Banorët e lagjes “Boris Kidriç” në Kumanovë për më tepër se 24 orë kanë ngelur pa ujë për shkak të një defekti në rrjetin e vjetruar të ujësjellësit, njofton Gazeta Lajm. Qytetarët shqiptarë të kësaj lagje në qendër të Kumanovës, ankohen nga punëtorët e N.P “Ujësjellësi” që sipas tyre janë treguar të papërgjegjshëm dhe nuk kanë sanuar defektin në kohë më të shkurtër. “E kemi shumë të vështirë pa ujë në këto ditë të nxehta në muajin e Ramazanit” thonë banorët, të cilëve u është thënë se defekti nuk do të mund të sanohet as në 24 orët e ardhshme. Banorët sqarojnë se Komuna asnjëherë nuk ka investuar në lagjen “Boris Kidriç” në Kumanovë që njihet si një nga lagjet më të vjetra të qytetit, e që është e banuar me shumicë shqiptare, shkruan Lajm. “Ish kryetari i komunës na kishte premtuar se rrjetin e ujësjellësit do ta rregullonte me para të komunës ndërsa ne duhet të financojmë rrjetin e kanalizimit. Ne e kemi kryer punën tonë ndërsa ai na ka gënjyer dhe nuk ka investuar në rinovimin e rrjetit të ujësjellësit”, thotë një banorë i lagjes, duke shprehur pakënaqësi të madhe edhe nga kryetari aktual Maksim Dimitrievski, për të cilin thotë se investimet i ka përqëndruar vetëm në pjesën e qytetit të banuar me maqedonas. Në Këshillin Komunal të Kumanovës, ka edhe këshilltarë shqiptarë të cilëve banorët asnjëherë nuk i’a kanë dëgjuar zërin, madje disa thonë se as nuk i njohin.

Loading...