Kujt (nuk) i përkulet politika?

Kujt nuk i përkulet pra politika jonë e vogël? Më lehtë i bie të thuhet, se i përkulet kujtdo që e ka frikë dhe kujtdo prej kujt ka interesa partiake, grupore, që ka të bëjë me pushteti, por nuk respektojnë asgjë, si njerëz, sepse vlerat te ne, falë kësaj politike, nuk kanë “vlerë këmbimi”! Ndërkohë, u bë zhurmë e madhe, se lideri i një partie opozitare, ecila përndryshe e sfidon krejt këtë klasë politike, u përkul përpara varrit të ish liderit boshnjak, Izetbegoviç

Fadil Lepaja

Duke e ditur se ne nuk kemi politikë as demokraci autentike, si do të thoshte dikur, Ukshin Hoti, fillova me një pyetje më të lehtë, pra kujt nuk i përkulet politika kosovare. Përgjigja, se kujt i përkulet politika jonë, do të merrte shumë hapësirë. Popujt dhe vendet e vogla, sot, vështirë se mbijetojnë plotësisht të pavarura, pa qenë pjesë e ndonjë marrëveshjeje më të gjerë, por sido që të jetë, pjesa më e madhe e këtyre vendeve kanë diçka autentike, e cila ruhet si vlerë e pranueshme, pak a shumë për të gjithë. Por kjo nuk vlen për Kosovën, edhe pse prapë dikush do të kontestojë duke thënë se Kosova ende nuk është shtet. Por, Kosova, me vullnetin e faktorit ndërkombëtar, është shtet, ndërkohë që liderët më tepër se të nguten për të pasur përkrahjen e qytetarëve, dhe për të promovuar diçka autentike, që ndërlidhet drejtpërdrejtë me interesat e qytetarëve, këta nguten të rreshtohen, dhe të vet promovohen si njerëz të këtij apo atij vendi, të këtij apo atij presidenti, kryeministri, apo adhurues të ndonjë heroi të jashtëm, klubi të jashtëm futbolli e çka jo tjetër. Për të dërguar një mesazh të pranueshëm për qytetarët, të cilët falë qeverisjes së kësaj klase politike, dhe grabitjes së përgjithshme, përmes pushtetit, ëndërr më të madhe e ka me ikë prej këtu, liderët, detyrohen të bëjnë vizita jashtë dhe të promovohen përmes tyre. Por të kthehemi, te pyetja: kujt nuk i përkulet politika, kosovare. Thuhej se dikur Ish presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, nuk kishte pranuar të përkulej para varrit të Enver Hoxhës, dhe këtë disa sot ja numërojnë si meritë, e ka nga ata që e konsiderojnë si gabim. Po ashtu ka shumë që e (zh)vlerësojnë për shkak të mos përkuljes para varrit të Jasharajve, ndërkohë që ja zënë për të madhe se u përkul përpara presidentit serb Millosheviç, ku sipas deklaratave të tij , kishte qenë i detyruar të shkojë, çka edhe u vërtetua më vonë. Sido që të jetë, përkulje fizike nuk duket të ketë pasur, përkundrazi, ndërkohë që ai nuk u përkul asnjëherë as para liderit politik të UÇK-së, edhe pse në bisedimet e Rambujesë, faktori ndërkombëtar e kishte hedhur në radhë të dytë. Madje, në të gjitha zgjedhjet nacionale, për të gjallë të vet, e sfidoi dhe e mundi, me vizionin dhe me urtinë e tij, e cila u përqafua prej qytetarëve pëballë agresivitetit të liderit të ri, i cili më vonë, do të përkulej thellë te varri i rivalit të moçëm. Kujt i përkulet presidenti aktual? Nëse mund të i besojmë deklaratës, së lexuar në media, të z. Limaj, mikut të tij të mëhershëm dhe njërit nga ish liderët e UÇK-së, z. Thaçi, përkulet para gjithkujt, “kur ka interes, ndërsa të shkatërron kur s’i nevojitesh”. Sidoqoftë, kemi parë që z.Thaqi të përkulet përpara pllakës, ku shkruan se të vrarët janë viktima të terroristëve shqiptarë. E kemi parë të përkulet përpara varrit të ish Presidentit Rugova, para kompleksit të Jasharajve, edhe pse shpesh për ndonjë arsye nuk është futur fare në odën e tyre për nderime. Jo se nuk futet në oda, presidenti, sepse kur i duhej, për vete, ishte ulur të negocioj edhe në oda. Gjithsesi është për tu lavdëruar përkulja para varrit të viktimave civile, pavarësisht se çfarë shkruan aty, sikurse edhe përpara varrit të ish rivalit të vjetër, madje edhe shumë përkulje të tjera. Presidenti nuk përkulet vetëm përpara opozitës, sidomos një pjese të saj, të cilët me këmbëngulje e quajnë hajn, dhe kreun e krimit në vend. Presidenti, përkulet përpara çdo trysnie nga jashtë, si për shembull, me rastin e demarkacionit, apo me rastin e dorëzimit të jashtëligjshëm të shtetasve turq, përmes një operacioni të jashtëligjshëm, dhe sekret, të një shteti, sado mik që të jetë. Krye parlamentari, ndërkohë, përkulet, po ashtu përpara varrit të ish presidentit Rugova, duke pranuar se rruga paqësore dhe ajo e luftës ishin dy rrugë të njëjtit qëllim. “Rezistenca paqësore dhe Lufta Çlirimtare, janë dy anë të pandashme të historisë së përpjekjeve dhe sakrificave të popullit tonë për liri dhe pavarësi. Emri i presidentit Rugova ka qenë e do të mbetet emër krenar i kësaj historie të lavdishme”, ka thënë ai për media. Krye parlamentari, përndryshe, ka prirje të përkulet vetëm ndaj perëndimit, me respekt. Përkulet edhe përpara varrezave të dëshmorëve, posaçërisht, në Prekaz. Por nuk përkulet përpara femrave. Nuk përkulet përpara grave deputete, me të cilat me raste, nuk sillet aspak si një zotëri i vërtetë edhe pse me opozitën përpiqet të jetë i durueshëm. E kryeministri? Ai edhe pse nuk përkulet as përpara vetvetes në pasqyre, përkulet përpara varrit të Adem Jasharit, të cilin e konsideron gjeneratë, të luftës, përkulet edhe përpara flamurit amerikan, të cilin e shpalosë dhe palosë me shumë kujdes dhe dashuri, ndërkohë, që nën qeverisjen e tij, flamuri i shqiptarëve nuk u hoq me ceremoni shtetërore dhe me respekt, dhe për inati të opozitës, thuhej se është trajtuar pa respekt nga zyrtarët. Rivënia e flamurit, po ashtu u ba pa ceremoni dhe pa respekt, por për këtë mundet të ndodhë që nuk ka pasur dijeni, ose nuk është interesuar posaçërisht. Kujt nuk i përkulet pra politika jonë e vogël? Më lehtë i bie të thuhet, se i përkulet kujtdo që e ka frikë dhe kujtdo prej kujt ka interesa partiake, grupore, që ka të bëjë me pushteti, por nuk respektojnë asgjë, si njerëz, sepse vlerat te ne, falë kësaj politike, nuk kanë “vlerë këmbimi”! Ndërkohë, u bë zhurmë e madhe, se lideri i një partie opozitare, ecila përndryshe e sfidon krejt këtë klasë politike, u përkul përpara varrit të ish liderit boshnjak, Izetbegoviç. Duke e quajtur, islamist për këtë akt dhe për shkak të përkuljes përpara viktimave boshnjake, shumë militantë në rrjetet sociale e shajnë sepse nuk qenka përkulur asnjëherë përpara varrit të ish presidentit Rugova. Albini, sido që të sillet është fajtor përpara mediave, kryesisht të pozitës, për arsye se paraqet të vetmen alternativë, e cila nuk përkulet vetëm për shkak të pushtetit, të cilin oligarkia kosovare dhe grupi i ambasadorëve, e krijojnë me të gjitha partitë e tjera , sipas nevojës, dhe pa kuruar pengese programore apo parimore. Rrjedhimisht, përkulja, në politikën kosovare lidhet drejtpërdrejtë me pushtetin. Parimet janë luks që nuk u lejohet vendeve të vogla me lider të mëdhenj, aq të mëdhenj sa nga ata nuk shihet populli i tyre. Populli duhet të përkulet përpara tyre, nëse do që të bëhet faktor në çfarëdo procesi. Nëse nuk përkulet, populli ndodhë edhe të shpërngulet, me ndihmën e shtetit. Miti për (pu)shtetin është më i fortë se ai për qytetarin…!

Loading...