Gjykata Kushtetuese nuk e përjashton mundësinë që gjatë pushimeve të verës të caktojë një mbledhje të jashtëzakonshme në të cilën do të shqyrtohej iniciativa për kushtetutshmërinë e themelimit dhe funksionimit të Prokurorisë Speciale Publike.

Sipas rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, kryetarja e këtij institucioni Elena Gosheva ka mundësi që edhe gjatë pushimeve të verës të mbledhë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, në një mbledhje të jashtëzakonshme, për të diskutuar rreth kushtetutshmërisë së themelimit dhe funksionimit të Prokurorisë Speciale Publike.

Por, ish kryetari Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, Trendafill Ivanovski, konsideron se në këtë mënyrë strukturat udhëheqëse të pushtetit synojnë t’i bëjnë presion Prokurorisë Speciale publike nëse ajo gjatë kësaj periudhe vendos të hap lëndë ndaj cilitdo udhëheqës të partive në pushtet.

“Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë tanimë një kohë të gjatë nuk është në funksion të mbrojtjes së ligjeve por kryekëput funksionon në bazë të kalkulimeve që bëjnë zyrtarët e lartë të pushtetit për të shpëtuar nga përballja me organet e drejtësisë. Gjithçka do të varet nga ajo se çfarë veprimesh do të ndërmarrë Prokuroria Speciale Publike gjatë kësaj periudhe e cila për opinion ka bërë publike vetëm 5 raste nga 35 lëndët për të cilat është shpallur kompetente për t’i proceduar”, tha Ivanovski.

Sipas tij nëse Prokuroria Speciale ngreh procedurë pikërisht për lëndët më të ndjeshme ku atakohen zyrtarë të lartë të shtetit të cilët e kanë sjellë vendin në këtë gjendje të krizës së thellë politike gjithsesi se “Gjykata Kushtetuese do të vihet në funksion të paralizimit për aq sa mundet të Prokurorisë Speciale si institucion”.

Loading...