dashje, e gënjeva këtë njeri duke i thënë “do të gjindet një zgjidhje”! Ndërsa atij dhe fëmijëve të tij do iu kthehej shpresa…

Mbase nga dhembja që ndjeva ndaj tij doja t’ia kthej shpresat por tani e pranoj: as vet nuk e di se nga duhet shkuar të pashpresët e kësaj Kosove që gjithnjë e më shumë ngjan në parajsë për  politikanët dhe ferr për banorët e saj.

 

Loading...