Kancelari austriak, Sebastian Kurz, pas takimit të sotëm me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, shprehu besimin e tij se është e mundur të arrihet një zgjidhje në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe theksoi se qëndrimi i qeverisë austriake është se duhet të mbështetet çdo marrëveshje që çon në një zgjidhje afatgjatë.

Ai vuri në dukje se në Serbi duhet ta kuptojnë se anëtarësimi në BE mund të realizohet vetëm nëse arrihet një marrëveshje në dialogun ndërmjet Kosovë dhe Serbisë dhe se ky është parakushti themelor për anëtarësimin e Serbisë në BE.

“Për këtë arsye është mjaft e rëndësishme nga këndvështrimi im sqë ky dialog të përfundojë me sukses dhe kjo është arsyeja pse unë kërkojë nga populli të përkrahin politikanët që duan të trasojnë këtë rrugë”, tha Kurz.

Siç raportojnë mediat serbe, Kurz tha se Vjena zyrtare beson se nëse vjen te një marrëveshje që siguron paqen afatgjatë, nuk do ta pengojë atë marrëveshje.

“Ne do të mbështesim atë. Kjo është qëndrimi i Qeverisë. Siç e shoh unë, ky është qëndrimi i shumicës në BE. Nuk mund të jetë detyrë e BE-së për një proces të tillë të rëndësishëm, të jetë pengesë, por ajo duhet të jetë mbështetje. Por ne jemi të vetëdijshëm se është një rrugë e gjatë deri te marrëveshje të përbashkët”, tha Kurtz, duke u përgjigjur në pyetjen, se cila është vija e kuqe për Vjenën në arritjen e marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë, për korrigjime kufijve, përcjell Telegrafi.

Kurz tha se është e rëndësishme që dialogu të vazhdojë, por që është e vendimtare që ai të jetë i suksesshëm.

“Tani ka një mundësi unike që historia të mbetet histori dhe së bashku të ecim në një të ardhme të suksesshme”, tha Kurz.

Edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq në konferencë të përbashkët shtypi me kancelarin austriak Sebastian Kurz, në Beograd, tha se Austria e ka njohur pavarësinë e Kosovës 10 vjet më parë, por ai i është mirënjohës kancelarit austriak për faktin se Austria mbështet çdo zgjidhje kompromisi.

“Jemi të gatshëm të luftojmë për të ardhmen, por për ne është e rëndësishme që Serbia nuk guxon të poshtërohet që pala shqiptare të merr gjithçka. Nëse dikush është i përgatitur për të bërë një zgjidhje të tillë, gjithmonë do të ketë një partner për të biseduar”, tha Vuçiq.

Ai tha se përpjekja për të gjetur një zgjidhje kompromisi me shqiptarët është jetike për Serbinë, megjithëse, siç tha ai, këtë e mbështesin një numër i vogël njerëzish.

Në këtë drejtim, ai prezantoi të dhënat e hulumtimit të Demostat, sipas të cilave më shumë se 60% e qytetarëve kundërshtojnë marrëveshjen dhe çdo marrëveshje obligative me shqiptarët.

Loading...