Kuvendi i Republikës së Maqedonisë pritet që në kuadër të seancës së 73-të të marrë vendim për shpalljen e konkursit për anëtarë të rinj në Komisionin Shtetëror Zgjedhor.

Ndryshimet e Kodit Zgjedhor që u miratuan si rezultat i bisedimeve në kuadër të marrëveshjes së 2 qershorit/15 korrikut parashikojnë rritjen e numrit të anëtarëve të KSHZ-së. Kështu tani KSHZ-ja do të përbëhet nga nëntë anëtarë, respektivisht kryetar dhe nënkryetar dhe shtatë anëtarë. Ata këtë funksion do ta kryejnë në mënyrë profesionale me të drejtë për zgjedhje të sërishme, ndërsa Kuvendi do të zgjedhë përbërjen e re për pesë vjet më së voni 30 ditë para skadimit të mandatit të përbërjes ekzistuese.

Pas përfundimit të shpalljes për anëtarë të KSHZ-së që zgjatë tetë ditë, Komisioni kuvendor për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve përgatit listën e kandidatëve të paraqitur dhe e dorëzon në Kuvend.

Nga tre anëtarë propozojnë partitë politike në pushtet dhe nga opozita, ndërsa tre të tjerët zgjidhen nga radhët e të paraqiturve.

Partia politike në opozitë me numër më të madh të deputetëve në Kuvend propozon dy anëtarë, ndërsa partia politike në opozitë me numër të dytë më të madh të deputetëve propozon një anëtar në KSHZ. Partitë në pushtet propozojnë tre anëtarë edhe atë partia politike në pushtet me numrin më të madh të deputetëve në Kuvend propozon dy anëtarë, ndërsa partia politike në pushtet me numër të dytë më të madh të deputetëve propozon një anëtar në KSHZ. Tre anëtarë të komisionit zgjidhen me propozime të përbashkëta të partive në pushtet dhe në opozitë nga radhët e kandidatëve të paraqitur.

Anëtarët e KSHZ-së i zgjedh Kuvendi me dy të tretën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Kuvendi e zgjedh edhe kryetarin edhe nënkryetarin e KSHZ-së nga radhët e anëtarëve.

Kryetari i Kuvendit i njofton partitë politike në pushtet dhe në opozitë në afat prej tre ditëve nga dita e pranimit të njoftimit për përfundimin e shpalljes që të japin propozim për anëtarët e KSHZ-së. Nëse partitë politike nuk i konfirmojnë dhe nuk i dorëzojnë emrat e kandidatëve në afatin e përcaktuar, anëtarët e KSHZ-së i propozon Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve në Kuvend.

Anëtarët e KSHZ-së të propozuar nga ana e partisë politike mund të zgjidhet person shtetas i Republikës së Maqedonisë me vendbanim të përhershëm në Republikën e Maqedonisë, të jetë jurist i diplomuar me së paku pesë vjet përvojë pune dhe të mos jetë anëtar i organit të partisë politike.

Ata anëtarë të KSHZ-së që nuk zgjidhen në propozim të partive politike duhet të jenë shtetas të Republikës së Maqedonisë dhe me vendbanim të përhershëm në RM, të kenë të kryer arsim të lartë dhe së paku pesë vjet përvojë pune, të mos jenë organ i partisë politike në dy vitet e fundit, të mos ketë qenë dhe të mos jetë bartës ose kandidat për funksione publike në vend dhe në pushtetin lokal, të mos jetë mbështetës publik i politikave të pushtetit ose të opozitës dhe të ketë njohuri dhe përvojë në fushën e zgjedhjeve dhe proceseve zgjedhore.

Në kudër të seancës së 73-të të Kuvendit që është caktuar për të hënën në rend dite është edhe Propozimi shtesë i Buxhetit të RM-së për vitin 2016.

Loading...