Kukulla me mesazhe si vetëdijesim për ndotjen

Shesheve kryesore të Prishtinës u janë shtuar disa “banorë” të rinj-ca kukulla që alarmojnë për ndotje të ajrit.

Nëpërmjet kukullave të vendosura mes njerëzve në Sheshin “Nënë Tereza” të Prishtinës dhe mesazheve që ato i kanë të shkruara, organizata PEN-Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë dhe Lëvizja Shkenca për Ndryshim po tentojnë të vetëdijesojnë qytetarët në lidhje me ndotjen në Prishtinë.
Ditëve të fundit ajri në Prishtinë ka tejkaluar shumëfish nivelin e lejuar të ndotjes, ndërsa këtë e ka bërë të ditur edhe sot Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.

Kukullat e vendosura në shesh kanë edhe mesazhet “Nga Po Vjen Ndotja”, ose ajrin e ndotur e quajnë një vrasës të padukshëm.

Përveç kukullave, organizatorët e vetëdijesimit për ndotjen, nëpër disa stenda të improvizuara po i mësojnë edhe qytetarët se si ata vetë nëpërmjet një aplikacioni telefonik të masin nivelet e ndotjes në Prishtinë.

Përfaqësues të PEN-it dhe Lëvizjes Shkenca për Ndryshim po u ofrojnë qytetarëve edhe fara drunjsh për të mbjellë si shpëtim më afatgjatë nga ndotja.

Prishtinës përveç tjerash ndotja i vjen edhe nga termocentralet e Obiliqit. Në këtë qytet konsiderohet se ka 30 deri 40 për qind më shumë të sëmurë të organeve të rrugëve të frymëmarrjes, në raport me pjesët tjera të Kosovës.

Loading...