Shkrimtari nga Shqipëria, Vasfi Samim Visoka, e kishte vizituar Kosovën disa herë në vitet 1940
Nga këto vizita, ai kishte shkruar një libër të cilin e kishte titulluar “Shqipërija e vërtetë – Nëna Kosovë”. Libri ishte botuar në Shtypshkronjën e Shtetit në Tiranë në vitin 1943, transmeton lajmi.net

Kopertina e librit është publikuar në facebook nga regjisori Bekim Lumi, i cili ka sjellë edhe një paragrafë nga libri.

Postimi i Lumit:

Sot në bibliotekën time e gjeta fotokopjen e librit “Shqipërija e vërtetë – Nëna Kosovë (1938 – 1943)” të autorit Dr. Vasfi Samim Visoka (1908 – 1981). Ky libër, i cili asht një udhëpërshkrim nga vizitat në Kosovë të këtij intelektuali dhe publicisti nga Mallakastra, asht botue nga Shtypshkronja e Shtetit në Tiranë, në vitin 1943. Të gjithë shqipfolësve me mendësi të përçudshme komuniste – enveriste, të cilëve u pengon togfjalëshi “Nëna Kosovë”, u sugjeroj që ta lexojnë këtë libër të veçantë.

(Një citim i shkurtë nga libri: “Kam shkuar pesë herë në Kosovë. I jam bërë pesë herë dashnor. Qielli i Kosovës ndriçon me rrezet e diellit që i veshin syrin njeriut. Atmosfera e saj është e mbushur me një fuqi tërheqëse dhe në tokat e saj të shenjta valon një fuqi magjiplote. Në Kosovë për të parën herë njeriu e ndjen veten të hyjë në tempullin kombëtar. Aty një qetësi e këndshme, një besim i sigurtë dhe një vetmohim i ëmbël, ia pushton zemrën, trurin dhe shpirtin çdo udhëtari. Aty për të parën herë besoni në vetvehten… Bukura e Kosovës është bukuria e së drejtës. Zëri i Kosovës është zëri i historisë dhe shkëlqimi i saj është drita e së vërtetës…”

Loading...