Një kuriozitet historik e gjeografik disi i harruar është fakti që dikur Australia njihej si Hollanda e Re. Kjo është përpara se të popullohej nga europianët.
Disa shënime historike tregojnë se emërtimi “Hollanda e Re” u përdor për herë të parë nga detari hollandez Abel Tasman. Një hartë e vitit 1644 përdor të njëjtin emër.
Hollandezët ishin pararendës në zbulimin e pjesëve të panjohura të globit për europianët. Në atë kohë hollandezët blenë edhe ishullin e Manhattan-it, Nju Jorkun e sotëm që fillimisht njihej si Amsterdami i Ri. Anglezët që zëvendësuan hollandezët më vonë e ndërruan në Jorkun e Ri, emrin që mban edhe sot.
Ngjashmërisht edhe Hollanda e Re filloi të humbiste si emërtim në favor të emërtimit tjetër konkurrues, Terra Australis (“toka jugore” në latinisht).
Hollanda e Re nënkuptonte për një kohë të gjatë më shumë se Australinë e sotme. E gjithë hapësira përreth thirrej me këtë emër. Po kështu edhe Terra Australis shpesh përfshinte të gjithë hapësirën e pazbuluar në jugun gjeografik të globit, duke përfshirë për disa edhe Antarktidën.
Në fund, “Hollanda e Re” filloi të “tkurrej”. Kur anglezët u vendosën në Sidnej, duke krijuar një vendbanim me rëndësi, rajoni përreth filloi të njihej si Uellsi i Ri. Vendbanimet dhe emërtimet e tjera e çuan drejt shuarjes e pastaj drejt harresës emrin “Hollanda e Re”.
Emërtimi mund të gjendet në harta të vjetra, të kohëve kur ende nuk ishte gjurmuar i gjithë bregdeti i ishullit-kontinent, e sidomos përpara se të eksplorohej e të popullohej hapësira e brendshme.
Në krahasim me Amerikën Veriore e Jugore, popullimi i Australisë erdhi shumë më vonë. Në fillim të shekullin të kaluar, edhe një numër i konsiderueshëm shqiptarët u vendosën aty, përfshi edhe tre vëllezër të gjyshit tim me familjet e tyre.
Më vonë, mërguan edhe shqiptarë nga Maqedonia, Kosova e Turqia, si edhe një numër më i vogël shqiptarësh pas rënies së komunizmit dhe gjatë luftërave në Jugosllavi. (Ruben Avxhiu)

Loading...