Kuba pret kthimin e Guantanamos, Kerry thotë ende s’është në agjendë

Kerry

 

Washington, 21 korrik – Është koha për riparimin e asaj që është thyer me Kubën dhe hapjen e marrëdhënieve të mbyllura për një periudhë të gjatë, ka thënë sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry pas ceremonisë së hapjes së ambasadës kubaneze në Shtetet e Bashkuara pas më shumë se gjysmë shekulli.

“Procesi i plotë i normalizimit të marrëdhënieve do të vazhdojë, edhe pse mund të jetë i gjatë dhe kompleks dhe që kërkon durim”, ka thënë Kerry gjatë konferencës së përbashkët me ministrin e Jashtëm kubanez, Bruno Eduardo Rodriguez.

“Jemi duke bërë një hap historik dhe të vonuar në drejtim të duhur”, shtoi Kerry,duke siguruar botën dhe Kubën se SHBA-ja do të bëjë pjesën e saj në këtë proces.

Në anën tjetër, shefi i diplomacisë kubaneze, Rodriguez e ka përshkruar normalizimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve si një “proces të gjatë dhe kompleks”. Ai shtoi se qeveria e tij dëshiron marrëdhënie të bazuara “në respektin, barazinë, barazinë e sovranitetit pa cenuar pavarësinë dhe sovranitetin e Kubës dhe pa asnjë ndërhyrje në punët e brendshme të ishullit”.

Në lidhje me këtë ai kërkoi nga SHBA-të të heqin bllokadën mbi 50-vjeçare ekonomike ndaj vendit të tij, si dhe “kthimin e territorit paligjshëm të okupuar të Guantanamos, respektimin e sovranitetit kuban, si dhe kompensimin e popullit tonë për dëmet njerëzore dhe ekonomike.”

Në lidhje me deklaratën e Rodriguez reagoi edhe Kerry, i cili vurinë dukje se Shtetet e Bashkuara kuptojnë ndjeshmërinë e të gjitha çështjeve të Guantanamos.

“Ky moment historik nuk tregon fundin e dallimeve të shumta që ende ndajnë qeveritë tona. Nuk e dimë çka do të ndodhë në të ardhmen, por tani në axhendat tona nuk përmendet çështja e dorëzimit të Gjirit të Guantanamos Kubës”, tha Kerry.

Pavarësisht çështjeve të mprehta, Kerry dhe Rodriguez shprehën besimin se dy vendet mund të bashkëpunojnë dhe të bashkëjetojnë.

Rodriguez dje mori pjesë në ceremoninë e hapjes së ambasadës kubaneze në Washington, ndërsa Kerry pritet të vizitojë Kubën më 14 gusht, ku do të kryesojë ceremoninë e ngritjes së flamurit amerikan në hapjen zyrtare të Ambasadës së SHBA-së në Havana. Kjo do të jetë vizita e parë e një shefi të diplomacisë amerikane në Kubë që nga viti 1945.

Loading...