Kush e ka kërcënuar gazetarin shqiptar që po kërkon strehim në Norvegji?

 

 Vitin e kaluar, gazetari Genci Angjellari u sulmua nga disa burra të cilët i vunë thikën në fyt. Të nesërmen, bashkëshortja e tij u kërcënua nga disa burra të cilët i kishin thënë se do ta përdhunonin dhe do t’i vrisnin fëmijën dhe burrin nëse ai nuk do të ndalonte “së luajturi me zjarrin”. Genci po hetonte lidhjet mes mafias shqiptare, bizneseve dhe politikanëve. Dhe banditët donin ta ndalonin.

Të frikësuar për jetën, familja Angjellari u largua në Norvegji. Por Norvegjia kërkon ta kthejë. Le t’i themi Norvegjisë se kjo familje e re ka nevojë për mbrojtje dhe jo për t’u deportuar.

Kjo është hyrja që Amnesty Internacional në Britaninë e Madhe bën për rastin e një gazetari shqiptar që ka kërkuar strehim në Norvegji.

I kërcënuar për shkak se po hetonte mbi një të vërtetë

Genci Angjellari është një gazetar investigativ (ka punuar në Agon Channel – shënim i lapsi.al). Në nëntor 2014 ai po hetonte lidhjet mes mafias shqiptare, biznesit dhe politikanëve kur dy burra me motor e sulmuan. E goditën, i vunë thikën në fyt dhe i thanë të ndalonte hetimet.

Ditën tjetër, dy burra me motor iu afruan gruas së Gencit, Fatjonës. E kërcënuan se do ta përdhunonin dhe i thanë se do t’i vrisnin bashkëshortin dhe vajzën nëse ai nuk do të ndalte
“së luajturi me zjarrin”. Disa ditë më vonë familja fluturoi për në Norvegji.

Kërkesë për azil në Norvegji

“Çifti ka qëndruar në Norvegji bashkë me vajzën e vogël për afro 1 vit, duke iu nënshtruar procesit të azilit. Por pavarësisht Bordi i Apelit të Emigracionit e besoi versionin e kësaj familje, ai vendosi se familja duhet të kthehej në Shqipëri dhe të kërkonte mbrojtjen e policisë në vendin e saj – mbrojtje që ata e kanë kërkuar dhe u është mohuar”, shkruan Amnesty Internationa UK.

Më 30 tetori aplikimi u refuzua nga autoritetet norvegjeze. Teksa ata mund ta apelojnë vendimin, autoritetet norvegjeze mund të mos presin procesin dhe të vendosin ta deportojnë.

Kjo do të thotë se familja është në rrezik serioz se mund të kthehet me forcë në një situatë të rrezikshme. Tani ata mund të deportohen kurdo në Shqipëri, ku u kërcënuan me vdekje.

Punë e rrezikshme të jesh gazetar në Shqipëri

Genci Angjellari nuk është vetëm – gazetarët investigativë në Shqipëri kërcënohen rregullisht për shkak të detyrës. Ata mund të shenjestrohen nga shteti, politikanët, biznesmenë të pasur dhe njerëz të mafias.

Raportimet mbi korrupsionin apo aktivitetet e biznesit apo të krimit të organizuar kanë rezultuar në sulme të dhunshme ndaj gazetarëve apo në ngacmime nga forcat e policisë shqiptare.

Dhjetorin e vitit të kaluar, një koleg i Gencit u qëllua. Thuajse në të njëjtën kohë, një gazetar tjetër besohet se ishte shenjestër e një sulmi me bombë. Ndësa nuk ka ende gazetarë të vrarë, për shkak të kërcënimeve rreth 14 gazetarë u larguan nga Shqipëria vitin e kaluar, për shkak se sheteti nuk është në gjendje t’i mbrojë.

Vetëm një gazetari i është dhënë mbrojtje nga policia shqiptare. Ai po hetonte mbi rekrutimimin e shqiptarëve nga ISIS dhe ka marrë kërcënime nga Facebook, të cilat besohet se kanë ardhur nga një anëtar i organizatës terroriste. Ata që kanë hetuar mbi aferat korruptive, nuk kanë patur ndonjëherë mbrojtje të tillë.

Loading...