Brenda komunës zhvillohen jo vetëm manifestimet që kanë si organizator vetë komunën, por edhe individë, shoqata, institucione…, janë të detyruar që të realizojnë aktivitete me logon komunale. Kjo formë e organizimit do të vazhdojë të jetë e tillë edhe në të ardhmen, ku nuk planifikohet ndonjë ndërmarrje më serioze, si ndërtimi i ndonjë qendre, apo kompleksi më të madh në këtë zonë

Evis HALILI

Shkup, 31 maj – Sheshi “Skënderbeu”, ambientet e Komunës së Çairit, Qendra teatrore për fëmijë, Qendra Informative Kulturore… janë ndër mjediset e vetme ku zhvillohet jeta kulturore artistike brenda komunës kryesore të shqiptarëve. Disa vjet më parë, shërbime të ngjashme ofronte edhe Teatri Shqiptar, në skenat e të cilit janë zhvilluar që nga koncertet e ansambleve, koncertet, ekspozita e deri në manifestime humanitare e partiake, shkruan gazeta KOHA. Jo vetëm pa kinema, galeri arti, librari e biblioteka, por edhe manifestimet kulturore dhe artistike, koncerte, promovimet, tribunat, konferencat…, ndodhin rëndom në sallën e Komunës, në sheshin Skënderbe, apo Parkun, ndërsa të tjerat zhvendosen në anën tjetër të Vardarit, apo edhe në Çarshi.

Brenda objektit të komunës zhvillohen jo vetëm manifestimet që kanë si organizator vetë komunën, por edhe individë, shoqata, institucione…, janë të detyruar që të realizojnë aktivitete me logon komunale. Kjo formë e organizimit do të vazhdojë të jetë e tillë edhe në të ardhmen, ku nuk planifikohet ndërtimi i ndonjë qendre, apo kompleksi më të madh në këtë zonë.

Nëse i referohesh Strategjisë për zhvillimin katërvjeçar të komunës, investimet infrastrukturore me destinacion kulturën nuk i kalojnë 16 milionë denarët. Vetë komuna parashikon ndërtimin e katër qendrave për tubimin e të rinjve, ndërsa tre prej tyre do të jenë qendra që do të ngrihen në kuadër të tre shkollave (Jashar Bej Shkupi, Ismail Qemali dhe Liria) qendra e katërt është në lagjen Seravë dhe sipas Strategjisë për zhvillimin katërvjeçar të komunës, në objektin e bashkësisë vendore. Ky është projekti më i kushtueshëm financiar për komunën, realizimi i të cilit kap një kosto prej më shumë se 15 milionë denarë.

“Hapësirat aktuale kulturore, të cilat shfrytëzohen për shënimin e datave historike dhe organizimin e shumë ekspozitave dhe promovimeve të librave janë sheshi Skenderbeu, Parku, Teatri për fëmijë, Suli Han, Hamami i Daut Pashës dhe Kurshumli Han. Po ashtu, në përdorim të shpeshtë është edhe vetë Salla e Komunës, hapësirë që e shfrytëzojnë me kërkesë të tyre shumë autorë librash dhe organizata joqeveritare, duke e vlerësuar si opsion të shkëlqyeshëm për manifestimin që synojnë të organizojnë. Edhe përkundër këtij numri të madh të objekteve kulturore, komuna ka vendosur të investojë në përmirësimin e mëtutjeshëm të kapaciteteve hapësinore për jetë më të shëndoshë kulturore”, thotë për KOHA, zëdhënësi i Komunës, Kushtrim Alla. Rikonstruktimi dhe adaptimi i këtyre qendrave të kulturës do të realizohet gjatë katër viteve të ardhshme. Megjithatë, sipas publicistit Xhabir Ahmeti, perdja e errësirës kulturore në këtë zonë duhet të griset dhe zhvillimi i kulturës duhet të fillojë duke krijuar kushte për edukimin dhe argëtimin e fëmijëve përmes artit.

“Pas defaktorizimit të gjatë të shqiptarëve, duhet të krijohen disa kushte për zhvillimin e jetës kulturore në Shkup. E para, Komuna dhe Kuvendi i Qytetit të Shkupit duhet të bashkëpunojnë intensivisht me arsimin, me institucionet kulturore dhe, në radhë të parë, me intelektualët që në fillim të gjenden format më të përshtatshme për emancipimin e shoqërisë dhe për orientimin e saj nga vlerat e njëmendta të kulturës sonë, duke e larguar nga kiçi e shundi. Kuptohet ky bashkëpunim si cak duhet ta ketë rininë, e cila tash nuk ka njohuri të mjaftueshme për traditën kulturore shqiptare. E dyta, duhet të bëhen dy teatro të rinj. Njëri teatër për fëmijë dhe të rinj e tjetri teatri i kukullave. Kjo, sepse edukimi fillon që nga çerdhet dhe shkollat fillore”, thotë për KOHA, Ahmeti. Ai shton se është mëse i nevojshëm largimi i Bit Pazarit nga Çarshia. Në këtë mënyrë do të hapej një shesh nga i cili njerëzit do të kishin qasje në Teatrin shqiptar, në tempujt e fesë dhe mbi të gjitha – Çarshia do të bëhej një qendër e rëndësishme për ngjarje të ndryshme kulturore, nga ekspozitat, promovimet e deri te mbrëmjet me koncerte të muzikës së lehtë, por edhe botimin e ndonjë revistë letrare që do të subvencionohej nga Qyteti Shkupit.

Në Institutin e Trashëgimisë janë të mendimit se më shumë sesa qendra, ose objekte zhvillimi i jetës kulturore të Çairit, duhet të fillojnë nga Çarshia, që është pika nevralgjike e kësaj komune.

“Komuna duhet të iniciojë ndryshime ligjore, ligjet për Çarshinë edhe atë të ndarjes territoriale. Shkupi është Çarshia dhe duhet të ngjallim pikërisht shpirtin e kësaj zone që do të ndikojë në zhvillimin e kulturës, sidomos shqiptare dhe rritjen e vetëdijes qytetare. Zgjidhjen duhet ta kërkojmë tek kërkesat e tërësishme dhe joparciale për kthimin e një sërë objektesh të rëndësisë së veçantë, si hanet, apo edhe Kalanë në dispozicion të komunës. Administrimi i vetëm një pjese të Çarshisë nga ana e Komunës vazhdimisht do të jetë një pengesë për zhvillimin e projekteve afatgjate, të cilat komuna fare mirë mund t’i realizojë në partneritet me Ministrinë e Kulturës”, thotë drejtori i ITSHKSH, Skënder Asani. (koha.mk)

Loading...