Me Stephen Curry-n në superformë, Golden State Warriors e kanë të lehtë ndaj çdo kundërshtari, aq më tepër kur ndeshja luhet në “Oracle Arena”. “Ylli” i kampionëve në fuqi të NBA shënoi plot 37 pikë dhe dha 9 asiste në suksesin 131-121 ndaj New Orelans Pelicans. 34 pikë i realizoi vetëm në pjesën e dytë, duke qenë i saktë në 7 gjuajtje për tre. Kjo ishte ndeshja e 6-të sezonale që Curri kalon 30 pikë.

Pelicans u munduan të qëndronin deri në fund  në lojë me Holiday dhe Mirotic, që realizuan respektivisht 28 dhe 26 pikë, por ishte e pamundur që të bënin më shumë para forcës së Golden State.

Fitore me vuajtje 114-113 e Los Angeles Lakers ndaj Dallas Mavericks në “Staples Center”. LeBron James rezultoi vendimtar në këtë sukses të tretë sezonal të kalifornianëve me 29 pikë, 6 asiste dhe 5 rikuperime, megjithatë dyshimet për mundësitë e Lakers për të rivalizuar me Golden State në Konferencën e Perëndimit mbeten të forta.

Dominim absolut i San Antonio Spurs në parketin e Phoenix Suns. Teksanët triumfuan me plot 30 pikë diferencë, 90-120, falë dyshes DeRozan-Ladrige me 49 pikë në total, ku 25 i realizoi ish-“ylli” i Raptors.

Në Lindje spikati fitorja 128-125 e Minnesota Timberwolves përballë Utah Jazz. Mbrëmje për t’u shënuar në kalendar për Derrick Rose, që fiksoi një rekord personal prej 50 pikësh në një takim, 34 vetëm në pjesën e dytë. Në 41 minuta mbi parket 30-vjeçari realizoi 19 nga 31 tentativat nga fusha, si dhe u tregua i saktë në katër gjuajtje për tre, pa harruar topin që i rrëmbeu Dante Exum dy sekonda para fundit, duke i hequr mundësinë për të barazuar rezultatit.

37 pikët e Tim Hardawy nuk u mjaftuan New York Nicks përballë Indiana Pacers, që triumfuan 101-107 në “Madison Square Garden” të udhëhequr nga Sabonis dhe Oladipo, respektivisht me 30 dhe 24 pikë.

Brooklyn Nets fituan në shtesë 120—119 ndaj Detroit Pistons, ndërsa Chicago Bulls dështuan 107-108 po në kohën shtesë ndaj Denver Nuggets.

Loading...