NGA NAILE EJUPI

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, ka thënë se kur do të bëhet zëvendëskryeministër i vendit, do ta zbardhë “Rastin e Kumanovës”, në të cilën vdiqën dhjetëra shqiptarë nga Kosova në luftime me policinë e Maqedonisë.

 “Unë nuk kam instrumente në dorë, por që në ditën e parë do të jem i interesuar që si zëvendëskryeministër ta zbardhë tërësisht këtë situatë”, ka deklaruar Thaçi.

Ai ka shtuar se kjo situatë ishte montuar nga qeveria aktuale e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së.

Ndërsa analistët, thonë se ndoshta mund të zbardhet “Rasti i Kumanovës”, nëse Menduh Thaçi bëhet zëvendëskryeministër dhe ekzistojnë mundësitë që rasti të jetë montuar nga qeveria paraprake, kjo për ta larguar vëmendjen nga incizimet e publikuara në atë kohë nga ana e liderit të opozitës maqedonase, Zoran Zaev.

Sipas analistit Fejzi Hajdari, secila parti që do të vjen në pushtet pas zgjedhjeve, përveç partisë aktuale VMRO- BDI, do mund ta zbardhë rastin.

“Mendoj se secila parti që do të jetë në pushtet pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, përjashto partitë aktuale qeverisëse VMRO-BDI, shumë shpejt dhe lehtë, do të mund ta zbardhë rastin e Kumanovës – Lagjja e Trimave. Mjafton që partitë që do të jenë në pushtet pas 11 dhjetorit (pra ditën e votimeve për zgjedhjet parlamentare), të bashkëpunojnë me seriozisht me Prokurorinë Speciale Publike, në kontekst të zbardhjes së rastit të Kumanovës”, shprehet Hajdari për gazetën Bota sot.

Sipas tij, partnerët aktualë të koalicionit qeverisës, VMRO-BDI kanë bërë pengesa publike, por edhe të fshehura ndaj Prokurorisë Speciale për ta larguar vëmendjen e opinionit nga incizimet që kishin filluar të publikohen.

Ai thotë se këto pengesa bëjnë që dyshimet kryesore të bien mbi ata dhe mund që ata ta kenë inskenuar rastin e Kumanovës.

“Një gjë të tillë nuk po e bëjnë partnerët aktualë të koalicionit qeverisës, VMRO-ja dhe BDI-ja, të cilët në çdo mënyrë po bëjnë obstruksione (pengesa) publike dhe tinëzare, ndaj Prokurorisë speciale, e cila nuk është nën kontrollin dhe ndikimin e qeverisë. Kjo tregon se ndoshta janë shumë të bazuara dyshimet, që VMRO dhe BDI bashkërisht ta kenë inskenuar rastin e Kumanovës, për të tërhequr vëmendjen e opinionit nga incizimet që filluan të publikohen në atë kohë nga ana e liderit të opozitës maqedonase Zoran Zaev, e që nxirrnin shumë mega-afera dhe skandale, që kishin të bëjnë me krimin dhe keqpërdorimet gjigande të njerëzve të parë të qeverisë respektivisht të partive BDI dhe VMRO-DPMNE”, përfundoi Hajdari.

Ndërsa analisti, Xhenis Sulimani, në një prononcim për gazetën Bota sot, ka thënë se çdo premtim i bërë para fushatës zgjedhore duhet të merret me rezerva, por edhe nuk mund të thuhet kategorisht se Menduh Thaçi nuk do ta kishte bërë një gjë të tillë.

“Çdo premtim që jepet tash gjatë fushatës zgjedhore në Maqedoni duhet të merret me rezerva. Por edhe nuk mundemi të themi kategorikisht se nuk do ta kishte bërë një gjë të tillë, derisa nuk është pjese e ekzekutivit. Rasti “Kumanova” është rast specifik, që nga disa përgjime që u publikuan pamë se shumë anë janë të kyçura, … mandej në përgjime dëgjuam edhe zëra të agjentëve-pjesë të shërbimeve sekrete maqedonase dhe kjo edhe më shumë e komplikon rastin kur kihet parasysh se Drejtoria e Sigurimit dhe kundërzbulimit në Maqedoni është tejet e mbyllur, madje e njëjta ka qenë e mbyllur edhe karshi deputetëve dhe përgjegjësisë që duhet ta jep para Kuvendit”, shprehet Sulimani.

Sipas Sulimanit vetëm ekspertët e huaj mund të zbardhin rastin në fjalë.

Ai nuk dëshiron të paragjykojë se kush mund të përfshihet në atë rast.

“Pasur parasysh gjithë turbulencat politike në Maqedoni mendoj se vetëm ekspertë të huaj mund të zbardhin rastin në fjalë, jo për shkak natyrës së rastit, por për shkak emrave të ndryshëm që përmenden si të implikuar në raste, si në mënyrë të drejtpërdrejt ashtu edhe në mënyrë indirekte. Kërkesa e te akuzuarve që politikanë aktualë, pjesë të pushtetit duhet të dëshmojnë për rastin “Kumanova” flet shumë. Nuk kisha dashur ta paragjykoj se kush mund të jetë i përfshirë. Po presim që në seancë gjyqësore të vijnë në rend dëgjimi I dëshmitarëve politikanë” theksoi Sulimani.

Kurse, analisti Zudi Xhelili i ka thënë gazetës Bota sot se në ngjarjet e Kumanovës janë përfshirë struktura nga shërbimet sekrete të Maqedonisë.

Ai thotë, se ka mundësi që Menduh Thaçi të ketë dijeni, mirëpo nuk dihet nëse do të zbulohet  apo thjesht është premtim parazgjedhor.

“Në ngjarjet e Kumanovës janë të përfshira struktura nga shërbimet sekrete të Maqedonisë. Meqenëse afera përgjimit zbuloi bashkëpunimin e krerëve të partive shqiptare me këto shërbime dhe sidomos miqësinë e tyre me kryeshefin e këtij shërbimi Sashko Mialkov, atëherë ka gjasa që të kenë djeni për komplote të tilla. Nuk di sa do të zbulojnë dhe sa do ta tradhtojnë mikun e tyre. Unë dyshoj në premtimet e tilla, janë vetëm premtime për të tërheq vëmendjen dhe ndoshta edhe ndonjë votë. Këtë dyshim dhe mosbesim e ndajnë shumica e popullit shqiptar në Mk”, shprehet Xhelili.

Sipas Xhelilit, në “Rastin Kumanova”, mund të jenë të përfshirë politikanët e dy shteteve, pra nga Kosova dhe Maqedonia.

“Ashtu si flitet janë të përfshirë politikanët të lartë nga dy palët. Nuk dua të përmendi emra por disa emra me qarkullojnë në rrjetet sociale. Të përfshirë mund të jenë politik-bërësit  nga dy shtetet si nga Kosova ashtu edhe nga Maqedonia. Procesi gjyqësor është  në rrjedhojë dhe me kohë do të zbardhet në tersi” shprehet Xhelili.

Ai thotë se ka gjasa që i gjithë rasti të jetë montuar nga qeveria e mëhershme.

“Ka gjasa të jetë e montuar nga qeveria e mëparshme. Për të tërheq vëmendjen e opinionit të  brendshëm dhe atij ndërkombëtar se shqiptarët janë problemi i Ballkanit. Nikolla Gruevski u gjend në pozitë të vështirë pas publikimit të përgjimeve. U zbuluan afera të rënda tronditëse  dhe ai duhej  të kapet nga protestuesit dhe të nxirrej para drejtësisë. Për t’u shmangur kësaj situate ai dhe shërbimet serbe inskenuan rastin e Kumanovës. Pjesëmarrësit shqiptarë treguan mos aftësinë për të penguar raste të tilla, apo ndoshta i shërbejnë dikujt në Kosovë”.

Ndërsa gazetari, Hamdi Nuhiju, thotë se deklarata e Menduh Thaçit është në korniza të luftës për mbijetesë në skenën politike.

Ai thotë se Thaçi mund të zbardhë  vetëm rastin e Brodecit, Kondovës dhe trazirave të brendshme në Bashkësinë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë.

“Menduh Thaçin dhe politikanët tjerë shqiptarë është duke i pritur një betejë e rëndë politike tash në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ai nuk e ka të sigurt kësaj here mbijetesën politike në skenën politike shqiptare të Maqedonisë për shkak të shpërndarjes së trupit votues shqiptarë në shumë subjekte politike duke përfshirë edhe LSDM-në opozitare e cila në këto zgjedhje me ofertë iu është drejtuar edhe elektoratit shqiptar, jo vetëm atij maqedonas. Deklarata e tij është në korniza të luftës për mbijetesë në skenën politike, gjë që e ka bërë vazhdimisht gati se në të gjitha ciklet zgjedhore në Republikën e Maqedonisë. Thaçi mundet të zbardh vetëm rastin e Brodecit, Kondovës dhe trazirave të brendshme në Bashkësinë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë”, është shprehur Nuhiju për gazetën Bota sot.

Sipas Nuhijut, vetëm hetimet që do të bëhen nga Prokuroria Speciale Publike mund ta zbardhë “Rastin e Kumanovës”.

“Kjo gjë do të zbardhet me siguri nga hetimet e Prokurorisë Speciale Publike, si edhe rasti i fundit në Kumanovë”, pohon Nuhiju.

Në “Rastin e Kumanovës” ishin të përshirë një grup nga Kosova, që  gjatë 9 dhe 10 majit të vitit të kaluar, në Lagjen e Trimave në Kumanovë, u përleshën me forcat e policisë së Maqedonisë. Përleshjet përfunduan me vrasjen e 8 policëve dhe 10 pjesëtarëve të grupit të armatosur./BS

Loading...